Kandidati i përbashkët i së majtës, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në një aktivitet të tillë, duke theksuar se ky është mesazhi më i mirë që i jepet të rinjve për të mbajtur një mjedis të pastër.
"Ne kemi nevojë për një shoqëri të shëndetshme, por kjo mund të arrihet vetëm kur kemi një mjedis të pastër. Kjo ditë, ky aksion është mesazhi më i mirë që iu japim të rinjve, komuniteteve të veçanta, e gjithë qytetarëve për pastrimin e territorit dhe krijimit të një mjedisi të përshtatshëm për fëmijët tanë", tha ai. Tushaj u bëri thirrje të rinjve të pranishëm dhe jo vetëm, që nisma të tilla sensibilizuese, por edhe rezultative të jenë më të shpeshta.
"Duhet një përpjekje e vazhdueshme që të sjellë ndryshimin dhe të na çoje në rrugën e duhur",- tha Tusha.
Ndërsa z. Bardhok Pulaj, tha se iniciativa të këtij lloji janë të vlefshme për ambientin, por mbi të gjitha edukojnë fëmijët të mbajnë pastër mjedisin ku jetojnë dhe kudo që ata janë të përcjellin mesazhin e një Lezhe më të pastër, e një Shqipërie më të pastër.
Pas fjalimeve, të pranishmit vijuan aktivitetin për të pastruar plazhin e Shëngjinit i cili me ndarjen e re administrative-territoriale është pjesë e Bashkisë së Lezhës. Ky bregdet çdo vit frekuentohet nga mijëra turistë për vetë bukuritë dhe vlerat që ka, edhe pse ndër vite është bërë pak për zhvillimin e këtij bregdeti që premton shumë për zhvillimin e turizmit veror.
-Tusha: Reforma territoriale na jep mundësinë e standardizimit dhe barazinë e cilësisë së shërbimit si në qytetin e Lezhës, ashtu edhe në fshatra
Kandidati i "Aleancës për Shqipërinë Europiane", Viktor Tushaj zhvilloi një bashkëbisedim me personelin e Qendrës Shëndetësore në Zadrimë të Lezhës. Ai u njoh nga afër me problematikat me të cilat përballet personeli mjekësor i kësaj qendre shëndetësore, ndërsa premtoi zgjidhje të tyre në një situatë të shpejtë. "E di se kushtet dhe infrastruktura ku ju punoni nuk janë ato optimale dhe nuk ofrojnë shërbimin e duhur për pacientët. Kjo ndodh gjithmonë kur ka një shpërndarje të tillë gjeografike, ku njësitë më larg qytetit mbeten në harresë, tha Tushaj.
Tushaj theksoi se reforma administrative-territoriale si dhe projekti i "Aleancës për Shqipërinë Europiane" për zhvillimin e të gjitha zonave, do të krijojnë standarde dhe cilësi shërbimi për të gjithë qytetarët. Kandidati i përbashkët i së majtës garantoi se zona e Zadrimës, e cila është pjesë e Bashkisë së re të Lezhës, do të jetë në "Drejtimin e Duhur" për zhvillim.
"Reforma territoriale na jep mundësinë e standardizimit dhe barazinë e cilësisë së shërbimit si në qytetin e Lezhës, ashtu edhe në fshatra. Funksionaliteti i reformës territoriale është pikërisht ky, që të vendosen standarde të barabarta kudo dhe të përmirësohet infrastruktura apo shërbimi ndaj qytetarëve,- u shpreh më tej, z. Tushaj.
Në fjalën e tij, z. Tushaj premtoi për ndryshim të gjendjes pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ndërsa theksoi se bashkia dhe administrata e bashkisë së re të Lezhës do të tregojnë përgjegjshmëri përballë donatorëve dhe qeverisë në realizimin e projekteve të ndryshme për zhvillim.
"Shërbimi i bluzave të bardha është human dhe ne duhet ta ruajmë nga ndotjet, ta ruajmë nga korrupsioni dhe të krijojmë besimin e duhur për qytetarët lezhjanë. Unë besoj, se me mbështetjen tuaj, ne kemi nisur "Drejtimin e Duhur" dhe se shumë shpejt pritshmëritë tuaja në realizimin e atyre objektivave profesionale, do të realizohen", theksoi Tushaj.
Gjatë takimit, z. Tushaj bashkëbisedoi me personelin mjekësor dhe qytetarët mbi përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e shërbimit ndaj qytetarëve të Zadrimës./atsh/