TIRANE-Një grup qytetarësh, që thonë se janë banorë të 'Astirit' protestuan kundër ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili pak ditë më parë bëri një gjest fyes, teksa po protestonin te Drejtoria e Policisë së Tiranës duke u treguar gishtin e mesit, por që më pas kërkoi ndjesë.

Me pankarta në duar, gratë që ishin në protestë jashtë godinës ku po mbahej konferenca mesdhetare e OSBE, kërkuan që Borchardt të largohet nga Shqipëria. "Gishti i mesit nuk i ka hije OSBE-së,"-shkruhej në një prej pankartave.

Por çfarë ndodhi mbrëmjen e 13 tetorit? Ambasadori teksa po dilte nga hyrja e një pallati tek "Myslym Shyri" një prej banorëve të Unazës së Re që po protestonte para drejtorisë së Policisë duke kërkuar lirimin e banorëve të 'Astirit' i tha "Shame on you" ndërsa ambasadori reagoi duke i treguar gishtin e mesit. Pas incidentit ambasadori kërkoi ndjesë, por banorët vijojnë të kërkojnë largimin e tij, që është sulmuar edhe nga PD-ja.