TIRANË- Dy demokratët që u përjashtuan nga grupi i PD në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, kundërshtojnë vendimin që mban firmën e Flamur Nokës. Bashkë me një grup demokratësh të Durrësit të revoltuar nga kjo vendimmarrje, Burgija u shfaq në selinë e PD-së ku dorëzoi pranë Komisionit të Apelimit ankimin ndaj vendimit për përjashtim, që u mor pasi ata mbështetën publikisht foltoren e organizuar nga Ervin Salianji.
Burgija tha para gazetarëve se vendimi i përjashtimit shkel statutin dhe kërkoi ballafaqim drejtpërdrejtë me kreun e PD-së, Sali Berisha. Por, ky i fundit nuk i priti në takim ndonëse ishte në seli në momentin që demokratët po flisnin para mediave.
“Do dorëzojmë kërkesën pranë Komisionit të Apelimit me insistimin e këtyre demokratëve. Në kërkesë kam shpjeguar se çdo resht i vendimit është antistatutor. Kërkojmë nëse është e mundur, të bëjmë ballafaqim me zotin Berisha”, tha Burgija për mediat.
Burgija i hodhi poshtë akuzat se kanë bashkëpunuar me PS si edhe deklaratat e Berishës se kanë votuar pro buxhetit të Bashkisë së Durrësit.
“Është gënjeshtër shumë e madhe. I bëmë ftesë Berishës të ngjitemi lart dhe të na vër në dijeni se për çfarë e ka marrë aktin e përjashtimit, në daljen e fundit ka thënë që kemi votuar buxhetin e Sakos. Ja ku e keni qëndrimin tim në votimin për buxhetin e bashkisë Durrës”, vijoi Burgija.
Por, a beson Burgija se do të dalë e vërteta? Ai thotë se demokrat nuk e bëri as Sali Berisha dhe as Flamur Noka, por është demokrat me baza dhe çdo akuzë do ta hedhë poshtë.
Pjesë nga prononcimi i Dritan Burgijës
Do dorëzojmë kërkesën pranë Komisionit të Apelimit me insistimin e këtyre demokratëve, janë drejtues strukturash, pasi unë person dhe lidership këtu u detyrohemi shpjegime për sa ka ndodhur me rastin e përjashtimin tim dhe kolegut tim Boshku. Kam qenë këtu para jush edhe në 2021-shin, për të njëjtën gjë pasi në atë kohë dilja dhe kërkojë dinjitetin e Berishës pasi u përjashtua nga partia. Sot jam këtu para jush për të marrë shpjegime dhe për të kërkuar dinjitetin tim. Nuk është çështje pozite, por dinjiteti, në kërkesë kam shpjeguar se çdo resht i vendimit është antistatutor. Kam kërkua ballafaqim me lidershipin këtu, kam kërkuar fakte dhe prova që çuan në çuan në vendimin e shkarkimit tim. Kërkojmë nëse është e mundur, të bëjmë ballafaqim me zotin Berisha. Jemi rënduar shumë me akuzat, janë akuza të rënda për mua dhe kolegun tim, mos të dalim njëri nga një mikrofon dhe tjetri në mikrofon të tjetër të bëjmë monolog, ja ku jemi, të ballafaqohemi dhe ti sqarojmë këto gjëra.
A keni bashkëpunuar me PS?
Nuk diskutohet që jo, është gënjeshtër shumë e madhe. Parkimi është pronë private ku unë jam pjesëtar i asaj prone me një pjesë, shumë mirë bëtë se ka qarkulluar nën zë. Do iu vë në dispozicion certifikatën e pronësisë ku unë jam pronar i asaj prone. Nëse është ky shkaku, kanë gabuar rëndë, si mund të faktojë kjo? Është pronë private që shfrytëzohet për parkim, nesër mund të bëhet diçka tjetër.
Rezultatet e mia ndër vite, rekordet, janë aty t'i hapin. Në ditën më të zezë të PD, ne kemi pasur rezultatet më të mira nga 2013 deri më sot që flasim.
Ne do dorëzojmë kërkesën, i bëmë ftesë Berishës të ngjitemi lart dhe të na vër në dijeni se për çfarë e ka marrë aktin e përjashtimit, në daljen e fundit ka thënë që kemi votuar buxhetin e Sakos. Ja ku e keni qëndrimin tim në votimin për buxhetin e bashkisë Durrës.
Foltorja i bëri shumë mirë PD-së se i vuri në lëvizje. U vu partia në lëvizje, nisën të dalin deputetët. I thonin lidershipit nuk na vijojnë njerëzit, ne i treguam lidershipit këtu që njerëzit janë aty, por nuk u vijnë deputetëve të Durrësit. Pse nuk vijnë në Durrës, ka ardh Berisha në Sukth, pse nuk vijnë në Durrës? Unë kam qenë zëri më i fuqishëm në Durrës edhe kur u përjashtua Berisha, ne u ngritëm për padrejtësisë që iu bënë Berishës, premtuam që do kemi vlerësim meritash. Berisha edhe e ka artikuluar se s’do këtë përjashtime në PD. Jo se jam përjashtuar unë, nëse unë kam bërë diçka ta bëjnë publike dhe i marr unë përsipër fajet e mia.
A do dalë e drejta?
Do dalin fiasko me mu, s’jam demokrat prej Berishës apo Nokës, jam demokrat me breza. Çfarëdo lloj akuze do t’i hedh poshtë.
Me biznesin tim kam vite që kontribuoj edhe tek PD e Durrësit. Kurrë skam përfituar, nëse ka diçka që kam përfituar ta bëjnë publike. Parkimi është pronë private, kam patur luftë unë me bashkinë. Bashkia e ka mbajt me të padrejtë dhe e shfrytëzonin jo pronarët e ligjshëm, është pronë private, iu vë në dispozicion certifikatën ku janë jam anëtar. Kurrë s’kam përfituar, përkundrazi jam goditur në bizneset e mia.
Lajmi në përditësim...
Një prej demokratëve të Durrësit ka shprehur hapur pakënaqësitë ndaj Sali Berishës, ndërsa shkoi në selinë blu për të kundërshtuar përjashtimin e dy këshilltarëve nga grupi i PD në Këshillin Bashkiak. Në një prononcim për gazetarët, Lavdosh Serani thotë se humbja nuk erdhi për shkak të dy demokratëve të përjashtuar, Dritan Burgija dhe Arlind Boshkun, por për shkak të grupit mafioz të Oerd Bylykbashit, i cili ka qenë edhe drejtues qarku.
“Duhet të nxjerrim arsyen e humbjes, pse kemi humbur kaq thellë,. Ia kemi ngecur grupit të tyre që u themi tradhtarëve. Jo, jo, e vërteta është grupi mafioz, Bylykbashi me grupin e vet. Grupi budallenj jemi në që punojmë drejtë e drejtë. Kur hapa zyrën e PD nuk më dhanë as kompjuter të punoja, kam 11 qendra, nuk erdhi një drejtues qarku të pyesë si jeni, ca gjendje jemi. Drejtues qarku kam pasur bylykbashin, s’ka ardhur njëherë në plazh, kam bërë kërkesë më PD që dua ndihmë, nuk erdhi njeri të më kërkonte dhe sot duan tia lënë fajin këtyre dy zotërinjve. Humbjen e kemi pasur nga Bylykbashi”, tha ai.
Demokrati tha se 33 vite i ka besuar verbërisht Sali Berishës, por sot është rreshtuar në krah të Ervin Salianjit sepse kërkon garë të drejtë. Me ironi, Berishës i tha që t’ia ndërrojë emrin e partisë dhe ta quajë “Partia e Xhaxhit Enver, se dhe komunistët janë më të mirë”. Ai thotë se nëse gara për kreun e PD do ishte e ndershme, Sali Berisha do të largohej nga drejtimi i partisë.
“33 vjet kam qenë ushtar i Berishës, por sot mbështes Salianjin, fatkeqësisht ka dalë me dru aty mbrapa, por e mbështes sepse dua liri. T’ia ndërroj emrin Berisha, t’ia vër partia e xhaxhit Enver, se edhe komunistët janë më të mirë”, tha ai.
Komente











