Intervista/ U plagos më ’21 janar’, gazetari Mahmutaj për Report Tv: Berisha dha urdhrin! Shefi i sigurisë i ish kryeministrit qëlloi drejt nesh! E pashë me sy

Tirane-  Gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur më 21 janar, 2011, në një intervistë për Report Tv dëshmoi se i ka parë me sytë e tij gardistët të cilët qëlluan drejt turmës. Mahmutaj tha se ai është i bindur se Sali Berisha ka dhënë urdhrin më 21 janar, ndërsa nuk mënjanoi edhe përgjegjësinë e Ilir Metës.

 Eshtë gati të dëshmojë në SPAK nëse thirret. Tregon çfarë pa atë ditë kur plumbat dolën nga kryeministria. Eshtë i bindur se urdhrin për të qëlluar e ka dhënë Sali Berisha atëherë kryeministër. Ia ka përcjellë shefit të sigurisë së tij Arjan Adhami. Ky i fundit ka rrahur Ndrea Prendin, atëherë komandant gardës i ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar drejt protestuesve. Ai dëshmon se Arjan Adhami dhe Agim Llupo kanë qëlluar drejt tyre. Nga plumbat mbeti i vrarë Hekurand Deda i cili u qëllua në podiumin e gazetarëve, dhe me atë plumb sipas të gjitha gjasave u plagos dhe gazetari Fatos Mahmutaj.

Intervista e plote

Report Tv: Si e kujton 21 janarin e 13 viteve më parë. Ju keni qenë aty dhe keni parë çfarë ka ndodhur

Fatos Mahmutaj: 21 janari i 13 viteve më parë nuk besoj se është më i keq se 21 janari i 13 viteve më pas. Ajo që ndodhi më 21 janar 2011, ditën për diell dhe sot 13 vite më pas nuk kemi asnjë lloj zgjidhje apo drejtimi të çështjes. Thjesht një katrahurë juridike në përpjekje për ti dhënë fund dosjes dhe kaq. Është Akoma më I keq nga ajo që ishte. Çdo 21 janar 4 viktimat dhe 45 të plagosurit po vriten e thërmohen çdo vit pas viti, kësaj here fatkeqësisht nga politika e cila është nëpërkëmbur në këmbët e drejtësisë.

Report Tv: Çfarë keni parë atë ditë

Fatos Mahmutaj:  E kam të fiksuar mirë e kam lënë dhe në dëshminë time pas plagosjes. Është qëlluar në dy drejtime. Nga hyrja e bodrumit të kryeministrisë, aty ku më pas kuptova që ishte Agim Llupo që qëllonte dhe tarraca e kryeministrisë, me pistoletë. Më pas mësova se ishte një person që kurrë nuk është marrë në përgjegjësi penale. Ai ishte shefi i sigurisë së Sali Berishës, pra Arjan Adhami. Këta persona kanë qëlluar drejt platformës ku isha unë. Drejt grupit ku isha unë. Unë ndodhesha tek pema e dytë e kryeministrisë ku ishte vendosur platforma e gazetarëve.

Kam parë dhjetra gardistë që kanë qëlluar me armë. Disa qëllonin në ajër, e disa drejt. Por të paktën drejt nesh kanë qëlluar këta të dy.  Këta të dy personat kanë qëlluar drejt nesh se dallohet arma që ishte drejtuar drejt nesh. Në ato momente për shkak të gazit që u hodh ishte moment errësire dhe dallohej qartë që flaka e armëve, pra në momentin e qitjes flaka ishte drejtuar drejt grupit ku isha unë

Report Tv: A jeni gati të dëshmoni në SPAK nëse dosja kalon tek kjo prokurori?

Fatos Mahmutaj:  Kam 13 vite që e përsëris këtë refren. Jam gati në çdo moment për të dëshmuar. Por nëse do më pyesësh se çfarë mendimi kam për çështjen do të të them sot dhe në 13 vitet, 300 vitet e ardhshme se 21 janari do të mbetet çështje e tillë që do luhet topi nga një institucion në tjetrin.

Është e gabuar të thuhet që është çështje e pazbardhur. 21 janari është çështje e zbardhur. Provat deçizive janë 25 mediat shqiptare që e kanë transmetuar live. Cështja është e zbardhur. Nuk mungon zbardhja por dhënia e drejtësisë.

Report Tv: E keni lexuar vendimin e gjykatës së Strasburgut që thotë është krim shtetëror. Po sipas jush

Fatos Mahmutaj: Për mua personalisht nuk është një krim shtetëror por rëndon personalisht mbi Ilir Metën e Sali Berishën. Ilir Meta është ai që e gatoi, Sali Berisha e ekzekutoi. Rëndon mbi këta dy persona. Nuk rëndon mbi askënd tjetër 21 janari. Nuk ka borxh shteti e qeveria shqiptare që ishin uzurpuar nga dy persona të papërgjegjshëm të mbajë përgjegjësi se çfarë bëjnë ata. Përgjegjësia është direkte dhe personale e Ilir Metës dhe e Sali Berishës. Nuk ka për borxh qeveria shqiptare të mbajë përgjegjësira të tilla. Janë personale.

Report Tv: Ju thoni që Sali Berisha në atë kohë ka dhënë urdhrin?

Fatos Mahmutaj: Po sigurisht. Ky është fakt i stërdhënë. Urdhrin direkt për të qëlluar mbi njerëzit e ka dhënë … (Nuk dëgjohet mirë..) ...Bodigardi i Berishës qëllonte me pistoletën e tij. Ndërkohë Agim Llupo nuk kishte nevojë ti jepej njeri urdhër se Agim Llupo në çdo lloj proteste ka qëlluar. Ka qëlluar në kohën e Fatos Nanos, kundër Sali Berishës e në kohën e Sali Berishës ka qëlluar kundra njerëzve. Është njeri me probleme mendore

Report Tv:  Edhe një herë: Urdhrin e ka dhënë Sali Berisha

Fatos Mahmutaj: Po patjetër. Urdhri është personal i Sali Berishës. Nëse nuk u dëgjua. Urdhrin e ka dhënë Sali Berisha. E ka përcjellë përmes shefit të sigurisë së tij.  E shefi i sigurisë së Berishës ka rrahur Ndrea Prendnin. Atë shefin e Gardës I ka marrë pistoletën. Ditën tjetër e nxorën në televisor me sy të nxirë

Report Tv: Ndrea Prendin po thoni se e ka rrahur shefi i sigurisë së ish kryeministrit?

Fatos Mahmutaj:  Po, me grusht në fytyrë. Ai pa pikë turpi e nxorrën si hero sikur e kishin goditur protestuesit ndërkohë që në asnjë moment nuk është parë jashtë. Të gjithë protestën e ka ndjekur nga dritarja e zyrës së Berishës. E kanë rrahur për ta detyruar të jepte urdhrin për të qëlluar mbi njerëzit.

Report Tv:  Po thoni që Ndrea Prendin e kanë rrahur për të dhënë urdhrin për të qëlluar?
Fatos Mahmutaj: Po

Report Tv: Pas 21 janarit keni pasur kërcënime?

Fatos Mahmutaj: Historia ime pas 21 janarit është kalvar më vet. Nisi që nga momenti kur unë nuk arrita të mjekohesha deri me problemet familjare e sa përfundoi cështja deri këtu. Për të mos thënë një detaj tjetër që ish ministri i Brendshëm që më pas u bë president, Bujar Nishani thërrisnin përfaqësuesin e shtetit belg dhe i kërkonin që të më përzinin nga Belgjika. 11 herë komunikim zyrtar Bujar Nishani me të dhe 2 herë kryeministria. I kërkonin të më përzinin nga Belgjika. Skizofrenia e tyre I kishte kaluar përmasat nejse këto janë të shkuara

Report Tv: Keni një apel për drejtësinë e SPAK

Fatos Mahmutaj: Kam menduar se SPAK do të ishte një institucion që do të jepte drejtim. Por duke qenë se janë të njëjtit njerëz, mbeten të njëjtët persona që kanë shërbyer në drejtimet e mëparshme.  Nuk ështe se kam ndonjë besim. Këta persona do të përdoren si të tjerët. Por unë si qytetar do të paraqitem por nuk kam besim se do të zgjidhet. Do të mbetet e tillë duke bërë gola nga një institucion në tjetrin.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Për të dytën herë SPAK kërkon pushimin e çështjes për Selim Çekajn, akuza për përfshirje në trafik droge nuk vërtetohet! Gjykata shtyn vendimin

Tiranë/ Për të dytën herë SPAK kërkon pushimin e çështjes për Selim Çekajn, akuza për përfshirje në trafik droge nuk vërtetohet! Gjykata shtyn vendimin