Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i ka dhënë të drejtë ish-gjyqtarit Ervin Metalla, duke konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane pas shkarkimit të tij nga vetingu. Vendimi për shkarkimin e ish-gjyqtarit të Apelit të Tiranës u mor nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit 7 vite më parë, i cili la në fuqi vendimin e marrë më herët nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit.

"Gjykata ka gjetur shkelje të Nenit 8 sepse shkarkimi i aplikantit nuk u dëshmua të ishte në përpjesëtim me qëllimet legjitime të ndjekura", thuhet në vendim. Neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, ndërsa përcakton se autoritetet publike nuk mund të ndërhyjnë në këtë të drejtë, përveç rasteve kur ndërhyrja është e parashikuar nga ligji dhe e nevojshme në një shoqëri demokratike.

Metalla u shkarkua u shkarkua në korrik të 2018-ës, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), i cili kishte gjetur problem në kriterin e pasurisë. Sipas KPK-ës Metalla kishte nënshkruar kontratat fiktive dhe kishte përfituar një kredi të butë për të cilën nuk përmbushte kushtet ligjore, duke e cilësuar këtë  një sjellje “jo etike për një gjyqtar”.

“Jeta personale e gjyqtarëve, sjellja e tyre jashtëgjyqësore, është po aq e rëndësishme sa ajo në kontekstin profesional”, thuhej në arsyetimin e KPK-së në vendimin për shkarkimin e Ervin Metallës nga KPK.

Por Strasburgu arriti në përfundimin se shkarkimi i Metallës “nuk ishte proporcional me qëllimet legjitime të ndjekura”, duke theksuar se organet e vetingut nuk provuan bindshëm se vazhdimi i mandatit të tij si gjyqtar ishte “i papranueshëm”.

Gjykata Evropiane vlerëson se, edhe pse veprimet e Metallës lidhur me kredinë e butë “mund të ngrinin pyetje të ligjshme mbi përshtatshmërinë e sjelljes së një gjyqtari”, ato nuk arrinin nivelin që justifikonte “sanksionin më të rëndë disiplinor”, pra shkarkimin dhe përjashtimin përfundimtar nga sistemi i drejtësisë.

Strasburgu urdhëroi shtetin shqiptar t’i paguajë Metallës 20 mijë e 400 euro dëm pasuror, 6 mijë euro dëm moral dhe 6 mijë euro për shpenzimet ligjore.

Metalla ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Durrës që nga viti 2001, si Kryetar i saj nga viti 2005 dhe si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë nga viti 2013. Ai ka ushtruar gjithashtu detyrën e Kryetarit të Unionit të Gjyqtarëve, ndërsa aktualisht ushtron profesionin e avokatit.