U shkarkuan nga vetting-u, dhjetëra prokurorë e gjyqtarë “bëhen” avokatë

U shkarkuan nga vetting-u, dhjetëra prokurorë e gjyqtarë “bëhen” avokatë

Zyrtarisht 62% e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë shkarkuar nga vetting-u për lidhje me krimin, për fshehje të pasurisë apo për mungesë profesionalizmi. Pavarësisht se nuk mund të punojnë në këtë profesion për së paku 15 vite, dhjetëra prej tyre janë futur sërish në sistemin e drejtësisë, kësaj here nga “dera e pasme” e avokatisë.

Natën e 25 tetorit të kaluar njësiti i Komisariatit 4 në Tiranë u vu në alarm pas një telefonate në sallën operative. Kur policia shkoi në furrën e Adriatik Bakollarit, zbuloi se, një 21-vjeçar, Franko Ogiçi, kishte vjedhur dy calzone dhe një molto, me vlerë 200 lekë të reja. Ogiçi më herët ishte proceduar për posedim kanabisi, por nuk mundi të shpëtonte, kur e mori uria. Ai iu lut policëve ta linin të lirë, se do t`ia kthente dëmin fqinjit furrxhi, por nuk pati fat. Prokuroria e referoi procedimin penal në gjykatë për vjedhje. Ogiçi ndodhet në burg. Por, ndryshe nga 21-vjeçari, i cili përfundoi në burg për një molto, dhjetëra gjyqtarë e prokurorë, të shkarkuar nga vetting-u për mos-justifikim pasurie apo për lidhje të papërshtatshme me krimin, jo vetëm që nuk u hetuan më tej, por vijojnë të mbajnë funksione të ndryshme, publike. Të zhgënjyer nga vetting-u, ekspertët mendojnë se largimi i të korruptuarve nga sistemi po bëhet i lehtë, për sa kohë ata, jo vetëm që nuk po japin llogari para ligjit, por po shijojnë pasurinë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit, si avokatë apo pedagogë.

“Drejtësia është të sanksionosh padrejtësitë ekzistuese”, – shkruan francezi Anatole France.

Duket se me këtë qëllim u promovua fort nevoja për reformë në sistemin e drejtësisë, që në korrik të vitit 2016 mori vota unanime në parlament, i cilësuar si një vendim historik. Por, a është ky një rezultat apo do perceptohet si një shfaqje, me qëllimin e krijimit të idesë se ekziston vullneti politik për të luftuar korrupsionin?

Procesi i vetting-ut është një eksperiment unik, sui generis dhe gjyqësori një kurban apo një sfidë, rezultatet e së cilës do të duhet kohë që t`i shohim?

Në opinionin publik tashmë është krijuar bindja se askush nuk është më i paprekshëm, që nga gjykatësi më i lartë i këtij vendi, por ka një perceptim se, largimi i të korruptuarve nga sistemi po bëhet i lehtë, përderisa ata, jo vetëm që nuk po japin llogari para ligjit, por po shijojnë pasurinë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit, si avokatë, pedagogë etj.

Më 2 maj të vitit 2018, kur në Komisionin e Ligjeve diskutohej në parim Ligji i ri për Avokatinë, të gjithë ishin të një mendjeje, se të shkarkuarit e vetting-ut nuk mund të pranoheshin në Avokati.

“Natyrisht, ne nuk mund të lejojmë që të hyjnë nga penxherja, ata që kemi nxjerrë nga dera e sallës së gjyqit”, – u shpreh Ulsi Manja, asokohe kreu i Komisionit të Ligjeve.

Me këtë qëndrim ishte edhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, i cili kërkoi që profesioni i avokatisë të ruhej “i pastër”.

“Ne nuk mund të bëhemi strehë për ata që i nxjerr jashtë vetting-u, duam një profesion dinjitoz”, – deklaroi Haxhia në maj të vitit 2018.

Por, vetëm pak muaj më pas gjërat ndryshuan krejtësisht. Në korrik 2018, kur edhe Ligji për Avokatinë u miratua nen për nen, nuk u vendos asnjë masë ndaluese për të shkarkuarit e vetting-ut, që donin të futeshin në këtë profesion. Ky ndryshim i qëndrimit të aktorëve kryesorë u argumentua me faktin se “ndalesa e supozuar” binte ndesh me Kushtetutën, që garanton të drejtën për të ushtruar një profesion, duke e zhvendosur debatin më së shumti në nivelin e një diskutimi moral.

Falë kësaj mundësie të artë, të shkarkuarit e vetting-ut shfrytëzuan licencën e avokatit për t’u futur sërish në sistemin e drejtësisë, këtë herë nga “dera e pasme” e sallës së gjyqit.

Të dhënat e grumbulluara nga INA MEDIA tregojnë se kanë ngecur në rrjetën e vetting-ut 259 gjyqtarë e prokurorë, një pjesë të shkarkuar me vendim të formës së prerë dhe një pjesë kanë dhënë dorëheqjen, duke preferuar të mos i nënshtrohen këtij procesi.

“Në vitin e 5-të të veprimtarisë së punës së komisionit, KPK ka shkarkuar nga detyra 184 subjekte rivlerësimi, nga të cilët, 115 gjyqtarë dhe 66 prokurorë, 1 inspektor ILD dhe 2 ndihmës-ligjorë. Shkarkimet nga detyra, sipas KPK-së, kryesisht kanë qenë për kriterin pasuror, por nuk mbeten jashtë as dy kriteret e tjera, si ai i figurës dhe ai profesional. Kanë dhënë dorëheqjen gjatë procesit të rivlerësimit 75 subjekte, 47 gjyqtarë, 18 prokurorë, 2 ish-inspektorë dhe 8 ndihmës-ligjorë”, – tha në një përgjigje zyrtare për INA MEDIA-n Sekretari i Përgjithshëm i KPK, Edmond Verca, në fund të janarit 2022.

Si pasojë e vetting-ut, organet e drejtësisë po vuajnë nga mungesa të shumëfishta. Aktualisht në gjykatë dhe prokurori përllogaritet të jenë 305 vakanca, që pritet të mbushen në vitin 2026.

Një vit më parë, në sistemin gjyqësor prej 408 gjyqtarësh mungonin 131 prej tyre ose 32% e trupës. Në janar të këtij viti gjykatave iu mungon 45% e trupës ose 184 gjyqtarë.

Para një viti në organin e akuzës nga 321 prokurorë mungonin 74 prej tyre ose 23% e trupës.

Në janar të këtij viti INA MEDIA mësoi se mungojnë 120 prokurorë ose 37% e trupës prej 321 prokurorësh, të cilët nuk janë në sistem për shkak të procesit të rivlerësimit, i njohur si vetting, për shkak të dorëheqjeve apo edhe për shkak të largimit të prokurorëve drejt institucioneve të reja të drejtësisë.

“Janë mbi 500 raste të vetting-ut në Shkallë të Parë, duke përfshirë të gjitha dosjet prioritare. Në përgjithësi rreth 62% e dosjeve të vetting-ut, të përpunuara deri më tani, kanë rezultuar me shkarkime dhe përfundime për shkak të dorëheqjeve nga të vlerësuarit apo plotësimit të moshës së pensionit”, – thotë BE për INA MEDIA-n, duke e konsideruar procesin të suksesshëm. Por, megjithatë BE nuk jep asnjë përgjigje për anashkalimin e rregullave dhe mangësitë që kanë hapur korridore për kalimin e këtyre gjyqtarëve apo prokurorëve si avokatë.

Janë rreth 60 raste, që duke përfituar nga ligji, i kanë dalë përpara “së keqes”, duke marrë licencën e avokatit dhe janë regjistruar me NIPT, pak para se të kalonin në sitën e vetting-ut.

 

Cilët janë disa nga zyrtarët e shkarkuar, që tashmë i janë futur avokatisë?

Shkarkimi i Rovena Gashit, prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ka qenë një ndër betejat më mediatike. Gashi nuk pranoi të mbetej përgjithmonë jashtë sistemit të drejtësisë. Së bashku me bashkëshortin e saj, Dritan Gina, atë kohë ish-kryeprokuror në Elbasan, lëshuan akuza të forta se procesi ndaj tyre ishte një hakmarrje politike.

Megjithatë, KPA vulosi shkarkimin e saj nga detyra në maj 2019, pasi nuk justifikonte një pasuri me vlerë 900 mijë euro, nuk kishte burime të ligjshme, si dhe kishte bërë deklarim të pasaktë. Tre muaj më pas, në korrik 2019, Rovena Gashi u regjistrua pranë Qendrës Kombëtarë të Biznesit si person fizik që ofron konsulencë ligjore dhe avokatie.

Njësoj si Rovena Gashi, edhe shumë emra të njohur të drejtësisë shqiptare, të cilët janë përjashtuar për së paku një periudhë 15-vjeçare, tashmë futen në sallën e gjyqit si avokatë. Figurojnë me zyra avokatie: Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku – shkarkuar me vendim të KPK të datës 27.07.2018, dhe me NIPT të deklaruar pranë QKB të datës 02.05.2019; Arben Nela – shkarkuar me vendim të KPK të datës 23.07.2018, dhe me NIPT të deklaruar pranë QKB të datës 07.05.2019; Dritan Rreshka – shkarkuar me vendim të KPK të datës 31.07.2018, dhe me NIPT të deklaruar pranë QKB të datës 04.03.2020; Ramadan Troci – shkarkuar me vendim të KPK të datës 15.11.2018, dhe me NIPT të deklaruar pranë QKB të datës 16.01.2020; dhe Entela Prifti – shkarkuar me vendim të KPK të datës 10.10.2018, dhe me NIPT të deklaruar pranë QKB të datës 20.01.2020.

Ish-prokurorë e gjyqtarë që kanë hapur studio avokatie

Ish-gjyqtari i Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni, dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në korrik të vitit 2020, ditën kur Komisioni i Vetting-ut vendosi që të përfundonte hetimet për pasurinë e tij, duke i kaluar barrën e provës. Më 30 shtator 2020, KPK vendosi ndërprerjen e procesit të vetting-ut për Gjin Gjonin dhe përjashtimin e tij për 15 vjet nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.

Më 19 tetor 2020, Gjin Gjoni ka themeluar shoqërinë G&G LAW FIRM, me objekt fushën e avokatisë.

Petrit Fusha, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, u dorëhoq në mënyrë të papritur nga detyra, në mars 2019. Vetëm dy muaj më pas, në maj 2019, ai regjistroi pranë QKB-së firmën e tij të avokatisë, FUSHA & PARTNERS LAW FIRM.

Antoneta Sevdari, pavarësisht se kaloi shkallën e parë të vetting-ut dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkua nga detyra në shkurt 2019. Vendimi u mor pas përballjes së saj me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rihapjen e hetimit për të. Shkak ishte pikëpyetja mbi pasurinë e të shoqit. Një vit më vonë, në shkurt të vitit 2020, Sevdari regjistroi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit studion e saj të avokatisë.

Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë, u shkarkua në korrik 2018 për kriterin e mos-justifikimit të pasurisë. Emri i tij figuron edhe në “listën e zezë” të ShBA-ve, të cilat ia kanë refuzuar vizën si të padëshiruar në vendin e lirisë.

Aktualisht, nëse i referohemi Regjistrit Kombëtar të Biznesit, ish-gjykatësi Artan Broci ka hapur studion e tij të avokatisë në mesin e vitit 2019.

Arben Zefi, kryegjyqtar i Shkodrës, u shkarkua në janar 2019, pasi u konstatua se kishte probleme me dy kritere: deklarimin e pasurisë dhe dyshime për korrupsion, si dhe kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar. Edhe Arben Zefi ka kaluar në anën e avokatëve, pasi në mesin e vitit 2020 aktivizoi licencën e tij në QKB, që ka si objekt mbrojtjen dhe këshillimin e personave në konflikt me ligjin.

Bashkim Dedja, kreu i Gjykatës Kushtetuese, u rrëzua për shkak të kriterit të pasurisë në fund të dhjetorit 2018. Ai kishte probleme në justifikimin e pasurisë për tri asete, por megjithatë i hyri avokatisë vetëm pak ditë më pas, duke u regjistruar në QKB më 11 janar 2019 si avokat.

Artur Selmani, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, u shkarkua, sepse u gjet me probleme me tri kritere. Selmani u konsiderua i papërshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ndaj tij ka pasur ankesa nga familjarët e viktimave në Çole të Vlorës, ngjarje e ndodhur në vitin 1997, ku ai akuzohet se ka lehtësuar akuzën për të pandehurit. Që nga fundi i nëntorit 2019 edhe Selmani i është bashkuar togës së avokatëve.

Prokurori Adriatik Cama u shkarkua në korrik 2018, pasi u gjet me probleme në tri kritere. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se Cama nuk e justifikon pasurinë, është i korruptuar dhe vihet në presion nga struktura kriminale, pra është i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Pavarësisht kësaj mase nga vetting-u, ashtu si kolegët e tij, edhe Adriatik Cama po përdor licencën e avokatit që nga marsi i vitit 2019.

Ahmet Jangulli, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkodrës, është shkarkuar si i paaftë profesionalisht, por edhe për fshehje pasurie dhe marrje ryshfeti. Pavarësisht se vetting-u e nxori përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë në nëntor 2018, ai do të jetë pjesë e kastës së avokatëve, pasi aktivizoi licencën e avokatit në korrik 2019.

Por, si e marrin licencën e avokatit?

Investigative Network Albania krahasoi kohën kur këta prokurorë e gjyqtarë kanë aktivizuar NIPT-et pranë QKB-së. Rezulton se një pjesë e konsiderueshme i kanë aktivizuar këto licenca, pasi janë shkarkuar nga vetting-u, por është e paqartë koha, kur e kanë marrë licencën.

Ndryshe nga sa përcakton ligji, që lista e avokatëve, së bashku me numrin e licencës dhe kohën kur e kanë marrë, duhet të jetë publike, Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur ta heqë këtë listë, që ka qenë online, tre vite më parë.

Mes avokatëve ka syresh që hedhin hije dyshimi se “zhdukja” e kësaj liste është bërë për të mbuluar pikërisht kohën kur këta gjyqtarë e prokurorë kanë marrë licencën.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë sqaron për INA MEDIA-n se e vetmja masë ndaluese, e parashikuar për këtë kategori, është që “ligji ndalon të pajisen me licencë për ushtrimin e këtij profesioni, ish-gjyqtarë e prokurorë, në rastin kur ata janë shkarkuar, jo vetëm me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”.

Përjashtuar rastet kur japin dorëheqjen, të tjerët veprojnë, pasi KPK shpall vendimin e shkarkimit. Ky është momenti, kur i drejtohen Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke bërë ankimim. Gjatë kësaj periudhe ata janë të pezulluar dhe nuk ushtrojnë dot aktivitet si gjyqtarë apo prokurorë. Ky lloj vendimi për “pezullim” iu jep atyre të drejtën që të aplikojnë për të marrë licencën e avokatisë, para se të vendosë KPA, pasi, nëse kjo e fundit lë në fuqi vendimin e shkarkimit, atyre iu hiqet e drejta që të pajisen me licencë.

Referuar Ligjit të Avokatisë, prokurorët dhe gjyqtarët, që kanë eksperiencë pune mbi 5 vjet në ushtrimin e profesionit, nuk kanë nevojë as të ndjekin shkollën e Avokatisë.

Juristi Jordan Daci mendon se me ligj ata duhet të kufizoheshin për një periudhë të paktën 5-vjeçare, për të mos e ushtruar profesionin.

“Nëse një person shkarkohet për probleme me pasurinë, a është normale që të mos hetohet dhe të mos kemi një përgjigje për qytetarët nga sistemi i drejtësisë, nëse kemi një pasuri të paligjshme ose jo? Unë mendoj se po”, – thotë Daci.

Të shkarkuar për tri kritere: Mos-justifikim pasurie, paaftësi profesionale dhe lidhje të dyshimta, a duhet të punojnë prokurorët dhe gjyqtarët në avokati?

Ekspertë dhe njohës të kësaj fushe pranojnë se, ndonëse ligjërisht nuk ua mohon të drejtën për të ushtruar një profesion, ka një lloj konflikti. Madje, ka nga ata që shkojnë edhe më tej, kur thonë se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar, duke iu bashkuar avokatisë, po i transferojnë aty edhe problemet e tyre, sa kohë që, sipas tyre, 90% e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar kanë marrë licencën e avokatit.

“Një pjesë e tyre janë ndikues edhe sot që flasim, pasi, tek e fundit, ata që gjykojnë çështje, kanë qenë deri dje në trupa gjykues ose nën varësi të tyre, në varësi të pozicioneve që kanë mbajtur në drejtësi”, – flet hapur për konfliktin e interesit avokati Jordan Daci.

Të ndarë mes së drejtës që iu jep ligji dhe kufijve moralë, ka të tjerë që janë drastikë, që kjo kategori duhet të ndalohet të kalojë në anën tjetër të sallës së gjyqit.

“Në mënyrë që sistemi i vetting-ut të jetë realisht efektiv, nuk duhet që këta individë të punësohen në këto poste, pasi sistemi dhe vetë qëllimi i vetting-ut nuk mund të jetë kapërcimi nga një karrige, si ajo e gjyqtarit, tek ajo e avokatit, juristit, etj., por duhet të shërbejë si një sistem ndëshkimi për të gjithë kolapsin që këta individë i kanë shkaktuar drejtësisë dhe pasojat që kanë prodhuar ndër vite”, – përforcon avokati Ndue Pjetra.

Duke iu referuar disa prej vendimeve të KPK-së, krejt ndryshe mendon Dorian Matlija, i cili aludon se disa prej tyre mund të jenë shkarkuar vetëm për mos-justifikimin e një garazhi.

“Puna si avokat nuk ka pse t’iu ndalohet, se në fund të fundit ata janë profesionistë. Aq më tepër që kriteri që është përdorur më shumë për përjashtimin e tyre ka qenë kriteri i pasurisë dhe jo ai i profesionalizmit”, – argumenton avokati Matlija për INA MEDIA-n.

Dorian Matlija, avokat

Të shkarkuarit e vetting-ut, pjesë e drejtësisë?

Në vitin 2018, Henrik Ligori u emërua pedagog në Magjistraturë. Nga viti 2004 deri në vitin 2018 Ligori ishte prokuror, por nuk mundi ta kalonte vetting-un, duke u përjashtuar nga sistemi. Aktualisht Ligori është kthyer në drejtësi edhe si avokat, përveçse vazhdon të jetë pedagog pranë shkollës së Magjistraturës, që përgatit prokurorët dhe gjyqtarët e ardhshëm.

Ekspertët e shohin të paplotë vetting-un në drejtësi, nëse nuk ka vendimmarrje, sa i takon pasurisë së gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar.

“Shumë kandidatë, që i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit në momentin e shkarkimit, janë larguar të lumtur nga salla; kjo për faktin se xhepat e tyre janë mbushur tashmë me qindra-mijëra euro, apartamente, garazhe, të cilat do vazhdojnë t’i gëzojnë edhe pas shkarkimit”, – akuzon drejtpërdrejt Pjetra.

Në ndryshim nga kritikat e ekspertëve, vetë organet e vetting-ut thonë se e kanë përmbushur misionin për pastrimin e sistemit të drejtësisë.

“KPK ka rivlerësuar dhe është shprehur me vendim për subjektet e rivlerësimit, nuk ka më kompetencë të monitorojë veprimtarinë e tyre”, – sqaron për Investigative Network Albania Sekretari i Përgjithshëm i KPK-së, Edmond Verca.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë nuk preferoi t`i përgjigjej një kërkese për informacion nga INA MEDIA, nëse duhet që ish-funksionarë të korruptuar të qëndrojnë në sistemin e drejtësisë, në këtë rast në rolin e avokatit.

Profesionalizmi i gjyqtarëve, si zgjidhet?

Kriteri i pasurisë është kriteri dominues, që ka çuar në shkarkimin e shumë subjekteve. Shpesh herë ky proces është vlerësuar si radikal, ndërsa nga ana tjetër ekziston risku që në sistem të mbeten gjyqtarë dhe prokurorë me aftësi profesionale, mesatare. 5 vite pas nisjes së këtij procesi delikat, që do të pastronte Pallatin e Drejtësisë, ekspertët e shohin me shqetësim faktin se vetting-u, sipas tyre, nuk ka mundur t`i japë zgjidhje mungesës së profesionalizmit të gjyqtarëve dhe ndikimit politik.

“Nëse gjyqtari nuk është një profesionist i mirë, ai afekton të gjitha vendimet e veta, jo vetëm ato ku merr lekë. Pra, profesionalizmi është një problem shumë i madh dhe këtë nuk e ka zgjidhur vetting-u dhe tjetra është pavarësia që ka gjyqtari nga forca të tjera të pushtetit, nga politika. Për mendimin tim, jo vetëm që nuk e ka zgjidhur, por edhe mund ta ketë shtuar trysninë e politikës mbi gjyqtarët”, – argumenton avokati Dorian Matlija.

Avokati Matlija mendon se vendimet e dyshimta shtojnë më shumë mjegullnajën rreth këtij procesi. Ai pohon se në rrethin e kolegëve flitet për korrupsion nga ana e anëtarëve të KPK, por ende nuk ka prova.

“Herë pas here ne shikojmë standard të dyfishtë në vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Pra, për të njëjtën situatë ka dy vendime të ndryshme, çka do të thotë se lindin dyshime se mund të ketë shkëmbime favoresh ose shkëmbime parash. Plus ka edhe njerëz që herë pas here e thonë diçka të tillë. Pra, më është kërkuar aq dhe më është kërkuar kaq”, – tregon ai.

Ervin Metalla është një ish-gjykatës i shkarkuar nga vetting-u, me argumentin se kishte kryer transaksione fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë. Sot ai është avokat.

Ai e konsideron vendimin e KPK-së ndaj tij si arbitrar dhe që e rëndoi pozitën e tij, duke i shtuar shkarkimit edhe humbjen e besimit të publikut te drejtësia.

“Nuk isha hetuar fare për kriterin e figurës dhe profesionalizmit. Nëse kjo do të kishte ndodhur, do të kishte rezultuar krejt e kundërta, që unë kisha kontribut të shtuar për sistemin, përtej punës si gjyqtar. Konkretisht, unë isha angazhuar prej 15 vjetësh si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë në UT dhe si ekspert në programin e trajnimit vazhdues për gjyqtarë e prokurorë në Shkollën e Magjistraturës”, – thotë Metalla për INA MEDIA-n.

Ervin Metalla, ish-gjyqtar i shkarkuar nga vetting-u

Për gjyqtarin e shkarkuar, Ervin Metalla, sot avokat, njerëzit, që po kryejnë vetting-un, janë zgjedhur në kundërshtim flagrant me ligjin, në mos-përmbushje thelbësore të kushteve dhe kritereve përkatëse

“Bashkë me Antoneta Sevdarin dhe Elsion Sadikun, krahas kolegut Besnik Cani, ne kallëzuam penalisht gjyqtarin e KPA-së, Luan Dacin, jo se nuk plotësonte kriteret ligjore për t’u zgjedhur në KPA, pasi kjo në vetvete nuk përbën vepër penale, por për faktin se, për t’u dukur se i kishte plotësuar këto kritere, ai kishte kryer falsifikim. Po kështu, kemi kallëzuar penalisht edhe gjyqtarin Ardian Hajdari, hetimi për të cilin vazhdon. Në kundërshtim me ligjin është zgjedhur edhe Natasha Mulaj dhe Rezarta Shyta”, – thotë Metalla.

Procesi i vetting-ut po rrezikohet edhe nga goditjet penale të anëtarëve të Shkallës së Parë dhe gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ardian Hajdari u mor i pandehur nga SPAK për fshehje të ardhurash dhe deklarim të rremë pasurie. Më parë gjyqtari Luan Daci u pezullua dhe më pas u shkarkua, pasi u deklarua fajtor me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetting-un. Anëtaret e KPK, Brunilda Bekteshi, Alma Faskaj, janë denoncuar në SPAK për fshehje pasurie, për falsifikimin e dokumenteve.

“Nuk kam falsifikuar asnjë dokument zyrtar apo formular zyrtar, të paraqitur përpara Avokatit të Popullit dhe Kuvendit të Shqipërisë. I gjithë dokumentacioni i paraqitur dhe i dorëzuar prej meje ka qenë dhe është i rregullt, zyrtar, i vlefshëm dhe i pa-kontestuar nga këto organe, si dhe nga 6 komisione të procedurës”, – tha Luan Daci publikisht pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta dënuar atë me gjashtë muaj burg për falsifikim dokumentesh.

INA MEDIA pyeti edhe anëtaren e KPA-së, gjyqtaren Natasha Mulaj, por nuk mori përgjigje për akuzat e ngritura publikisht ndaj saj. Rezarta Shyta, gjithashtu e KPA-së, ka injoruar akuzat në publik.

“Disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e integritetit e ndershmërisë publike kanë cenuar vlerat e këtij procesi” – deklaroi gjatë muajit shkurt në parlament deputeti socialist, Fatmir Xhafa.

Por, vetë institucionet i hedhin poshtë akuzat dhe deklarojnë se kanë ndjekur kriteret e përcaktuara në ligj.

“Anëtarët e KPK-së janë përzgjedhur sipas Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016 nga Kuvendi i Shqipërisë, pas një procesi verifikimi dhe kontrolli nga disa institucione dhe me mbikëqyrjen e ONM-së. Nëse ngrihen akuza, ato hetohen dhe shqyrtohen nga organet e posaçme të hetimit, të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji”, – thotë për INA MEDIA-n Sekretari i Përgjithshëm i KPK, Edmond Verca

“Mendoj se ONM, ekspertët, së bashku me institucionet shqiptare duhet të shohin faktet, të shohin të dhënat, të shohin çështjet, të shohin argumentet dhe racionalen pas vendimeve dhe të nxjerrin disa përfundime. Nuk mendoj se është e dobishme me doemos të dëgjosh debatin partiak, sepse, siç jua thashë, mendoj se ka njerëz që kërkojnë mënyra për ta ndaluar zbatimin e reformës në drejtësi. Mendoj se shumë njerëz ndihen shumë rehat dhe mendoj që do donin ta kthenin kohën pas, që të jetë, siç ka qenë, ku ka pandëshkueshmëri, nuk ka llogaridhënie. Merr ryshfet, s’të ndodh gjë. Nënshkruan kontrata, s’të ndodh gjë. Jep prokurime te miqtë, s’të ndodh gjë. Kjo do të ndryshojë së shpejti. Po ndryshon”, – ka thënë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në intervistën për Euronews.

Komisionerët e vetting-ut, në provë

Blerona Hasa, gjyqtare e Apelit në Gjykatën Administrative, e ka kaluar me sukses vetting-un. Ajo mendon se vetting-u nuk po i kuron dot “hallet” e sistemit të drejtësisë.

“Procesi i vetting-ut më shumë se për gjyqtarët dhe prokurorët, është një provë për komisionerët, në varësi të faktit të ndryshimit ose jo të cilësisë së drejtësisë në përfundim të këtij procesi’, – thotë për INA MEDIA-n gjyqtarja Blerona Hasa.

Sipas gjyqtares Blerona Hasa, procesi i vetting-ut do të duhej të kishte si qëllim parësor identifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shantazhueshëm, të cilët kanë marrë vendime të diskutueshme, marrjen në analizë nën këtë frymë të vendimmarrjeve të tyre dhe ndëshkimin nëpërmjet nxjerrjes jashtë sistemit, pikërisht për shkak të këtyre vendimmarrjeve.

“Procesi i vetting-ut vetëm me këtë element nuk u mor, duke pasur në fokus vetëm pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët u ndëshkuan për mosdeklarim të saktë apo fshehje të saj. Tashmë, të gjithë ata që synojnë të bëhen pjesë e këtij sistemi, diktuar nga mesazhi që ka përcjellë deri tani procesi, kanë si synim “rregullimin e letrave”, si i vetmi shkak penalizues gjatë punës së tyre, pa u shqetësuar për vendimet që do t`iu duhet të marrin në të ardhmen”, – thotë gjyqtarja Hasa.

Në Këshillin e Legjislacionit fundvitin e kaluar, kur po diskutohej për zgjatjen e afatit të vetting-ut, deputeti socialist, Fatmir Xhafa, kërkoi verifikim të komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Vetting-un.

“Ka raste, kur vihet në diskutim paanshmëria e disa vendimmarrjeve të KPK-sëTa diskutojmë këtë dhe ONM duhet të na thotë, se ky ka qenë roli i përfshirjes së saj në këtë proces. Është edhe garantimi i integritetit të komisionerëve”, – kërkoi Xhafa.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë për Investigative Network Albania-n se i ka kryer detyrat, duke dhënë rekomandimet përkatëse.

“ONM do ta “mbështesë procesin e rivlerësimit, duke monitoruar dhe duke mbikëqyrur të gjithë procesin e rivlerësimit”. Deri më tani, IMO ka lëshuar 22 rekomandime për apelim dhe katër mendime të kundërta, nga të cilat një në Apel.” – deklaroi për INA MEDIA-n delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Me 118 vota pro, asnjë kundër Kuvendi miratoi më 10 shkurt ndryshimin e Kushtetutës, që parashikon zgjatjen me 36 muaj të afatit për funksionimin e organeve të vetting-ut të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë. Pro zgjatjes së afateve të organeve të vetting-ut u shpreh Komisioni i Venecias, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë të thirrur nga Kuvendi. Nga analiza e bërë në Këshillin Legjislativ nga viti 2018 deri në fund të vitit 2021 organet e vetting-ut kanë arritur të rivlerësojnë një pjesë të madhe të dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por akoma mbetet në proces ose pa nisur 1/3 e tyre./ ina.media

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 29/05/2022 02:09

    Vetingu ka vrima ne te dhe hapesira per interpretim te ndryshem,po nga hic fare.c'ka dhe ky,kur mendon si e rruan dhe e qethen ne kuvend kur e diskutuan dhe ne fund e miratuan,dihet se si dhe pse.

    Përgjigju
  • Erl: 28/05/2022 18:39

    Të gjithë janë për ndjekje penale ndryshe Reforma në Drejtësi s'ka pikë vlere! Këra njerëz kanë marrë në qafë jetë njerëzish, kanë deformuar sistemin deri në kolaps të tij dhe të gjithë duhet të ndëshkohen. Pa ndëshkimin ligjor të tyre Reforma është e dështuar.

    Përgjigju
  • Qori: 28/05/2022 17:34

    Po cfare drejtesie eshte keta jane pa shkolle e mbaruan ne kohen e saliut qe nuk dine te lexojne qe kan mare gjithe shqipetaret me qaf dhe dalin avukat kjo eshte nuk ka fjale turp per ata qe i verifikojne po tja u mari shteti sic ja u mere atyre me kanabis atyre qe i quan kriminel keta jane me kriminela turp turp

    Përgjigju
  • Alb: 28/05/2022 12:27

    Pushkatimin pak e kajn. Keta kriminela na shkatrrun te ardhmen ton ne shqipnin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën