Familjarë, miq e bashkëpunëtorë u përkulën me nder e respekt përpara trupit të ja pejetë të Servet Pëllumbit! Qindra qytetarët bënë homazhe për ish-kryetarin e parlamentit dhe një ndër kontributorët kryesorë të Partisë Socialiste, njeriun që arriti ta mbajë të bashkuar këtë forcë politike në vitet me të vështira, kur kryetari Fatos Nano ishte në burg.

Pëllumbi ishte nga politikanët e rrallë që dallonte për qetësinë dhe maturinë e tij. Gjë që e dëshmon dhe fakti që në nderimet për figurën e tij, u bashkuan të majtë be të djathtë.

I biri i tij, ish-deputeti socialist Arben Pëllumbi vuri në dukje se i ati i kishte mësuar si të jetonin me dinjitet!

“Babai ynë nuk ishte thjesht prind, ishte njeri i rrallë. Ai na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe dashuri për familjen. Na mësoi të qëndrojmë të fortë, të mos ulim kokën dhe të ruajmë dinjitetin”, tha Arben Pëllumbi.

Kryesocialisti Edi Rama tha se e ka njohur pak Profesor Servet Pëllumbin, por lidhja e tij me të ishte tipike e një antipatie reciproke, që u shndërrua më pas në një simpati reciproke. Rama tha se pavarësisht ndryshimeve që kishin mes tyre, me kohën pati një simpati e afrimitet të ndërsjellë, ndërsa e cilësosi pikë referimi për ndryshimin e epokave.

“Ajo që është më e rëndëisshme është kujtimi që ai lë mbrapa. Besoj që me zë ose pa zë, gjithkush që e ka njohur do ta kujtojë si burrë të mirë, të ndershëm, të mençur dhe mbi të gjitha, si burrë babaxhan”, tha Rama.

Edhe opozitarë, kundërshtarë e ata që nuk i ka pasur në krah në betejat politikë vlerësuan Servet Pëllumbin.

“Ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS në veçanti. Një njeri reformator”, tha Bamir Topi.

“Njeri i drejtë, i urtë i mençur, i cili si kryetar Kuvendi i dha dinjitet kuvendit”, tha Fatmir Mediu.

 “Servet Pëllumbi, ishte i fundit i të moderuarve, i të urtëve në nivel lideri politik në Shqipëri”, u shpreh Preç Zogaj.

Humbje të madhe për vendin e quajtën bashkëpunëtorët e tij të cilët i dhanë lamtumirën e fundit.

"Ai komunikonte me kohën përmes problemeve që shqetësonin shoqërinë, mendonte se qeverisja dhe politika e mirë fillon tek pragu i derës së çdo qytetari”, theksoi Namik Dokle.

“Është rrugëtimi i fundit sot i profesor Servet Pëllumbit. Jo më kot fotoja që qarkullonte dje ishte nga ky shesh dhe e meritonte të përcillej nga ky shesh”, tha Erion Braçe.

“Mund të them që në politikën shqiptare nuk gjendet një i dytë as në të majtën, as në të djathtën që të ketë analizuar sfidat që ka vendi dhe të jetë inspirues për atë që duhet bërë më mirë”, theksoi Arben Malaj.

“I doli për zot PS në një kohë shumë të vështirë”, tha Spiropali.

Me muzikë funebre në sfond dhe me trëndafila të bardhë, Sevet Pëllumbi u përcoll për në banesën e Fundit, në varrezat e Sharrës aty ku trupi i tij do të prehet përgjithmonë!

Pëllumbi u shua pak javë para ditëlindjes së 35-të të PS, partisë së cilës i dha një kontribut të çmuar që në fillimet e saj.  Ai njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare. Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetar i Parlamentit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
'Atë përqafim nuk do ta harroj kurrë'- Namik Dokle rrëfen momentin prekës me Servet Pëllumbin

 

Në një atmosferë solemne, senatori socialist Namik Dokle mbajti sot fjalën e lamtumirës për mikun e tij të hershëm, Servet Pëllumbi, duke kujtuar rolin e tij në politikën shqiptare dhe dimensionin njerëzor që e shoqëroi gjithë jetën.

Me zërin që shpesh i dridhej nga emocionet, ish-kryetari i Kuvendit, foli për vitet e vështira të tranzicionit, për betejat politike dhe për figurën e Pëllumbit, të cilin e cilësoi si “profesorin” e socialistëve dhe një nga njerëzit më të urtë të politikës shqiptare.

"Thonë që jeta nuk është ajo që dikush jeton por ajo që lë pas vetes për tu kujtuar dhe treguar. Profesor Sërvet Pëllumbi ishte ndër të parët politikanë të tranzicionit shqiptar e ndoshta të paktët që kuptoi se ardhmja nuk ishte më ajo që ishte dhe ju përkushtua si mendimtar dhe udhëheqës politik, si veprimtar dhe organizator për ndërtimin e një demokracie reale, vepruese dhe të pa deformuar nga ambiciet e errëta, mllefi dhe bajraktarizmi, makutëria dhe mashtrimi. Thelbi i ndryshimit në konceptin e tij ishte ndërtimi i një shoqërie që funksionon, një Shqipërie normale" tha Dokle në reflektimin e tij. 

Dokle tha që Servet Pëllumbi ishte një politikan që nuk rrinte i shkëputur nga realiteti, por merrej me problemet reale të njerëzve dhe besonte se politika duhet të nisë nga hallet e qytetarëve të zakonshëm dhe udhëhiqe nga idea e Anjshtajnit se për të zgjidhur problemet e një shoqërie, në fillim duhet ndryshuar mentaliteti. 

"Ai komunikonte me kohën përmes problemeve që shqetësonin shoqërinë, mendonte se qeverisja dhe politika e mirë fillon tek pragu i derës së çdo qytetari. Ai kërkonte që çdo shqiptari të mos i bëhej pyetja ‘nga vjen’ por ‘ku dëshiron të shkosh’, duke gjetur kështu të gjithë së bashku rrugën drejt Europës së re dhe të bashkuar. Nëse nuk kemi një vizion të qartë europian nuk është e mundur të ndërtojmë një projekt kompleks. Ai udhëhiqej nga idea e Ajnshtajnit se për të zgjidhur problemet e një shoqërie, më parë duhet të ndryshojmë mentalitetin që ka pjellur ato probleme” tha Dokle

Dokle nuk la pa kritikuar edhe realitetin shqiptar të politikës, duke thënë se intelektualët nuk kanë më ndikimin që duhet në shoqëri dhe janë zëvendësuar nga figura mediatike apo njerëz të spektaklit. Sipas Dokles, Pëllumbi luftoi kundër kësaj dhe donte që politika të nxirrte njerëz të aftë dhe me vlera.

“Edhe në vendin tonë, për fat të keq, intelektualët nuk janë liderë të opinionit publik. Ndikimi shoqëror nuk është më domain i tyre por është zëvendësuar nga komunikuesit radio televizivë, ashtu siç kantautorët zëvendësuan poetët e vërtetë. Sërvet Pëllumbi bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të kundërtën. Ai luftoi që politika të gjenerojë kapitalin njerëzor që shoqëria të zhvillohet dhe të adaptohet me ndryshimet e shpejta. Atë e shqetësonte shumë ajo lloj politike që transformohet në artin e mprehtë të marrjes së votave nga të varfrëit dhe të parave nga të pasurit, ndërkohë që u premton të dyja palëve se do t’i mbrojë nga njëra tjetra. I gjithë mendimi i tij filozofik përmblidhej në këtë fjali: nuk jetojmë një epokë ndryshimesh por jetojmë ndryshim epokash. Prandaj duhet të jemi në lartësinë e këtyre ndryshimeve" tha Dokle 

Në fund të fjalimit, Dokle ndau edhe momentin e dhimbshëm të humbjes së nënës dhe pranisë pa kushte të Sërvetit që tregon shumë për marrëdhënien që dy socialistët kishin së bashku. 

"Ndërsa flas sot në lamtumirën e njeriut me të cilin pata një miqësi të pakushtëzuar, të sinqertë e të ndershme, kujtoj një lamtumirë tjetër plot 30 vjet më parë. Po kthehesha nga një udhëtim jashtë shtetit me merakun se kisha lënë nënën të sëmurë dhe në aeroport më priti profesor Sërveti. “Dola për ty” më tha. “Ah, më paska lënë nëna” i thashë. Atë përqafim të tij nuk mund ta harroj kurrë. Ashtu si mijëra njerëz në të gjithë Shqipërinë, nuk do ta harrojnë kurrë dimensionin njerëzor të profesor Sërvetit. Ai ishte mik i popullit. Çdo ditë i takonte njerëzit, të njohur e të panjohur, intelektualë dhe artistë, punëtorë dhe të papunë, studentë dhe fshatarë , socialistë dhe jo socialistë. Dëgjonte pyetjet dhe u përgjigjej të gjithëve. Dëgjonte hallet dhe përpiqej t’i zgjidhte. Ishte politikan, filozof, mendimtar por mbi të gjitha ishte njeri, që mbetet përgjithmonë në përjetimet e njerëzve. Lamtumirë i dashur profesor!" përfundoi Dokle. 

Ora 12:55
Homazhet për Servet Pëllumbin/ Rama: Do të mbetet gjithnjë pikë referimi! Do ta kujtojmë si burrë të ndershëm, të mençur e babaxhan

 

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalë e tij në homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi që u nda nga jeta një ditë më parë. Duke e quajtur ‘profesorin e PS’, Rama tha se Servet Pëllumbi do të mbetet gjithnjë pikë referimi në historinë e ndryshimit të epokave.

“Unë profesorin e kam njohur pak dhe nga larg. Për hir të së vërtetës dua të kujtoj këtu se marrëdhënie ime me të është një marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj një simpatia reciproke në afërsi. Për vite qëkurse e kam parë të shfaqet në sytë e mi, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja, konservator, marksist-leninist, e të gjitha ato që  e shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe etiketimet që i bëheshin. Ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë këtij rrugëtimi përballja me realitetin e njeriut përtej etiketimeve dhe kronizimit të tij në sferën publike dhe për surprizën time kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe një njeri solidar me mua në momente të vështira i cili befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur duke më çuar fjalë inkurajuese dhe duke më ndihmuar të shoh se përtej momentit të vështirë dhe përtej atyre që dukeshin kishte një kategori njerëzish të cilët e ndiqnin dhe e vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi dhe me vërtetësi.

Kur më shkruajti Beni që profesori kishte ndërruar jetë më erdhi si e papritur se nuk e di pse isha mësuar me idenë që profesori ecte çdo ditë dhe më dukej si diçka e paravendosur që ai do ectë gjithmonë. Në ato pak raste kur e kam takuar e gjeja gjithmonë në formë dhe gjithmonë të dëshiruar për të folur për ato tema që ai i kishte përzemër.

Kur një njeri largohet shumëçka lidhet me të afrohet, por besoj se edhe kur ky afrim i gjërave si rezultat i momentit të tretet në kohë, profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë  e ndryshimeve dhe ndryshimit të epokave, e padyshim një pikë referimi për të gjithë ata që do të duan një ditë të kuptojnë dinamikat dhe historinë e vetë PS. Ajo që është më e rëndëisshme është kujtimi që ai lë mbrapa. Besoj që me zë ose pa zë, gjithkush që e ka njohur do ta kujtojë si burrë të mirë, të ndershëm, të mençur dhe mbi të gjitha, si burrë babaxhan. Uroj ta kujtojnë gjithmonë jo vetëm djemtë, por edhe mbesat, nipërit dhe gjithë të afërmit e tjerë duke shprehur me dhimbje edhe urimin që të prehet i qetë në paqe siç e ka merituar me jetën dhe kujtimin që lë mbrapa”, tha Rama.

Ora 12:42
‘Njeri i rrallë, na mësoi të ruajmë dinjitetin’, përlotet djali i Servet Pëllumbit: Jam krenar, na ka lënë dritë të fortë! Do të jetojë gjithnjë te ne

 

Me zë të dridhur e sy të përlotur, djali i Servet Pëllumbit i dha lamtumirën babait të tij duke thënë se nuk humbi vetëm prindin, por edhe një shtyllë të jetës. Arben Pëllumbi renditi mësimet që babai i ndjerë i ka lënë atij dhe familjes, ndërsa shprehu krenarinë për lidhjen midis tyre. Ai shtoi se largimi është boshllëk  madh, por edhe dritë.

“Është e vështirë të gjesh fjalët kur humbet një baba, një shtyllë të jetës tënde, një figurë që të ka udhëhequr. Babai ynë nuk ishte thjesht prind, ishte njeri i rrallë. Ai na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe dashuri për familjen. Na mësoi të qëndrojmë të fortë, të mos ulim kokën dhe të ruajmë dinjitetin. Fjala e tij, prania, këshillat do të na shoqërojnë përgjithmonë. Sot jam krenar që jam djali i tij, për familjen që na la dhe vlerat. Ai do të jetojë gjithmonë te ne. Largimi i tij ka lënë një boshllëk të madh, por edhe një dritë të fortë, shembullin e jetës së tij. Lamtumirë profesor! Faleminderit për gjithçka na dhe, do të jesh gjithmonë mes nesh! U prehsh në paqe!”, tha Arben Pëllumbi.

Ora 12:34
Homazhet, Rama i jep lamtumirën Servet Pëllumbit

 

Kryeministri Rama ka marrë pjesë në homazhet e lamtumirës për Servet Pëllumbin, të cilat po mbahen në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Rama u përkul lehtë para arkivolit ku u vendos kurora me lule të bardha dhe më pas përshëndeti të afërmit e ish-kryetarit të ndjerë.

Ora 12:28
Presidenti Begaj në ceremoninë e lamtumirës për Servet Pëllumbin

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbërriti këtë të mërkurë në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit për të bërë homazhe në nder të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

I njohur si një nga figurat historike të së majtës shqiptare, Servet Pëllumbi mbajti postin e kryetarit të Kuvendit nga viti 2002 deri në vitin 2005 dhe konsiderohej si një prej zërave më të moderuar të politikës shqiptare.

Ora 12:26
Homazhet për Servet Pëllumbin, Spiropali: Një politikan që i doli për zot PS në një kohë të vështirë

 

Elisa Spiropali ka marrë pjesë në homazhet në nder të ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi.

“Servet Pëllumbi për PS është një politikan që i doli për zot në një kohë të vështirë. Tregoi mençuri dhe krijoi një ekuilibër në Kuvend. Ishte një ikonë, një burrë i urtë, i paharruar qoftë. Do ta kujtojmë gjithmonë”, tha Spiropali.

Ora 11:48
‘Rrugëtimi i fundit sot i Servet Pëllumbit’, Braçe me trishtim: 35 vite janë një jetë me njerëz që po ndahen me ne, është e vështirë

 

Me nota nostalgjie dhe keqardhje të madhe, Erion Braçe kujtoi kohën kur Servet Pëllumbi ishte profesori i tij dhe i socialistëve. Ai zbuloi edhe çfarë shkroi në librin e dedikuar për homazhet, ndërsa ndau edhe hidhërimin për humbjen e shumë personaliteteve.

“I ri isha kur drejtonte profesor Servet Pëllumbi. Shkrova faleminderit pafund që mua dhe të tjerë si unë na priti, na mësoi, na edukoi dhe na rriti, por na bindi që jo vetëm të qëndrojmë këtu, të mos dorëzohemi asnjëherë për ato që janë bindje, të drejta, ide të qarta dhe natyrisht, shërbimi publik ndaj qytetarëve. Po ikin shumë, nuk është e lehtë, është e vështirë se duket sikur humb një pjesë tjetër. 35 vite nuk janë pak, janë një jetë e ndërtuar me këta njerëz që kohë pas kohe po ndahen me ne. Është rrugëtimi i fundit sot i profesor Servet Pëllumbit. Jo më kot fotoja që qarkullonte dje ishte nga ky shesh dhe e meritonte të përcillej nga ky shesh”, tha Braçe.

Ora 11:43
Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, Malaj: Më ka frymëzuar në jetë, s’ka të dytë në politikë si ai! Ulqini: Ndër kryetarët më të mençur

 

Ish-ministri Arben Malaj është shprehur në homazhet për Servet Pëllumbin si një njeri që e ka frymëzuar në jetë. Ai e cilësoi unik në jetë dhe në politikë e një model që frymëzon.

“Më ka promovuar dhe inspiruar në jetë me gjithë dashamirësinë e tij. Profesor Serveti lë një trashëgimi të pasur, e para nga pikëpamja njerëzore që ishte një lider politik me integritet të plotë, e dyta për thellësinë e mendimit për të majtën progresiste. Mund të them që në politikën shqiptare nuk gjendet një i dytë as në të majtën, as në të djathtën që të ketë analizuar sfidat që ka vendi dhe të jetë inspirues për atë që duhet bërë më mirë. Gjithnjë e më tepër na duhen modele që inspirojnë të rinjtë, zbusin krizat edhe për kompromise! I paharruar kujtimi i profesor Servetit!”, tha Malaj.

Ish-deputeti Musa Ulqini e quajti një shembull të parlamentarizmit dhe një njeri të mençur.

“Ishte shembulli i parlamentarit. Në kujtesën time në vitet e gjata si deputet, do të mbetet një nga kryetarët më të mençur, më seriozë dhe në fund të jetës së tij ai la një gjurmë sepse publikoi gati 20 vepra duke mbetur një nga njerëzit më të mençur, një profesor i vërtetë”, u shpreh Ulqini.

Ora 11:36
Homazhet për Servet Pëllumbin, Mediu: Një njeri i mençur që i dha dinjitet Kuvendit të Shqipërisë

 

Deputeti i PD, Fatmir Mediu e cilësoi Servet Pëllumbin një njeri të drejtë që i dha dinjitet Kuvendit të Shqipërisë.

“Një njeri i drejtë dhe i mençur që i dha dinjitet Kuvendit të Shqipërisë. Kishte parime të vetat, ndryshe nga ato që kishim ne. Nuk mbaj mend ndonjë kryetar që të përcillte vetëm atë që ishte më e mira për vendin. Meriton respektin jo vetëm të deputëtve por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Mediu.

Ora 11:27
U shua në moshën 89-vjeçare, Braho për Servet Pëllumbin: Sot është një ditë zie për një burrë të madh që ndikoi në reformimin e Partisë Socialiste

 

Ish-deputeti socialist Spartak Braho ishte i pranishëm në homazhet që po mbahen për ish-kryertarin e Kuvendit Servet Pëllumbi.

“E kisha për detyrë të shkruaja një libër të veçantë për të. Sot është një ditë zie për një burrë të madh që ndikoi në reformimin e Partisë Socialiste”, tha Spartak Braho.

Ora 11:21
Homazhet për Servet Pëllumbin, ish-presidenti Topi: Një nga zërat më të ekuilibruar dhe një njeri reformator

 

Ish presidenti Bamir Topi ka marrë pjesë në homazhet në nder të ish kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi.

Për mediat, Topi u shpreh se Pëllumbi ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar të politikës. Topi e cilësoi Pëllumbin njeri reformator dhe shtoi se ka qenë një nga burrat më të mirë që ka pasur rastin të bashkëpunojë në politikë.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet për familjen. Jam njohur gjatë aktivitetit tim politik nga afër me profesor Pëllumbin. Vjen si një bindje e brendshme dhe konstante, ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS në veçanti. Një njeri reformator. Ka shumë për të folur, por unë do ta mbyll me këto fjalë, është një nga burrat më të mirë që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj në politik”, tha ai.

Ora 11:10
U shua në moshën 89-vjeçare, prefekti i Tiranës për Servet Pëllumbin: Politikan vizionar dhe me parime të forta! Është një busull për të rinjtë

 

Shkëlqim Hajdari, prefekt i Tiranës, gjatë homazheve për ish kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi tha se ai ishte një politikan vizionar dhe me parime të forta.

“Servet Pëllumbi mbetet filozof i së majtës europiane, i cili në dallgët që ka kaluar politika shqiptare qëndroi si një politikan vizionar dhe me parime të forta, ishte një intelektual. Sot ka shumë politikanë jo vetëm nga e majta, por edhe e djathta sepse shembulli i tij ishte që politika duhet t’i shërbejë qytetarëve dhe kombit. Është një busull për të gjithë politikanët e rinj. Lamtumirë profesor Servet Pëllumbi, do të mbetesh një thesar i madh”, tha Shkëlqim Hajdari.

Ora 10:43
Djali i Servet Pëllumbit: Për mua ishe udhërrëfyes! Largimi lë boshllëk të pazëvendësueshëm, por vepra do të jetojë përherë

Arben Pëllumbi ka bërë një postim të mbushur me hidhërim, por edhe mirënjohje për babain e tij, Servet Pëllumbin, i cili u nda nga jeta të martën. Ai shkruan në rrjetet sociale se për të ishte më shumë se një prind pasi e shihte si udhërrëfyes e mësues. Më tej, shprehet se largimi i ka lënë një boshllëk, por gjithçka ka mbetur pas prej tij do të jetojë përherë.

“Sot u nda nga jeta babai im, Servet Pëllumbi.

Profesori, siç e thërrisnin të gjithë, ishte një njeri që jetoi me dinjitet, mendim të thellë dhe dashuri të pakushtëzuar për familjen, dijen dhe Shqipërinë. Për mua ai ishte më shumë se një prind — ishte udhërrëfyes, mësues dhe forca ime morale.

Largimi i tij më lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, por vepra, fjala dhe shembulli i tij do të jetojnë përherë.

Mirënjohje pa fund që pata fatin ta kem baba.

U prehsh në paqe!”, shkruan Arben Pëllumbi.

Ora 10:15
Homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi, Zogaj: Me vdekjen e tij politika e shqiptare është më e varfër

 

Në homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj ka kujtuar figurën e tij me fjalë të ndjera, duke vlerësuar shembullin e tij në politkën shqiptare.

“Servet Pëllumbi, ishte i fundit i të moderuarve, i të urtëve në nivel lideri politik në Shqipëri. Besnik i parimeve të së majtës europiane. La në Shqipëri shembullin e politikanit fleksibël, të urave të dialogut, të zgjidhjeve të vështira si pak kush tjetër. Me vdekjen e tij politika e shqiptare është më e varfër”, tha Zogaj gjatë prononcimit për media.

Ora 10:07
Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, ngushëllimi i Metës: Ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të gjatë tranzicionit të vendit

1778054972_ilirmeta.jpg

Ish-presidenti Ilir Meta ka dërguar mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbit. Meta vlerëson kontributet e tij politike dhe akademike, ndërsa shprehet se ka qenë kënaqësi të bashkëpunonte në periudhën e tranzicionit.

“Me hidhërim të thellë mësova mbrëmë vonë për ndarjen nga jeta të Prof. Servet Pëllumbit, një figurë e shquar në jetën politike dhe institucionale të vendit, me kontribute shumë të rëndësishme jo vetëm në jetën politike, por edhe akademike.

Për mua ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të në një periudhë shumë të vështirë të tranzicionit të vendit.

Ngushëllimet më sinqerta për bashkëshorten e tij, djemtë dhe gjithë familjen Pëllumbi për ikjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur, por edhe për të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit.

Të prehet në paqen e merituar!

I paharruar kujtimi i Prof. Servet Pëllumbit!”, shkruan Meta në rrjetet sociale.