Endri Shabani do të jetë Avokati i ri i Popullit dhe do të zëvendësojë Erinda Ballancën, e cila 3 vitet e fundit ishte me mandat të mbaruar. Pasi u zgjodh pas një seance maratonë (11 dhjetor) me 85 vota pro, të ardhura nga socialistët dhe socialdemokratët, Shabani ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale.

Teksa falenderon mazhorancën për votat që i dhanë, nga ana tjetër Shabani nuk lë pa përmendur opozitën, e cila fillimisht i dha votat për kandidaturë, por që më pas u tërhoq nga kandidatura e tij.

Shabani shprehet i befasuar lidhur me ndryshimin e qëndrimit të opozitës karshi kandidaturës së tij. Sakaq ai falenderon 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre i dhanë mundësinë të kandidojë për postin e Avokatit të Popullit.

"Mbrëmë mora kandidaturën time si Avokat i Popullit një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit. Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.

Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit. E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.

Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t'u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund", shkruan Shabani.

Ndër të tjera ai thekson se vota e mazhorancës ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave.

"Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.

Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë. U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve. Faleminderit!", përfundon ai.

Demokratët që kishin mbështetur me firma 6 kandidatë, por më pas deklaruan tërheqjen nga nënshkrimet, që në fillim të seancës në mëngjesin e djeshëm kërkuan heqjen nga rendi i ditës të zgjedhjes së Avokatit të të Popullit.

3 orët e debatit për Avokatin e Popullit u vërtitën vetëm në një pikë: Akuza mazhorancës se ka bërë pazar me Endri Shabanin, njërin nga kandidatët që vetë mbështetën nga më shumë se gjysma e deputetëve të opozitës.

Kush është Endri Shabani

Ai nuk është një emër i panjohur për publikun. Prej vitesh ai ka qenë aktivist i shoqërisë civile, drejtues i Parlamentit Rinor, kryetar i ‘Nismës Thurje’ dhe anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë.

Përtej profilit politik, Shabani është jurist me një karrierë të pasur akademike të fokusuar në të drejtën publike dhe të drejtat e njeriut. Ai ka kryer studimet Master dhe ka mbrojtur gradën shkencore ‘Doktor i Shkencave’ (PhD) në Universitetin e Oksfordit.

Prej 15 vitesh, Shabani punon si pedagog i së drejtës në universitete në Shqipëri, Francë dhe Britaninë e Madhe. Gjithashtu, ai ka shërbyer si konsulent për organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Transparency International, Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës.