Udha për te vdekja…NISJA

Udha për te vdekja…NISJA
Sirena e trenit njoftoi se arritëm në Elbasan. Afrova më pranë çantën ngjyrë kafe ku kisha rrobat. Treni u ndal e njerëzit po dilnin me kujdes. Ecja mes tyre, shtyrë herë herë nga ndonjë sup prapa. Zbrita e pashë rrotull. Gjithëçka qe si herët e tjera. Natyra më dukej asnjanëse për atë që më kish ndodhur. Njerëzit më bëheshin të tjetërsuar. U drejtova te restoranti në qendër. Takoj një të afërmin e shtëpisë. U përshëndetëm dhe e ftova për kafe. „Nxitoj“ më tha; vështroi orën e u largua duke parë rrotull me bisht syri.

    Para Teatrit dëgjoj zëra skene. Zgjata kokën te dera. Regjizori u jepte këshilla aktorëve. Ata që qenë ulur poshtë kthyen kokën nga unë. Një aktor u ngrit më takoi e më ftoi brënda.
    - Mbyllni derën ju lutem! - thirri i pakënaqur regjizori. Ngrita çantën e dola. Në ikje aktori zemërmirë më ftoi për darkë.

    Në restorant gjeta një tavolinë pa njeri. Porosita një pilaf e një raki. Kamarierja shkruante mbi letër me sy pjertas nga unë. Te dera u duk një shkrimtar nga Vlora, shok universiteti; kish një dramë në dorë për t’ia dhënë këtij Teatri. U gëzova e i thirra të ulej. „Më vonë, kam punë!“ tha duke parë i shqetsuar orën e u largua. „Epidemia“ ka filluar, thashë me vete. M‘u kujtua Petro Nini Luarasi i helmuar të cilit ia larguan dhe njerëzit e afërt me thirrjen ‚largojuni, ka kolerë!‘

    Mbarova drekën e thirra kamarieren të paguaja.
    - Do punosh në Metalurgji?! - foli ajo. E pashë në sy. - Ju shkrimtarët s’merreni vesh, aty ëndërojmë t’ju rrimë pranë, pastaj druhemi t’ju takojmë! - Buzëqeshi lehtë. Buzëqesha dhe unë.
     Dola jashtë; eca nga shtëpia e oficerëve, pastaj drejt Parkut në natyrë.

Blerimi nuk më pyeste se ç’më kish ndodhur; zogjtë nuk trëmbeshin nëse do më rrinin afër!..Pashë ku qe bari më i mirë, u ula e vura faqen mbi të. Fijet e buta prej mëndafshi të gjelbër më lëmonin fytyrën. E njëjta erë e përjetëshme bari; një përgjumje në të cilën toka të afron frymën e qiellit dhe harrimin në gjirin e saj të qetë…Vura veshin të dëgjoja këmborë të largëta delesh...Bletët zukitnin nëpër bar duke kërkuar lulet. Mora dy fije bari i përtypa e ndjeva erë qumështi. Pastaj aromë bari të korrur...Po ecja pas nënës në të korrat e fshatit...

Qe 11 Nëntori, dita e çlirimit të qytetit. Te varret e dëshmorëve, afër, posa kishin çuar kurora. Mbylla sytë e po më afrohej gjumi i atyre që flinin nën dhè…
   …Në mëngjez pa nisur orari i punës u ndodha te dera e Komitetit të Partisë. Iu spjegova nëpunësit të rojes e i thashë emrin.

    - Ju njoh ! - tha ftohtë ai…Telefonoi, e më tregoi zyrën. Shefi i kuadrit mori dokumentet që i zgjata, hapi një libër të trashë e nisi të shkruante me bezdinë që t’i largohesha sa më shpejt! Po shihja kafazin me vija hekuri e m’u kujtua kopështi zoologjik...

Në një zyrë të tillë banori i këtij “kafazi” mund të qe një qënie e butë njerëzore, një femër e këndëshme që jashtë ëndëronin ta përqafonin ëmbël. Kur futej mes atyre hekurave, pa kuptuar merrte hijen e frikëshme të shtazës brënda kopështit për egërsirat. Ajo nuk kish as dhëmbët as kthetrat e tyre, por ato i kish vetë dhoma. Ato prisnin vetëm urdhërin që rrinte  fshehur në ca dosje - ca firma rrotull emrit të viktimës! Viktimat zakonisht qenë qënie të buta, njerëzorë por diktatura atyre u trëmbej më shumë. Ata fatkeqë mund ta çanin strukturën e saj siç çajnë rrënjët e bimëve të buta shkëmbinjtë e fortë.

    ‘Dhëmbët’ si punonjëse kuadri, qoftë dhe e bukur ajo i ruante me çelës të dytë e të tretë të sirtarëve. Ajo vetë mund të ndërohej si lëkura e kafshëve nëpër stina por kthetrat në atë zyrë nuk ndryshonin. Ato qenë shteti. Ajo qe administratorja e tyre, qe frika e dukëshme siç është lëkura për nepërkën, qoftë ajo dhe e bukur. Në kopështin zoologjik hekurat ruajnë njerëzit jashtë nga frika e shtazëve brënda; në zyrat e kuadrit kafazi brënda ruan kthetrat e shtetit nga njerëzit e zemëruar jashtë.

Kështu ato i hanë njerëzit-viktima njënganjë pa plagë të dukëshme. Gjaku rjedh gjetkë. Zyra aty vendos ditën e thertores, cakton llojin e kufomës, formën e thikës dhe rjepjen e lëkurëve!..Të gënjyer se janë të lirë, njerëzit jashtë janë edhe më të mbyllur sesa janë në dosjet e kuadrit; jashtë lëviz vetëm hija e tyre. Jeta e tyre, e tërë fëmijëve ngado që ata lëvizin është e mbyllur dhe e lidhur te zyra e kuadrit.

    Në Shqipëri njerëzit në të vërtetë qenë të mbyllur në dy kafazë: veç atij të voglit te kuadri, kishin rrethin e madh me tela gjatë tërë kufirit. Shteti e di se po mos ta mbyllte atë, njerëzit-skllevër do t’i iknin jashtë dhe do iknin më të mirët kështuqë do t’i paksohej ushqimi i zgjedhur. Shteti e dinte gjithashtu se Makbethit ata që i ikën nga rrethimi u kthyen e i hëngrën kokën. Kështu kufirin e vogël te kuadri e ruajnë me çelësa, të madhin që i ndan me shtetet e tjerë - me tela korenti.

Kur fshatrat afër kufirit nuk kanë dritë pasi drita ushqen telat, shteti bëhet më i frikshëm dhe ndjehet më i qetë. Rrethi me tela që mbyll vëndin është shumë më i madh se një kafaz hekurash i kuadrit; të parin shpesh njerëzit as e shohin me sy e për këtë takon që nuk e kuptojnë se janë të mbyllur. Kur nisen të provojnë të kundërtën në kufi, mbeten kufoma. Në të gjallë ata ushqejnë shtetin si skllevër; të vdekur - ushqejnë propagandën e tij.

     Bota jashtë vazhdon sheh asnjanëse kufirin që i ndan me këtë popull të çuditshëm ku vrasësit dhe viktimat rrojnë bashkë të mbyllur, pa dëshmitarë. Ndoshta botës i pëlqen ky kopësht zoologjik i llojit të veçantë, si për t’u ndjerë vetë më shumë i lumtur që nuk është i tillë; apo që shqiptarët të rrojnë gjithmonë me sadopak mundime, të mos kenë fuqi t‘i kërkojnë llogari Europës për krimet që i kanë bërë kombit të tyre!

Ata nga jashtë i bënë prerjen e madhe truallit të tyre, e pas saj erdhën zinxhir prerjet brënda të popullit viktimë duke arritur gjer te format më të përbindëshme të thertores në diktaturë…Shteti i këtij vëndi shpesh bën sikur njeriun e lë të lirë jashtë kafazit të kuadrit sepse e kap kur të dojë, si gjuetari lepurin te këmbët që e lë pak të ikij tutje për ta vrarë më këndshëm nga prapa, kinse donte të arratisej! Kur e kanë planizuar, dikush nga rojet e shtetit te kafazi i kuadrit apo te korenti i kufirit bën sikur fle! Njeriu i gënjyer niset drejt një brime korenti të dalë jashtë! Ahere të dyja kafazet vihen në lëvizje si gjymtyrë të të njejtit përbindësh - shtohen çelësat te kafazi i parë, rritet korenti te rrethi i dytë.

Bisha në dosje ka nxjerrë dhëmbët, kthetrat i kanë dalë jashtë gjer tek telat e kufirit dhe ndjekin në erën e njohur të atij që ka ikur!..Ata që kanë dalë jashtë e dinë se në të vërtetë u ka shpëtuar trupi jo shpirti; ata që kanë mbetur brënda janë të lidhur me zinxhirët që diktatura u mban të lidhur familjen, miqtë. Liria mbetet peng i hekurave të shtetit. „Ushqimin“ që u iku ‚jashtë‘ e zëvëndësojnë me dhjetra të tjerë nga të afërm të të arratisurit. Rrinë gati therje të vogla, therje të mëdha, therje në tufa...

Flijohen dhe dele të buta që si vetëmbrojtje kanë vetëm një blegërimë të bardhë me sy nga perëndia. Flija bëhet përtej nevojës për t’u ushqyer. Partia ka plan viktimash siç ka plan drithërash, plan kullotash...Nëse te njeriu nuk gjëndet faj, faji do t’i krijohet. Është ngjallur bajlozi i mitologjisë që thërret para Kongreseve: „tim për tim nga një dash të pjekun, vit për vit ka nji krahinë me djegun...“! Për të përligjur flijimet organizohen „gostitë“ - plenumet, kongreset: „plenum për plenum ka nji trim me ia therun, kongres më kongres nga nji tufë me ia pjekun...“!

Filloi me Koplikun, Mirditën, Zhapokikën...(do ketë gosti, në prag të Kongresit do ta gëzojmë udhëheqjen me një armik të ri...)! Ditën e Kongresit V-të, në qytetin e Jugut ku isha mësues një komunist, ish partizan i shquar rrethuar intriga vret veten: „Merreni dhe kufomën time, çojani presidiumit ose ‚atij që ka më shumë merita,!“ u tha delegatëve para nisjes, „pse ta lë të kalbet më keq për në plenumin tjetër“..!

    Punonjësja e kuadrit ka marrëveshje me të fshehtat e dosjeve, është e besuara e tyre. Pas punës ajo i lë vetëm „kafshët“ e dashura mbyllur me çelës dhe shkon mes njerëzve. Merr ledhatueshëm fëmijën nga kopështi; mund t’i blejë një dhuratë të fisme shoqes që lindi duke shpëtuar jetën e saj, apo takohet ëmbël me të dashurin diku nën dritë hëne...Të nesërmen rikthehet te kafazi i saj. Viktimat brënda janë zgjuar dhe shohin pronaren në sy - është bërë më njeri, apo u bie të tjerë viktima krah tyre!

Nëse ka dalë nga vetja apo dhe nëse dyshohet se është kthyer në ‘njeri’, janë prishur rregullat e bashkëjetesës; “sekretet” nxjerrin kthetrat kundër pronares që i ka tradhëtuar. Ajo hyn pamëshirshëm në radhën e të shqyerave...Edhe këtyre kafazeve të tmerrshme kuadri, Metalurgjia do t’u sigurojë metal më të fortë…

    Për këtë më dërguan dhe mua. T’i përforcoj vetë ato sumbulla zinxhiri duke qënë dhe vetë brënda tyre.
    - Merri këto dokumenta dhe çoji në Komitetin e Metalurgjisë ku do punosh, të presin! - më tha shefi i kuadrit të qytetit. I ngjesha në xhep e dola. Frynte një erë e fortë, e lagësht që lajmëronte dimër të rëndë. Qielli dukej i zi, me sy të egërsuar drejt tokës. Njerëzit ndjenin sikur do t’u binte mbi kokë dhe nga çdo anë nxitonin. Fletët rrëmbyer nga era sa u binin te këmbët vraponin mbi rrëkera uji si t’i nxitnin njerëzit që të ecnin pas tyre.

    Hipa në urbanin e metalurgëve dhe po shihja hapsirën. Tomori larg, i vetëm mes fushës në shi ngjante si i një tjetër kohe. Mbuluar mjegulla rreth kreshtave dukej si i mbështjellë me zemërim qiellor. Vetëtimat e frikëshme i thyente në të çarat e shkëmbenjve si shkopinj të ndritshëm zjarri. Para zbritjes njerëzit në urban mbështillnin setrat e bluzat rreth qafës.

    - Ku është Komiteti i Partisë? - pyeta një grua afër meje. Ajo më tregoi me gisht një ndërtesë dykatëshe me tulla të kuqe. Te hyrja kish dy tri vetura. Më tej, togje me arka, hekura, tuba të mëdhenj…Kanali në anë plot ujë të murmë që dridhej nga era ua shtonte pikëllimin. Shiu qe bërë më i egër. Njerëzit dilnin njeri pas tjetrit prej urbanit si të lëshuar me sustë nga brënda e nxitonin nga shumë drejtime. Rrëke uji po më vareshin nga flokët në fytyrë. Nxitoja e çantën e rënduar e kaloja nga një dorë në tjetrën. Ranë bubullima të tjera dhe shiu u shtua. Ujët po hynte në çantë nga e çara e zinxhirit. Pashë një tub të gjatë me gjerësi fuçie.

Futa çantën brënda, e shtyva e hyra dhe vetë i përkulur. Shiu më ndiqte nga pas si të më tërhiqte jashtë nga këmbët. Hyra më thellë e u ula në gjunjë. Nxora shaminë të fshija fytyrën; ajo u squll menjëherë e m’u ngjit përdore. Nga fshikëllimat e shiut tubi lëshonte një kumbim të mbytur metali si zë i largët lufte e më rrihte veshët nga tërë anët. Gryka e tubit dukej si tytë dylbie me mua brënda. Vështroja ndërtesën e komitetit, ngjyra e kuqërremtë e tullave qe nxirë; veturat shiu i kish zbukuruar.

U mbështolla më shumë rreth vetes dhe shihja se nga cila anë era e ftohtë më kërcënonte më shumë. Një ças tubi më ngjau si grykë topi (m’u kujtua përshkrimi i Evlija Çelebisë për topin mbi kala të Kaninës: brënda banonte një njeri. Grykën topi e kish nga deti, të qëllonte anijet pushtuese). «Topi» me mua brënda e mbante grykën drejt Komitetit të Partisë! Sa të pushonte shiu unë do shkoja butë drejt tij, me lutje që dhe ai të më pranonte me butësi! Kaloi një punëtor mbështjellë në mushama. Në ecje tubit ia përplasi kot me çekiç mbi kokën time. Metali dha një bubullimë tmerri; bota m’u bë e shurdhër; shiut i iku zëri. Mbylla veshët me duar të dëgjoja prapë zërat e natyrës.

    Shiu u zbut. Dola jashtë e me çantë në dorë po ngjitja shkallët e zyrave. Shkisja më nge gishtin mbi murin e lagur si ta merrja atë me të mirë! Trokita në zyrën e sekretarit të kuadrit. Një burrë i ri, i shkurtër, me fytyrë të qetë po shkruante diçka. Ngriti kokën më përshëndeti lehtë. Mori dokumentet që i zgjata.

    - Ç’punë do të bëni ju këtu, ju vetëm lapsin dini! - foli ai me vete.
    - Do mësohem. Sa për laps, po të keni nevojë…- Ai s’u përgjegj. Mbi krye të tij - fotografia e Udhëheqësit: «Edhe këtu ti...kërkon të tallesh dhe me këta me lapsin tënd»! mërmëriti që nga korniza lart. Ngrita sytë e pashë. Flegrat e hundës i qenë fryrë më shumë me zemërim…Dëshiroja që gatishmërinë si gazetar sekretari të mos ma kish dëgjuar. Ai shkroi diçka në një letër dhe u çua.
    - Eja me mua! - foli dhe dolëm. Vështrova pas në mur…m’u bë se Udhëheqësi lëvizi nga korniza për të na ndjekur me sy ku do veja!..Në udhë kaloi një makinë. Shoqëruesi i bëri shenjë dhe ne hipëm. Shkuam te Ndërmarja Makineri-Transport.

    - Drejtori është patrioti yt, nga Gjinokastra...- më tha dhe hyri vetëm brënda. Biseduan që të punoja aty. Dëgjova zërin që u ngrit fort: “Të keqen vëllai sekretar, se kam fëmijë, mos më ngatëro me kalemxhinj; më mirë më jep 10 arixhinj se një shkrimtar”!..Sekretari doli i qetë dhe hyri te Furnizim -Transporti, në të njëjtën  ndërtesë. Pas pak doli bashkë me drejtorin, më la me të dhe iku. Tek largohej nëpër pellgje m’u duk më i shkurtër e më i mirë. Drejtori im m’u shfaq asnjanës; një njeri disi i gjatë, me flokë pak të rëna, me tipare të holluara në fytyrë.

    - Veç lapsit ç’zanat ke? - pyeti qetë. Unë mblodha supet. Më çoi te shefi i kuadrit e i la porosi shkurt:
    - Regjistroje te punëtorët e thjeshtë, me brigadën shetitëse! - dhe u largua. Shefi i kuadrit qe dhe sekretar organizate. Po prisja më këmbë. Ai po shkëpuste bisedën me një vajzë të re që i kish vajtur për punë. Ajo më buzëqeshi e më përshëndeti me një ulje koke të hijëshme.

    - Ju, njiheni ? - i foli asaj pa e ngritur kokën mbi ca letra.
    - Jo - u përgjegj ajo dhe qeshi më çiltër në drejtimin tim. -
    - Thashë, meqë dhe erdhët në një kohë! -
    - Si poet…e kemi parë në fotografi…-
    - S’na bëri natyra të gjithëve poetë! - shtoi ai pa u kuptuar nëse e tha me gjithë mënd a për humor. E gjeti fletën që kërkonte dhe ngriti sytë në drejtim të saj. Ajo qe tepër e hijëshme. Me flokë të verdhë të ndritëshme si me dritë dielli, të shkurtëra gjer sipër veshëve.

    - Si ua ke bërë që i ke kaq të verdhë flokët, sikur vjen nga San Remo?! -
    - Kështu kam lindur! - Shefi e pa dhe një herë si të zbulonte diçka:
    - Ne s’mbajmë flokëverdha si revista Hollivudi. Këtu është furnizim mallrash, duhen shpatulla…Me këto verdhore sytë e puntorëve do mbeten tek ti…estradë gëzimi në ndërmarje kur rrethimi kapitalisto-revizionist!..Mbase do kërkojnë dhe një ‘Kafe Flora’ këtu…Mbeturinat liberale nisin që te flokët e verdhë! Ik rregulloi dhe eja nesër!..-

    - Gjysmat e mbeturinave unë i kam prerë, i kam hedhur poshtë shoku shef, do shikoj dhe për këto që më kanë mbetur, ju premtoj!..- Shefi e pa me dyshim pastaj vështroi nga unë. Vajza shtoi buzëgaz: -Sidoqoftë flokët e verdhë unë edhe mund t’i lyej të zeza, por që t’i zgjat ato më duhen 6 muaj…- Më erdhi një e qeshur në buzë. Shefi ma dalloi, qeshi dhe vetë. “Mirë hajde nesër, shejtane!” i përsëriti. Ajo përshëndeti e doli. “Rini hesapi...po kam dhe unë shefa mbi vete” foli dhe e ktheu bisedën nga unë.

Më zgjati majën e pëllëmbës si një njeriu nga i cili veç telasheve nuk priste të mirë. Ngaqë donte të mbaronte sa më shpejt me mua po i ngatërroheshin fletët nëpër duar. I shihja me vëmëndje fytyrën ezmere; një njeri i ndrojtur  të cilin do ta kisha drejtues të fatit. Mori dokumentet dhe i hidhte në dosjet e tij. Pothuaj nuk pyeste, as më shihte në sy nga frika mos kjo më afronte me të! Dukej ndër njerëzit që kanë frikë të të bëjnë mirë dhe kanë turp të të bëjnë keq!...


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës