TIRANE- Largimi nga detyra i mësuesve të cilët janë jashtë profilit të tyre është parashikuar nga Ministria e Arsimit para kryerjes së inspektimeve në të gjitha rrethet dhe shkollat.

Por, inspektimi i kryer tregoi shifrat dhe rastet konkrete se cilat qytete kanë abuzimet më të mëdha sa i përket mësuesve pa arsimin përkatës apo atyre jashtë profilit.

Ndërkohë sipas urdhrit 363 më datë 16.9.2014 për përcaktimin e nivelit arsimor të mësuesit në institucionet publike të arsimit parauniversitar kërkohet që të gjithë mësuesit që janë në marrëdhënie pune me kohë të plotë apo të pjesshme, të zotërojnë diplomën universitare në fushën e edukimit ose të njëvlershme me të, sipas përcaktimeve të nenit 57 dhe 72 të ligjit nr. 69/2012 "Për sistemin arsimor parauniversitarë”.