Ujërat e Malit të Zi në shënjestër të kontrabandistëve të thesareve nënujore

Ujërat e Malit të Zi në shënjestër të kontrabandistëve të thesareve nënujore

Mali i Zi, me një vijë bregdetare prej 300 kilometrash të gjatë dhe me 2.440 km² det, nuk ka rregulla që i mbrojnë ujërat e tij dhe pasuritë nënujore.

“Kjo është arsyeja përse Mali i Zi është bërë El Dorado për grupe dhe individë që mund të zhyten në pjesën e tij të Adriatikut pa asnjë kontroll, të nxjerrin eksponate arkeologjike, t’i qesin jashtë vendit dhe t’i shesin në tregun e zi”, thotë zhytësi Vesko Mijajlloviç për Radion Evropa e Lirë.

Ai është drejtor i Qendrës Rajonale të Zhytjes për Çminimin Nënujor dhe Trajnimin e Zhytësve (RCUD), e cila merret edhe me kërkime arkeologjike nënujore. Qendra është themeluar nga Qeveria e Malit të Zi. Mijajlloviç thotë se, ndryshe nga vendet ku pasuria nënujore mbrohet nga departamente të ndryshme të specializuara, Mali i Zi nuk ka ligj për zhytjen apo rregullore për aktivitetet nënujore.

“Kjo është arsyeja përse njerëzit shpesh nuk besojnë, kur na pyesin se çfarë lejesh u duhen për t’u zhytur në Mal të Zi, dhe ne u themi: nuk kanë nevojë për asgjë”, thotë ai.

E, kjo është edhe pikërisht arsyeja përse disa individë dhe grupe të organizuara të zhytjes vijnë në Mal të Zi për të grabitur thesare nënujore, shton Mijajlloviç.

Si shembull të aktiviteteve të tilla kriminale, ai përmend shkatërrimet e vendeve arkeologjike, të zbuluara në kërkimet e fundit sistematike nënujore. Bëhet fjalë për disa rrënoja nga Gjiri i Kotorrit deri në Budvë, të epokave të ndryshme, e madje edhe të periudhës para erës së re.

"Ato eksponate janë me vlerë të jashtëzakonshme dhe në tregun botëror arrijnë shuma enorme, thotë drejtori i RCUD-së.

Ai shton se informacioni për vendndodhjen e tyre do të duhej të ishte një sekret i ruajtur mirë, por se, mesa duket, ka arritur tek ata që e kanë keqpërdorur.

RCUD-ja ka ngritur vazhdimisht kallëzime penale për prishjen e shtratit të detit, por pa rezultat.

“Ne duhet ta mbrojmë urgjentisht trashëgiminë tonë kulturore nën det”, apelon Mijajlloviq.

Radio Evropa e Lirë pyeti në Drejtorinë e Policisë në Mal të Zi për rastet e kontrabandës dhe të tregtisë ilegale të eksponateve nënujore.

“Zyrtarët e policisë nuk kanë regjistruar raste, në të cilat ka pasur persona të privuar nga liria, për shkak të tregtisë ilegale dhe kontrabandimit të eksponateve arkeologjike nënujore”, thuhet në përgjigje.

Infrastruktura nënujore është e pambrojtur

Edhe pse Mali i Zi ka nënshkruar Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore në vitin 2008, ai nuk ka miratuar ligje që e rregullojnë këtë fushë, e që do t’i përcaktonin në mënyrë institucionale përgjegjësit për zbatimin e tyre.

Sipas Mijajlloviqit, rregulloret për aktivitetet nënujore duhet të miratohen sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse ato mbrojnë jo vetëm trashëgiminë kulturore, por edhe sigurinë e zhytësve, objektet e infrastrukturës nënujore dhe objektet ujore.

“Për shembull, Mali i Zi ka kabllo nënujore për ndërlidhje me Italinë. A nuk duhet të kujdeset shteti për mbrojtjen e objekteve të tilla dhe të kontrollojë se kush, kur, ku dhe pse zhytet?”, pyet Mijajlloviq.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Kulturës në Mal të Zi se si e mbron trashëgiminë kulturore nënujore dhe sa para ndan për këtë qëllim dhe për kërkimet nën det, por nuk mori përgjigje.

Çfarë është hulumtuar deri tani?

Një pjesë e madhe e shtratit të detit malazez është ende e paeksploruar. Deri më tash, janë lokalizuar rreth 30 vende arkeologjike nënujore, ndërsa më të vjetrat datojnë nga shekulli i katërt dhe i tretë para erës së re, thotë për Radion Evropa e Lirë arkeologu nënujor, Darko Kovaçeviq.

Ai është udhëheqës i Laboratorit të Arkeologjisë Detare në Fakultetin Detar të Kotorrit, i cili është themeluar dy vjet më parë dhe është njësia e parë kërkimore shkencore në Mal të Zi nga kjo zonë.

Laboratori, aktualisht, punon vetëm për dokumentimin e vendeve tashmë të zbuluara, thotë Kovaçeviq.

Harta e tij e digjitalizuar mbështetet kryesisht në rezultatet e kërkimeve të kryera që nga viti 2009 nga Qendra për Konservim dhe Arkeologji e Cetinjës, në bashkëpunim me RCUD-në dhe Fondacionin Detar RPM nga Florida në SHBA.

Atëkohë, për pesë vjet, anija amerikane Hercules ka eksploruar bregdetin nga Gjiri i Kotorrit deri në Budvë, duke përdorur hidrolokatorë në një thellësi prej 30 deri në 150 metra, zhytës të mekanizuar me telekomandë dhe kamera nënujore me rezolucion të lartë.

Ata kanë mbledhur të dhëna për vendndodhjet e eksponateve në zonë dhe kanë krijuar Sistemin e Informacionit Gjeografik (GIS) - një hartë e bregdetit malazez.

“Që nga zhytjet e para është gjetur vendi i një nëndetëseje nga Lufta e Parë Botërore dhe në katër sezonet në vijim janë zbuluar gjithsej 22 rrënoja. Dhjetë vende antike janë gjetur gjithashtu midis hyrjes në Gjirin e Kotorrit dhe Gjirit të Budvës”, thuhet në arkivin e Fondacionit Detar në SHBA.

Në hartë figurojnë gjashtë rrënoja nga Lufta e Dytë Botërore. Në mesin e tyre janë katër anije të fundosura përgjatë Platamunit - kep midis Tivatit dhe Budvës. Ato janë kryesisht anije mallrash italiane. Nëndetësja e mbytur britanike H-3 gjendet në Gjirin e Kotorrit, ndërsa afër Ulqinit është vendi ku është mbytur nëndetësja franceze Frenel.

Kovaçeviq shton se ndër vendet e famshme është edhe ai i anijes austro-hungareze, Zenta, në një thellësi prej rreth 70 metrash, e cila është fundosur në betejën e parë detare, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Zhytjet virtuale

Dhe, këto mund të shihen edhe pa u zhytur. Në Fakultetin Detar në Kotorr, trashëgimia kulturore nënujore është e disponueshme në një dhomë të realitetit virtual, nga ku mund të shihen anijet e fundosura. Nëpërmjet një simulimi 3D, vizitorët mësojnë për historinë e tyre, si dhe për anije të ngjashme në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë, me institucionet e të cilave Universiteti i Malit të Zi ka bashkëpunuar për ta realizuar këtë projekt. Një pjesë e projektit të quajtur “Wrecks4All” është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes fondeve të bashkëpunimit ndërkufitar./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Bllokohen 40 mjete lundruese nga Ksamili në Velipojë, Policia bën bilancin javor: 100 mijë lekë gjobë 13 prej drejtuesve, rrezikuan jetën e pushuesve

Bllokohen 40 mjete lundruese nga Ksamili në Velipojë, Policia bën bilancin javor: 100 mijë lekë gjobë 13 prej drejtuesve, rrezikuan jetën e pushuesve