Për të ndërtuar një objekt këtë ri, kostoja u rrit me vetëm 1.4% gjatë periudhës së verës, e ngadalësuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur indeksi i kostos në ndërtim ishte 1.6%.
Sipas raportit të INSTAT në tremujorin e tretë të vitit, ndërtuesit kanë shpenzuar më pak para për materiale ndërtimi, pasi çmimet e tyre kanë rënë. Por pavarësisht këtij stopimi, çmimet e apartamenteve në vend vetëm shtrenjtohen, e nuk pritet të ndalen.
Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit, 42% e subjekteve të pyetura nga Banka e Shqipërisë kanë pohuar se çmimet do të rriten, 54% thonë se do të jenë të qëndrueshme dhe vetëm 4% thonë se çmimet do të bien.
Për shkak të çmimeve të larta edhe koha e shitjes së një prone është rritur në raport me vitet e kaluara, nga 9.3 muaj që ishte në rang kombëtar ka arritur në 11.6 muaj.
Ndërkohë sipas INSTAT në tremujorin e tretë të vitit, ndërtuesit kanë thënë se kontributin më të madh në kosto e kanë dhënë pagat, të cilat sipas tyre janë rritur me 6.6% në krahasim me të njëjtin tremujor të 2024-ës.
Ky sektor punëson në total 63 mijë persona, numër që është rritur me 20 mijë brenda një dekade, por klasifikohet tek ato fusha të ekonomisë me pagat më të ulta në vend.
Edhe pse prej vitesh raportohet për rritje të rrogave nga vetë ndërtuesit pasi po përballen edhe me mungesë punëtorësh, shifrat e INSTAT tregojnë se paga mesatare në ndërtim është 68 mijë e 400 lekë, për shkak se ato nëndeklarohen. Në realitet janë më të larta, por një pjesë e pagave jepet në cash.
Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve ka publikuar listën e pagave për sektorin e ndërtimit, në varësi të çdo profesioni. Me përjashtim të sanitarëve që do të kenë si dysheme pagën 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarave e tjerë nuk duhet tu deklarohet rrogë nën 80 mijë lekë.
Pagat dysheme në ndërtim e rritin automatikisht rrogën mesatare të sektorit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë. Çdo biznes që nuk e respekton këtë vendim të tatimeve, do të konsiderohet me risk për nëndeklarim dhe do të jetë subjekt kontrollesh.
Komente








