Ulja e numrit të firmëtarëve për nismat ligjore qytetare, shtimi i komisioneve, filtrat për parandalimin e korrupsionit legjislativ dhe kontrolli i lobimeve, propozime të tjera të ekspertëve te ‘Antikorrupsioni’

Ulja e numrit të firmëtarëve për nismat ligjore qytetare, shtimi i komisioneve, filtrat për parandalimin e korrupsionit legjislativ dhe kontrolli i lobimeve, propozime të tjera të ekspertëve te ‘Antikorrupsioni’

“Funksioni ligjvënës dhe forcimi i rolit të Kuvendit për zbatimin e ligjeve, si edhe efektiviteti, transparenca dhe llogaridhënia e vetë Kuvendit” ishte tema e tryezës së radhës së organizuar nga ekspertët e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm, për konsultimin e draftit dhe finalizimin e Dokumentit Analitik. Nën moderimin e Prof. Asoc.Dr. Juelda Lamçe, dekane e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Europian i Tiranës u diskutuan gjetjet dhe sugjerimet e ekspertëve lidhur me rolin ligjvënës të Kuvendit, si dhe efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e vetë Kuvendit, në kuadër të reformave, si dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga universitetet publike e jopublike, shoqëria civile, organizatat e biznesit, institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, institucionet e pavarura, si dhe disa anëtarë të Komisionit të Posaçëm. Të pranishëm edhe dt ministrat e shtetit znj.Majlinda Dhuka, Kryengociatore me BE dhe z.Taulant Balla, ministër për marrëdhëniet me parlamentin. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: Delegacioni i BE-së, Prezenca e OSBE-së, Zyra e Këshillit të Europës, Ambasada Franceze, Ambasada Britanike, OPDAT, EU project, NDI, GIZ-i etj.  Në tryezën e parë Prof.Dr.Aurela Anastasi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, bëri një përmbledhje të gjetjeve kryesore të analizës paraprake të bërë nga ekspertët lidhur me funksionin ligjvënës dhe forcimin e rolit të Kuvendit për zbatimin e ligjeve. Në panelin e dytë Prof. Asoc.Dr. Juelda Lamçe bëri një përmbledhje të gjetjeve kryesore të analizës lidhur me efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e vetë Kuvendit.

Ekspertët kanë evidentuar nevojat për përmirësimin e funksionit ligjvënës me qasje rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit evropian, për përmbushjen e standardeve demokratike dhe forcimin e zbatimit të ligjeve. Analiza trajtohet në qasje me respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe Shtetit të së Drejtës. Ekspertët kanë konsultuar disa arritjeve të rëndësishme që lidhen me: miratimin e ligjeve që përputhen me standardet evropiane; rritjen e përfaqësimit të shoqërisë civile në procesin e konsultimit të ligjeve; rritjen e përfaqësimit të institucioneve të pavarura që u krijuan nga reforma në drejtësi; Miratimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve; përmirësimin e nivelit të transparencës përkundrejt shoqërisë civile, publikut dhe palëve të tjera, etj.  Nga analiza ekspertët kanë evidentuar disa probleme e sfida për të cilat ata sugjerojnë:

-Krijimin e një mekanizmi efektiv kontrolli që nis nga identifikimi i problematikave të hasura gjatë zbatimit të ligjit dhe deri tek rekomandimet që hartohen si dhe plotësimi i Rregullores së Kuvendit për të detajuar zbatimin e shqyrtimit dhe kontrollit të post – legjislacionit për të gjitha aktet normative.

-Përmirësimin e konsultimit publik në lidhje me marrjen parasysh të komenteve, metodologjinë e përfshirjes së komenteve të publikut si dhe rishikim të Manualit të Pjesëmarrjes së Publikut në Procesin Vendimmarrës të Kuvendit në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile etj.

-Përmirësimin e kontrollit të lobimit duke rritur efiçencën dhe transparencën dhe marrja e masave për të shmangur korrupsionin legjislativ. Po kështu pati propozime edhe për shtimin e numrit të komisioneve të përhershme parlamentare, por uljen e anëtarëve të tyre. Më tej ekspertët rekomanduan edhe idenë për krijimin e një ligji të posaçëm për funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Lidhur me cilësinë e ligjvënies, ekspertët kanë sugjeruar: krijimin e një mekanizmi efektiv dhe të specializuar që filtron formulime/dispozita që mund të mos kalojnë testin e kushtetutshmërisë. Ky filtër duhet të zbatohet edhe në amendamentet që paraqiten gjatë seancave plenare; forcimin dhe/ose riorganizimin e strukturave të brendshme të Kuvendit, të specializuara për të siguruar pajtueshmërinë e projektligjeve me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi;  krijimin e një mekanizmi efektiv që zhvillon testin për përputhshmërinë me qasjen gjinore dhe mosdiskriminuese, etj.

Gjatë diskutimeve znj.Erinda Ballanca, Avokat i Popullit, solli në vëmendje që retorika e ashpër parlamentare ndikon në uljen e besimit të publikut tek institucionet shtetërore, si dhe solli nevojën e rritjes së kapaciteteve të Administratës së Kuvendit  për të përmirësuar procesin ligjvënës, i cili ka nevojë për analiza krahasimore apo të thelluara, nevojën e ndërveprimit gjatë procesit të konsultimit publik të projektligjeve, etj.

Znj.Iris Luarasi, pedagoge e Universitetit të Tiranës dhe përfaqësuese e shoqërisë civile solli në diskutim nevojën për ndryshime në kuadrin ligjor për uljen e numrit të firmëtarëve të nismave qytetare, çka do të sillte një qasje më interaktive të qytetarëve dhe që do ndihmonin realisht grupet në nevojë.

Z.Rinor Beka, përfaqësues i NDI në Shqipëri, ndër të tjera theksoi nevojën e rritjes së kapaciteteve të Kuvendit për të mbështetur me ekspertizë grupet e qytetarëve që duan të sjellin nisma ligjore, si dhe rritjen e nivelit të transparencës legjislative dhe krijimit të dosjeje elektronike të projektligjit, etj. 

Znj.Blerina Çeloaliaj, përfaqësuese e “SAVE THE CHILDREN” theksoi nevojën e krijimit të një mekanizmi rutinë llogaridhënie dhe konsultimi publik për nismat ligjore.

Znj.Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociatore në Shqipëri solli nevojën e rritjes së ndijësimit në përafrimin e përmirësimit e procesit ligjbërës në kuadër të procesit të integrimit në BE. Ajo sugjeroi gjithashtu që në diskutime të përfshihen  dimensionet e reja që do të pësojë aktiviteti ligjbërës me avancimin në procesin integrues, pasi disa fusha kalojnë në juridiksion të BE, mund të nevojitet rishikime për shkak të Rregulloreve që hyjnë në fuqi.

Z.Genci Gjoçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit parashtroi punën e bërë nga Kuvendi për rritjen e transparencës ndaj publikut, proceset e nisura nga Kuvendi për kontrollin postlegjislativ dhe parandalimin e korrupsionit në procesin ligjbërës, punën që po bëhet për e-legislation për unifikimin e gjuhës së përdorur nga të gjitha institucionet që janë pjesë e procesit ligjbërës, si dhe solli nevojën për pavarësinë financiare të Kuvendit.

Diskutantë të tjerë sollën në vëmëndje edhe disa elementë të rëndësishëm për t’u reflektuar në draft dokumenti analitik në komponentin për Rolin e Kuvendit, si nevoja për gjetjen e mekanizmave dhe rritjes së besimit të publikut nëpërmjet ndërveprimit të komisioneve parlamentare gjatë procesit të konsultimi publik, rritjen e kapaciteteve dhe transperencës për gjurmimin e çdo hallke të procesit ligjbërës, gjetjen e mekanizmave për të asistuar shoqërinë civile për formulimin e nismave të sjella sipas standardeve, si dhe thellimin në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve apo anëtarët e institucioneve të pavarura që janë pregorativë dhe kompetencë e Kuvendit, etj.

Në përfundim të diskutimeve, anëtarja e komisionit të posaçëm, znj. Klotilda Bushka, vlerësoi punën e ekspertëve dhe diskutimet gjithëpërfshirëse, që synojnë përmirësimin e analizës së bërë deri mëtani. Znj.Bushka theksoi se qëllimi kryesor i Komisionit të Posaçëm është që të gjitha gjymtyrët e shtetit të jenë gati dhe të afta të jenë pjesë e familjes së madhe europiane, por dhe për arritjen e standardeve që kërkojnë qytetarët, pavarësisht afatit zyrtar të anëtarësimit në BE.  Përmbledhjen ekzekutive të analizës së ekspertëve e gjeni në faqen web të komisionit të posaçëm masl.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Biden autorizoi Ukrainën për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, NYT: Frikë nga përgjigja e Putinit

Biden autorizoi Ukrainën për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, NYT: Frikë nga përgjigja e Putinit