Ulja e numrit të lindjeve pjesë e debatit politik në SHBA

Ulja e numrit të lindjeve pjesë e debatit politik në SHBA

Amerikanët po bëjnë më pak fëmijë. Lindjet kanë rënë në nivelin më të ulët historik, thuhet në një raport të Qendrave për Kontrollin edhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Çështja u bë pjesë e fushatës për zgjedhjet presidenciale, kur u rishfaq një filmim i vitit 2021 ku kandidati republikan për Nënpresident, JD Vance, thotë se demokratët preferojnë më shumë kafshët shtëpiake sesa fëmijët.

“Drejtohemi praktikisht në këtë vend nga demokratët, nëpërmjet oligarkëve të korporatave, nga një grusht grash pa fëmijë të apasionuara pas maceve”, tha ai në vitin 2021.

Zoti Vance i ka quajtur demokratët antifamilje.

“Nëse shoqëria nuk bën mjaftueshëm fëmijë për t’u riprodhuar, kjo është një gjë thellësisht e rrezikshme dhe destabilizuese. Nëse nuk ke fëmijë, nuk ke të ardhme. Nuk mund të ketë gjenerata të ardhshme. Duhet të kemi familje të qëndrueshme, të shëndetshme, e të lumtura”, tha zoti Vance.

“Mendoj se duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ka ndryshuar niveli i lindshmërisë, pasi kjo ndryshon në thelb ofertën e krahut të punës. Kjo krijon probleme të ndryshme për burimet tona, por nëse duhet të ngremë alarmin apo jo, kjo është një tjetër histori”, thotë Jennifer Sciubba, drejtuese e organizatës jofitimprurëse “Byroja për Referencat e Popullsisë”.

Ajo thotë se më pak lindje mund të rezultojnë në më pak punonjës, gjë që mund t’i krijojë vështirësi ekonomisë.

Por, ajo shton se është më e komplikuar se kaq.

“Nuk është kurrë vetëm thjesht numri i punonjësve, por se sa përputhen me kërkesat e tregut të punës aftësitë e tyre, arsimimi dhe faza në jetën e tyre”, thotë zonja Sciubba.

Të tjerë vënë në dukje se çështja ka të bëjë jo aq me nivelin e lindjeve, sesa me atë se kush po i lind bebet.

“Nëse thoni se jeni ‘shumë të shqetësuar për rënien e lindshmërisë’, atëherë duhet të vini në dukje se kjo rënie është kryesisht në radhët e grave të bardha. Pra, shqetësimi është në të vërtetë se gratë e bardha, të arsimuara, nuk po bëjnë më fëmijë”, thotë Julia Hellwege, nga Qendra “Chiesman” për Demokracinë, në Universitetin e Dakotës së Jugut.

Ndërkohë, shifrat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se normat më të larta të lindshmërisë në Shtetet e Bashkuara pritet të jenë ndër njerëzit me ngjyrë, të cilët kanë gjithashtu norma më të larta të vdekshmërisë së nënave.

Megjithatë, në përgjithësi, shkalla e rritjes së popullsisë globale është ngadalësuar gjatë pesë dekadave të fundit.

Në nivel global, shkalla totale e lindshmërisë, ose numri mesatar i fëmijëve të lindur për grua, është rreth 2.2, pak mbi nivelin e duhur për rigjenerimin e popullsisë. Dhe kjo thjesht tregon se ka kaq shumë vende në botë, në fakt, 2 në çdo 3 njerëz në botë, që jetojnë diku me shkallë të ulët të lindshmërisë nga ajo që nevojitet”, thotë zonja Sciubba.

Rënia e nivelit të lindjeve në Shtetet e Bashkuara mund t'i atribuohet ndryshimit të pikëpamjeve. Një studim i fundit nga Qendra Kërkimore Pew zbuloi se 47% e të rriturve të moshës 18 deri në 49 vjeç thonë se nuk kanë gjasa të kenë ndonjëherë fëmijë dhe nga këta, 57% thonë se kjo është sepse thjesht nuk duan.

Emërtimi "Zonjat me mace dhe pa fëmijë" duket të jetë si një simbol nderi për disa. Ylli i muzikës pop, këngëtarja Taylor Swift, së fundmi e përdori këtë emërtim, kur i dha mbështetjen e saj kandidates demokrate për Presidente, Kamala Harris./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka pasur sukses 'Tempulli' në kapjen e shpërndarësve të drogave në shkolla?



×

Lajmi i fundit

Dosja Partizani/ Akuzat e reja të SPAK: Si u manipulua vlerësimi i ndërtesave të kompleksit! I shkaktuan dëm shtetit 436 mln lekë! Morën 870 metra katror tokë shtetërore e s’i paguan 23 mln lekë

Dosja Partizani/ Akuzat e reja të SPAK: Si u manipulua vlerësimi i ndërtesave të kompleksit! I shkaktuan dëm shtetit 436 mln lekë! Morën 870 metra katror tokë shtetërore e s’i paguan 23 mln lekë