Loti 4 i Unazës së Madhe iu dha në përfundim të garës bashkimit të 3 operatorëve “Euroteorema Peqin” – “Nova construction 2012” – “PE-VLA-KU”. Për këtë tender, dhe 6 lotet e tjera po të Unazës së Madhe në Tiranë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku është person nën hetim. Loti 4, u përmend për herë të parë nga SPAK-u kur ndaj Ballukut u vendos masa e pezullimit nga detyra.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo dyshohet të ketë “ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga institucioni në varësi të kësaj ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave” dhe se së bashku me drejtorin e ARSH dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit “kanë paracaktuar fituesin”.
Kompania “Euroteorema”, një nga 3 operatorët që fituan garën te Unaza e Madhe, rezulton se ka marrë shumë tenderë edhe në kohën e qeverisjes së Berishës, kur merrte konsulenca juridike nga Argita Berisha. Ndërsa “Nova Construction – 2012” sh.p.k është në pronësi të Ilir Shtufit, i cili është ortak i një kuote në masën e 91% të vlerës së kapitalit të kësaj kompanie dhe i lidhur ngushtë me familjen Berisha.
Dosja që SPAK ka dërguar së bashku me kërkesën për arrestimin e Ballukut, ofron elementë të rinj, se si Shtufi u bë një ndër fituesit e garës, por dhe për këtë rast, ashtu si dhe për biznesmenin tjetër Bashkim Ulaj, opozita zgjedhë të heshtë.
“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT-në dhe mos ta shoh në vend tjetër. Punët i ke me Gimin thuaj jo me mua”. Ky është një mesazh që Balluku i dërgon në telefon vartësit të saj, kreut të ARRSH-së në atë kohë, Evis Berberi. Me këtë komunikim të datës 10 shtator 2021, vetëm pak javë para se të shpallej fituesi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku jo vetëm që sipas SPAK e paracaktonte fituesin e tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe, por i impononte edhe ortakun biznesmenit Ilir Shtufi.
Vetëm pak minuta pas urdhrit të ministres, kreu i ARRSH atëherë komunikon me biznesmenin Shtufi dhe menjëherë ia konfirmon eprores se porosia u çua në vend, duke i çuar këtë mesazh: “E takova, ok”.
Tenderi për lotin 4 të unazës së madhe u hap më 16 gusht të vitit 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor 2021.
Biznesmeni Ilir Shtufi, është marrë në pyetje për rastin në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Sipas dosjes së SPAK-ut, ai ka deklaruar ndër të tjera se “stafi i tij kishte hyrë në diskutime dhe me inxhnierët e shoqërisë ‘Euroteorema Peqin’, por përfaqësuesit e kësaj shoqërie kishin kërkuar maxhorancën e punimeve dhe ai nuk ishte entuziast për këtë bashkëpunim. Gjatë kësaj kohe, kur ende nuk ishte vendosur bashkëpunimi me shoqërinë ‘Euroteorema Peqin’, është njoftuar nga inxhinieri i shoqërisë së tij ‘Nova construction’, që të takonte Evis Berberin, i cili e kishte kërkuar disa herë për ta takuar. Ai deklaron se duke qenë se Evis Berberi ishte titullari i autoritetit kontraktor në tenderin që shoqëria e tij donte të konkurronte, e ka takuar atë. Pas këtij takimi me Evis Berberin, ka vendosur për të bashkëpunuar me shoqërinë ‘Euroteorema Peqin”.
Komente












