Një pjesë e banorëve të Shkozës kanë dalë këtë të martë për të protestuar sërish kundër projektit së “Unazës së Madhe”, duke bllokuar rrugën e rrjedhimisht dhe qarkullimin.

Duke vijuar protestën e paradites së djeshme, banorët instistojnë në dëmshpërblimin që u duhet t’iu bëhet për shembjen e ndërtesave. Ndonëse ato kanë pohuar se truallin e kanë blerë me para në dorë nga persona të tjerë dhe se i kanë të palegalizuara ato, këto banorë shprehen se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga protestat. 

Ata po përkrahen sërish nga deputetët demokratë. Aldo Bumçi, i cili dje u përplas me inspektorin e IKMT-së Fatmir Meta, sot deklaroi se zgjidhja e kësaj situate do të vijë vetëm si pasojë e një proteste të zhvilluar përpara Kryeministrisë. “Ta largojmë atë njeri që po sillet si pushtues. Nuk ka rrugë tjetër”, u shpreh Bumçi për kryeministrin Edi Rama.

Fill pas tij, një banor i Shkozës u shpreh se “kryeministri duhet ta dijë që familja është e shtrenjtë”, duke i bërë thirrje njëkohësisht që të heqë dorë nga projekti i “Unazës së Madhe”, që sipas tyre është i paligjshëm. Sipas kësaj pjese të banorëve të Shkozës, ende nuk ka mbërritur një ekspert që të vlerësojë banesat.

Sikurse dje,sot paradite ka pasur sërish momente tensioni; në Shkozë dhe në Laprakë, ku një familje kundërshtoi shembjen e banesës dykatëshe duke u ngujuar brenda.

IKMT e nisi aksionin për shembjen e banesave në Shkozë më datë 26 nëntor.(Lexo këtu) Por nëse në Shkozë preken 16 objekte, në zonën e  "Astirit" preken  317 banesa. Një pjesë e banorëve të kësaj zone, që i kanë shtëpitë dhe bizneset e palegalizuara, janë ngritur në protestë prej 31 ditësh për të kundërshtuar projektin.

Protesta është shtrirë edhe në sheshin "Shqiponja", tek "Unaza e Re", para Bashkisë të Tiranës dhe përpara Kuvendit. Kjo e fundit është cilësuar si protesta më e dhunshme e këtyre banorëve, pasi solli plagosjen e 15 efektivëve dhe 3 qytetarëve.