TIRANË- Banorët e zonës së Unazës së Re kanë dalë ditën e sotme në ditën e 68-të të protestës. Pasi bllokuan rrugën në të dy akset e saj, banorët e Astirit me thirrjet "E duam Shqipërinë pa Edi Ramën" ndaj kryeministrit kanë vijuar protestën kundër projektit të zgjerimit të rrugës pasi një pjesë e banesave të tyre do të prishen.
Në mbështetje të banorëve ditën e sotme ishte dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
"Shembulli është para syve tuaj. Kur ke një kaozë të drejtë dhe mbron shtëpitë tuaja nuk rrëzohesh. Qytetarët nuk rrëzohen por rrëzohet ministri i korruptuar. Merita e madhe e këtyre banorëve është se kërcënimet e Ramës nuk pinë ujë. I quajtën qytetarët shpellarë, zaptus dhe pushtues,"-tha kryetari i PD-së.
Protesta e banorëve të Unazës së Re ka nisur rreth 2 muaj më parë. Banorët që preken nga ky projekt do t’ju shemben banesat, ndërsa ata që i kanë të legalizuara janë futur në një proces për të marrë dëmshpërblimin që iu takon. Banorët që kanë shtëpitë e tyre të palegalizuara mund të përfitojnë një bonus qiraje me afat 3-vjeçar nga Bashkia e Tiranës.
Në protestat e mëparëshme, banorët kanë kërkuar plotësimin e 6 kërkesave. Ato janë: Anulimi i projektit të Unazës së Madhe; Rifillimi i procesit të legalizimit për të gjitha banesat; Rregullimi i kushteve të transportit publik në kryeqytet; Ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e cilësisë së tij; Tu jepen punonjësve të policisë rroga e 13 orët suplementare dhe pagesa e dietave; Plotësimi i kërkesave të studenteve dhe rrëzimi i ligjit të Arsimit të Lartë.