TIRANE - Banorët e "Unazës së Re" kanë dalë në protestë në ditën e 20-të të saj. Njësoj si edhe një ditë më parë, në krye të protestës ndodhet kryetari i PD, Lulzim Basha dhe disa deputetë të opozitës. 

Njësoj si edhe ditët e kaluara, edhe sot protestuesit kanë bllokuar aksin Pallati me Shigjeta ish-sheshi Shqiponja nga të dy krahët, duke shkaktuar kaos në trafik.

Banorët kundërshtojnë projektin e zgjerimit të "Unazës së Madhe"  i cili prek rreth 300 banesa, ndër to shtëpi banimi dhe biznese. Një pjesë e konsiderueshme e objekteve janë ndërtime pa leje dhe për rrjedhojë të palegalizuara. 

Një ditë më parë protesta e banorëve të "Astirit" degjeneroi në akte dhune përpara Kuvendit, teksa paralelisht zhvillohej seanca e Kuvendit. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:30
Basha për projektin e 'Unazës së re': Rama ka bërë pazare, po vidhen 40 mln Euro  

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar ditën e sotme protestës së banorëve të Astirit të cilët prej 20 ditësh dalin në protestë për të kundërshtuar projektin e ndërtimit të Unazës së re, i cili prek banesat e tyre .

Pas takimit që zhvilloi me banorët, në një prononcim për mediat kryedemokrati Basha sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama,se është kthyer një një “aga” që bën pazare tenderash me ndërtuesit ndërsa, tha se ky projekt antiligjor që sipas tij ka vlerën e 40 milionë euro, është për vilën e tij në Surrel.

Edi Rama është një hajdut, sepse do të vjedhë 40 milionë euro, duke shkelur ligjin, duke shkelur ligjin e prokurimeve, duke shkelur ligjin e legalizimeve, duke shkelur kushtetutën, duke shkelur ligjet për shpronësimet. Ky nuk është projekt për qytetin e Tiranës, ky është projekt për Vilën e Surrelit. Agai i Surrelit do që me një të rënë të lapsit, të marrë 40 milionë euro, pasi pazaret i ka bërë kokë për kokë, është ulur ai kokë më kokë për të bërë pazaret e tenderit, për të vjedhur 40 milionë euro. Ndërsa ne jemi këtu në krah të këtyre njerëzve për t’i mbështetur dhe për të denoncuar këtë megavjedhje.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Për kryedemokratin Lulëzim Basha  protesta e banorëve është e drejtë pasi , aty protestojnë hallexhinjtë, ndërsa Rama sipas tij ka bërë pazare kokë më kokë me ndërtuesit për të vjedhur 40 milionë eurot e projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.

Kujtojmë qëprej 20 ditësh banorët e Astirit po protestojnë çdo pasdite kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, duke kërkuar që të dëmshpërblehen 100% për banesat dhe bizneset e tyre.

Ora 17:58
Vijon protesta te 'Unaza e Re', të pranishëm Basha dhe deputetët e PD, bllokohet sërish rruga (FOTO)
Ora 17:42
Prej 20 ditësh bllokohet rruga te 'Unaza e Re', shoferi humbet durimin dhe futet me 'Mitsubishi' përmes turmës (VIDEO-FOTO)

Bllokimi i përditshëm i segmetit rrugor "Pallati me Shigjeta" - ish sheshi "Shqiponja", në zonën e "Unazës së Re", nga banorët të cilët kundërshtojnë prishjen e shtëpive, ka shkaktuar kaos në lëvizjen e automjeteve. Pikërisht sot në ditën e 20-të është shënuar edhe një incident gjatë protestës që e printe kryetari i PD, Lulzim Basha.

Një drejtues automjeti ka humbur durimin dhe është futur me një fuoristradë "Mitsubishi" përmes turmës dhe është larguar. Siç duket edhe në videon e siguruar nga "Shqiptarja.com", automjeti vjen me shpejtësi në drejtim të unazës dhe nuk ndalet përpara njerëzve që nuk lejonin kalimin e makinave në shenjë proteste. Sapo shohin "Mitsubishin" që po vinte me shpejtësi në drejtim të tyre, ata largohen nga rruga duke shmangur një ngjarje të rëndë.

Fatmirësisht ky moment është shoqëruar pa të lënduar, pasi në të kundërt mund të kishte një bilanc tragjik. Pas këtij momenti, banorët kanë bllokuar sërish rrugën, për të vijuar protestën e  tyre. Për 20 ditë me radhë, thuajse në të njëjtin itinerar kohor, 17:00-19:00, banorët dalin në protestë dhe bllokojnë rrugën në të dyja senset e saj.