Apartamenti ynë në zonën e ish-Bllokut ka tre ballkone të mëdha. Një mrekulli në qendër të Tiranës. Një “okazion” që më mori zemrën në 2004. Një shtëpi më e madhe jashtë, se brenda. Dy ballkone shohin në rrugën kryesore dhe njëri, më i vogël, 12 metra katrorë, qëndron në pjesën e brendshme të pallatit, aty ku shohin disa dhoma gjumi, banjo e dhoma shërbimi. Jemi në katin e tretë e mbi ne ngrihen plot 7 të tjera kate.
Me vrap, siç pasioni dhe dashuria ime për pemët dhe lulet më thotë, e mbusha me gjelbërim “xhungle”: jaseminë, bredha, manjolë, hedera, dafinë, ullinj, trandafilë, azalea, lulebore, mandarina e limonë e ç’t’ju them, më shumë nga çdo bimë që rritet në Tiranë. Një mrekulli për syrin e hundët. Por nuk kisha bërë një llogari të thjeshtë; pasionin e komshinjve të kateve te sipërme për të hedhur plehra nga dritaret: kuti ilaçe rrobash, bukë, qese me plehra, asorbentë femërorë, deri te gjellë të mbetura, që, në vend nga pjatat të përfundonin në koshin vetjak, i gjenim kur ktheheshim nga puna apo zgjoheshim, mbi lule a në ballkonin tonë. Nëse në dy ballkonet nga fasada, fqinjët ruanin pak “fasadën” sa për sy e faqe (zakonisht plehrat hidheshin gjatë natës) në ballkonin e brendshëm, fluturimet bëheshin pa mëshirë në çdo orë.
Asnjë lutje, ankesë, ngritje zëri s’jepte rezultat. Ishte viti 2005, kur vendosëm shqiptarçe, të vinim një mbulesë betoni mbi atë ballkon 12 metra katrorë. Për vetëmbrojtje. Por idea s’qëlloi e mirë. E para, se plehrat vazhdonin të hidheshin e grumbulloheshin pirg, me shtresa si ato të Sharrës mbi kokën tonë. E dyta, komshiu mbi ne u sikletos; plehrat tashmë i shihte ai nga dritaret e tij me hekura, por edhe nga hekurat nuk dilte dot e s’pastronte atë që më parë e kishim ne në ballkon.Komshiu vjen me një propozim: ose të ndërtoj edhe unë një dhomë mbi ju, ose prisheni! Po të ndërtonte edhe komshiu mbi ne, e mbi të të tjerë komshinj, nuk do të ishte një ide e mirë, pasi bllokohej i gjithë pusi i ajrosjes, ndaj thamë të rezistojmë. Komshiu na paditi dhe fitoi në gjykatë: Mbulesa jonë 12 metra katrorë rrezikonte shembjen e gjithë pallatit 10 katësh, ndaj gjykata nuk na la as mundësi legalizimi (në gjithë Tiranën u legalizuan kate të tëra shtesa, veç mbulesa e ballkonit tonë).
Pa e bërë të gjatë, respektuam ligjin. E prishëm atë mbulesë nga e cila ishte krijuar një dhomë dhe sot është rikthyer në formën e parë që ishte, pra një ballkon. Dhe bëmë mirë. Me përmirësimin e administrimit të përbashkët plehra hidhen, por gjithnjë e më pak. Ndonjë zonjë e shtëpive apo zyrave sipër vazhdon ende të hedhë kartopicetat me buzëkuqin e fshirë, ndonjë shishe plastike, pluhurat e qilimave apo ç’të mendojë, por të paktën gjellët, asorbentët e kutitë bosh të ilaçeve të rrobave e enëve, jo.
E tregoj këtë histori personale për të thënë që kokëfortësia për të sfiduar fqinjët apo këdo për një gardh apo pronë nuk vlen. Nuk vlen asnjë sherr, nuk vlen aspak asnjë metër katror më shumë, nuk vlen të mos respektojmë ligjin dhe miqtë me të cilët bashkëjetojmë. Nuk na bën më të lumtur një hapsirë e zënë, madje, mund të na lumturojë, një hapsirë e dhuruar për kë ka nevojë.