TIRANE - Të gjitha universitet, publike dhe private do të kalojnë në kontroll për cilësinë dhe për programet e studimit. Akreditimi do të bëhet nga ekspertët e agjencisë britanike, “Quality Assurance Agency”. Gjatë një takimi me ekspertët e agjensisë Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u shpreh se shumë shpejt do të fillojë procesi i cili do të matë cilësinë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.

“Pasi kemi nënshkruar në muajin dhjetor 2014-të marrëveshjen me agjencinë britanike, ekspertët e kësaj agjencia dhe të agjencisë sonë kanë bashkëpunuar për përcaktimin e metodologjisë që do përdoret, për të filluar më pas procesin e shumëpritur që lidhet me akreditimin dhe vlerësimin e kritereve të cilësisë për të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë, publike dhe private”, - u shpreh Nikolla.

Ministrja e cilësoi këtë fazë të akreditimit të IAL-ve si një moment tjetër të rëndësishme ku do të vazhdojnë të ruhen standardet e vendosura, të një komunikimi të vazhdueshëm me të gjitha IAL-të në vend, për të mundësuar një proces transparent.  “Procesi i akreditimit do të ndërtojë së bashku me Institucionet e Arsimit të Lartë një situatë të re në arsim që mbart cilësinë e dëshiruar për studentët, duke vendosur një rregull të ri në të gjitha IAL-të si dhe standarde evropiane”, - tha Nikolla.

Dy fazat
Procesi i akreditimit të IAL-ve do të ketë dy faza. Faza e parë është ajo e akreditimit të institucionit, që ka të bëjë me mënyrën si funksionon ai, kurse faza e dytë është ajo e akreditimit të programeve të studimit që ka të bëjë me mënyrën sesi zhvillohet një lëndë në një degë të caktuar. Pas kontrollit të kritereve të ligjshmërisë, që MAS zhvilloi për herë të parë në të gjitha IAL-të në vend, ekspertët britanik të QAA dhe ata shqiptarë të APAAL pritet të bëjnë akreditimin dhe rankimin cilësor të të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë publike e private.
 
Cannon/Reforma ka hyrë në fazën e përmirësimit
I pranishëm në takim ishte edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Cannon, i cili vlerësoi si shumë të rëndësishme në procesin e akreditimin, mbështetjen që duhet të japin komunitetet akademike. “Akreditimit është një element i rëndësishëm në kuadër të reformimit të gjerë të arsimit në Shqipëri. Pas mbylljes së fabrikave të turpshme të diplomave që njollosnin sistemin e arsimit të lartë, tani reforma ka hyrë në fazën e përmirësimit dhe ekselencës së arsimit të lartë duke marrë shembull nga praktikat më të mira të BE-së”, - tha Ambasadori Cannon. Ambasadori shtoi se duhet përfituar nga përvoja britanike për të krijuar një sistem akreditimit shqiptar.

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com 9 maj 2015
 
Redaksia Online
(d.b/Shqiptarja.com)