Në Universitetin e Mitrovicës "Isa Boletini" sivjet është planifikuar të regjistrohen gjithsej 1280 studentë në 23 programe, të cilet janë akredituar në kuadër të 6 fakulteteve. Anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit u takuan sot me ministrin kosovar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ku u bisedua për përgatitjet që ka bërë UMIB-i për fillimin e vitit të ri akademik.

Rektori Alush Musaj tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhur për fillimin e vitit të ri akademik. "E kemi zgjidhur problemin e hapësirës që ka qenë më sfiduese, meqë këtë vit do të jenë edhe tre fakultete të reja dhe si rrjedhojë edhe numri i studentëve do të jetë më i madh", citohet ai në komunikatën e dërguar nga Universiteti i Mitrovicës.

Ministri Buja përgëzoi rektorin Musaj dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të UMIB-it për organizimin e mirë që kanë bërë për fillimin e vitit të ri akademik, ndërsa theksoi se synimi i përbashkët është cilësia. /ATSH/