Urdhërarresti ndaj Vlora Hysenit, drejtoreshës së SHISH-it, ka sjellë edhe reagimin e ish-deputetit Ervin Salianji, i cili thotë se e ka denoncuar prej vitesh emërimin e paligjshëm të saj. Sipas Salianjit, një institucion që duhet të mbrojë sigurinë kombëtare u përdor për shantazhe përfitime të paligjshme dhe survejimin e kundërshtarëve. Salianji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa opozitës i bën thirrje që të kërkojë komision hetimor parlamentar për këtë çështje.
"Prej vitesh kam denoncuar emërimin e paligjshëm të Vlora Hysenit në krye të SHISH. Që nga ai moment, Shërbimi Informativ u kthye në Shërbimin Informativ të Krimit. Një shërbim që duhej të mbrojë sigurinë kombëtare u përdor për shantazhe, përgjime të paligjshme, survejime të kundërshtarëve, kërcënime ndaj politikanëve dhe bizneseve dhe për përfitime financiare në këmbim të heshtjes apo publikimit të informacioneve. Nën shantazh kanë qenë edhe institucione të tjera të shtetit.
Me qindra herë e kam denoncuar këtë situatë. Kam kërkuar shkarkimin, hetimin dhe arrestimin e Vlora Hysenit. Pas ndërhyrjes në TIMS, pas kontrollit të institucioneve të sigurisë kombëtare nga krimi, faktimi i sotëm i lidhjeve të drejtueses së SHISH është një alarm i jashtëzakonshëm jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për dekonspirimin e informacionit të klasifikuar dhe të informacioneve të partnerëve ndërkombëtarë.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Sali Berisha nuk mund ta relativizojë këtë çështje duke i shërbyer Ramës. Bashkë me të gjithë grupin parlamentar duhet të kërkojë hetim parlamentar, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe përgjegjësi politike deri në dorëheqjen e Edi Ramës.
Fatkeqësisht, shteti i Ramës nuk është në luftë me krimin. Është shtet i krimit në luftë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe në bllokadë me partnerët ndërkombëtarë", shkruan Salianji.
Lajmi kryesor:
REAGIMET/ Arresti për drejtoreshën e SHISH, Berisha: Akt tradhtie, informacionet edhe armiqve të NATO-s, jo vetëm krimit! PL: Ra siguria kombëtare







