Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, pas propozimit të kryeministrit Edi Rama.

Dekreti erdhi menjëherë pasi Hyseni iu dorëzua autoriteteve, pasi ndaj saj GJKKO caktoi masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”, pasi dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë arratisë. 

Vendimi i Begajt pasoi një njoftim të bërë më herët nga Rama për largimin e Hysenit nga SHISH, në një reagim nga New Yorku ku ndodhet për Asamblenë e OKB. 

“Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë. Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkroi Rama. 

Duke u kujdesur ta theksojë se kjo nuk mund të shndërrohet në një aktakuzë ndaj mazhorancës së tij, në atë që e quan ‘mexhelisi politik e mediatik’, Rama shkroi se askush nuk është mbi ligjin dhe se vendimet e drejtësisë së re do të respektohen deri në fund. 

“Pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor. Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin. Qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi: Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, theksoi Rama. 

Megjithatë, për Vlora Hysenin nuk munguan as vlerësimet, njëjtë si ditën e parë kur i propozoi Presidentit Begaj ta dekretonte në krye të SHISH. 

“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, shkroi Rama.

Aktualisht Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka as nëndrejtor në detyrë, dhe zyrtari më i lartë për momentin mbetet Inspektori i Përgjithshëm i këtij institucioni, është Rafail Milo.

Deklarata e plotë e Edi Ramës 

"Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.  Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor. 

Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. 

Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj. 

E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh. 

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo. 

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi: 

Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:37
Balla pas shkarkimit të Vlora Hysenit: PS nuk bën avokatin e askujt, kushdo që duhet të përballet me Drejtësinë, të marrë mbrojtësin e vet ligjor

1790109476_yduiuyp.JPG

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas dekretit të Presidentit Bajram Begaj për shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se shumica qeverisëse i qëndron parimit të saj për të mos ndërhyrë dhe për të mos komentuar çështjet që lidhen me drejtësinë.

“Shumica jonë qeverisëse i mbetet besnike qëndrimit standard për të mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë. Kushdo qoftë duhet të përballet personalisht me drejtësinë dhe të marrë avokatin e vet. Partia Socialiste, pra shumica qeverisëse e këtij vendi, nuk bën avokatin e askujt”, deklaroi Balla.

Ai shtoi gjithashtu se, ashtu siç njoftoi menjëherë kryeministri Edi Rama, shkarkimi i Hysenit nga detyra u realizua për t’i hapur rrugë emërimit të një drejtuesi të ri në krye të institucionit.

Ora 21:01
Begaj dekreton shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit

Begaj ka dekretuar shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.

“Presidenti Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafi 2 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar””, me propozim të Kryeministrit, dekretoi sot shkarkimin e zonjës Vlora Hyseni nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Dekreti i firmosur nga Bajram Begaj
Ora 16:25
Shkarkimi i Hysenit nga SHISH, Bardhi: Problemi është Rama, duhet të japë dorëheqjen!

1788546252_gazmentbardhi.jpeg

Deklaratës së kryeministrit Rama lidhur me shkarkimin e Vlora Hysenit i është përgjigjur dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Në një postim në rrjete sociale Bardhi thotë se shkarkimi i Hysenit nuk zgjidh asgjë për sa kohë Edi Rama nuk jep dorëheqjen dhe s'del para drejtësisë 

"Vlora Hyseni e ka bërë shumë mirë detyrën që i ka ngarkuar Kryeministri: informimin dhe mbrojtjen e krimit të organizuar! E kam thënë nga foltorja e Kuvendit në 2024: “Edi Rama e vendosi Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror si njeriun e Ergys Agasit dhe për t’i shërbyer krimit të organizuar”. Prandaj, shkarkimi i Vlora Hysenit, edhe pse Kryeministri ka alergji nga fjala “pezullim nga detyra”, nuk zgjidh asgjë. Në vend të saj do të vijë një Vlorë tjetër, sepse Kryeministri i vendit nuk është një njeri i lirë. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë!" shkroi Bardhi. 

Ora 16:13
Shkarkimi i Vlora Hysenit, Blushi i përgjigjet Ramës: Pse nuk veprove edhe me Ballukun?

1788272575_tediblushi.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për çështjen e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar këtë të fundit 'një kokë turku' për mbrojtjen e Edi Ramës. Ai deklaroi gjithashtu se, sipas tij, nëse kryeministri do të zbatonte të njëjtin standard siç bëri me shkarkimin e Vlora Hysenit, duhej të kishte vepruar edhe nda Belinda Ballukut.

'Peshku qelbet nga koka! Pa i prerë kokën, çdo “kokë turku” është vetëm fasadë, për të shpëtuar kokën e Edi Ramës. Sa i përket "standardit" për ta "dorëzuar" Kryetaren delinkuente të SHISH në duart e drejtësisë, duhet të kishe vepruar edhe me Belinda Ballukun, por nuk e bëre. Dy standarde, një qëllim: Të shpëtohet koka e Ramës'