Shqiptarët nuk ndërgjegjësohen nga rreziku i koronavirusit. Nga Tirana, në Shkodër, Vlorë, Korçë, Elbasan dhe qytete të tjera të vendit, Report Tv bëri një vëzhgim  nga ora 16:00 që shënoi nisjen e fashës së dytë të lejimit të lëvizjes së qytetarëve nga shtëpia për të dalë për pazaret, blerë ushqimet, për të shkuar në farmaci apo për nevoja të tjera personale. Panorama ishte zhgënjyese dhe e frikshme. Ndërgjegjësimi ashtu si paradite ishte zero. Njerëzit nuk lëviznin në mënyrë individuale sikur lejohet, por të shoqëruar, madje edhe me familjen në disa raste në shëtitje dhe grupe- grupe. Në orën 18:00 përfundoi orari i lejes për të lëvizur dhe qytetarët u futën të gjithë në shtëpi. Pra problemi ishte mënyra e lëvizjes në fashën e lejuar të orarit. Nga nesër qytetarët do të kenë vetëm 8 orë kohë për të dalë në mëngjes nga 05:00-13:00 për të bërë pazaret, ndërsa e diela do të jetë absolutisht e ndaluar për të dalë nga shtëpia deri të hënën në orën 05:00.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:35
Sërish të pabindur, dalin shëtitje! Ushtria u bllokon xhiron shkodranëve! Gjobiten tre qytetarë dhe një lokal që hapi dyert (VIDEO)

Në Shkodër pavarësisht thirrjeve të shumta dhe të përsëritura nga të gjitha institucionet vendore e qendrore, ushtrisë e policisë në rrugë dhe gjobat qytetarët nuk janë bindur, pasi kanë dalë në xhiro me biçikleta pa respektuar distancën mes njëri tjetrit duke dalë të gjithë grupe-grupe. Përballë kësaj situate policia dhe ushtria kanë ndërhyrë në hyrje të pedonales duke bllokuar xhiron e zakonshme, pasi orari nga 16:00-18:00 nuk është për shëtitje dhe aq më tepër në grupe- grupe pa respektuar distancën mes njëri tjetrit por për të kryer nevojat dhe për t'u rikthyer sërish brenda. Policia e Shkodrës ka gjobitur tre qytetarë dhe një lokal për shkelje të masave të përcaktuara për koronavirusin. Lokali është gjobitur për shkak se ka hapur dyert, ndërsa qytetarët për thyerje të urdhrit të lëvizjes.

"Gjate pasdites kane vijuar veprimtarite e strukturave te policise, ushtrise, FNSh, policise bashkiake dhe inspektoriateve.  Sipas grupeve te punes dhe postoblloqeve te ngritura ne disa pika duke zbatuar me rigozitet urdherat dhe udhezimet. Vlen te theksohet se gjate pasdites puna e ketyre strukturave ne bashkepunim ka bere qe te ndalet ndjeshem dalja e komunitetit ne rruget e qytetit deri ne parandalim te plote sidomos ne pedonalen e qytetit, fale edhe ndergjegjesimit mediatik te komuntitetit. Nga bashkia Shkoder jane mbeshtetur me ushqime rreth 70 familje ne nevoje, dhe asistuar mosha e trete ne marrjen e pensionit.

UKSh ka vijuar punen me dy grupe per dezinfektimin e objekteve, rrugeve, trotuareve dhe objekteve ne zonen Industriale dhe gjate pasdites ka vijuar dezifektimi ne repartin e dializes dhe ne te gjitha tregjet e hapura te qytetit. DVP jane dhene rreth 4 masa administrative, 1 per lokal dhe 3 per shtetas te cilat kane shkelur aktet normative. NJKVSH, informohemi se nuk ka asnje rast me COVID-19 deri tani ne gjithe territorin e Qarkut. Ne te gjitha QSh jane duke u zbatuar urdherat e MSh per sherbimin shendetesor tek cdo qytetar, sidomos te semuret kronik, pensionisteve, PAK, etj. Edhe ne bashkite Puke, e F.Arrez nga NjKV, paraqitet e njejta situate dhe i njejti sherbim ndaj kategorive te mesiperme te semurve dhe ndjekjen e mbikqyrjes se te ardhurve nga zonat e prekura nga covid-19" thuhet në informacionin e qarkut të Shkodrës.

Ora 17:47
Berati thyen urdhrat, qytetarët mbushin shëtitoren (VIDEO)

Vetëm dy orë pasdite dhe mjaftojnë që koronavirusi të rrezikojë jetën e të gjithë qytetarëve. Ashtu si dhe në qytetet e tjera edhe në Berat njerëzit kanë nxituar të mbushin shëtitoren, ku njerëz në turma, ngjitur me njëri tjetrin dhe pa masa mbrojtëse shëtisin si të ishin në ditë pushimi dhe asnjë luftë apo asnjë virus të mos na kërcënonte seriozisht jetën.

Ora 17:37
Zhgënjen edhe Vlora! Ngjitur me njëri-tjetrin, qytetarët dynden pa asnjë masë (VIDEO)

E njëjta panoramë si në qytetet e tjera të vendit pasditja ka qenë edhe në Vlorë. Në qytetin bregdetar qytetarët kanë dalë nga shtëpia duke thyer karantinën për 2 orë, por jo duke respektuar masat e përcaktuara. Në pamjet që sjell Report Tv, njerëzit takojnë njëri tjetrin qetësisht, kanë dalë shëtitje me familjen, ndërsa të moshuarit janë ulur në parqet dhe këndet e ndryshme në qytet duke biseduar normalisht pa asnjë masë mbrojtëse. Një situatë tejet shqetësuese.

Ora 17:25
Situata në Tiranë, grumbull edhe te 'Astiri', qytetarët: Jemi shushatur, Zoti e ka në dorë...(VIDEO)

Probleme të shumta janë konstatuar edhe në zonën e 'Astirit' në Tiranë, ku nuk janë respektuar rregullat për të lëvizur duke mbajtur distancën mes njëri tjetrit. Por çfarë thonë qytetarët për këtë gjendje dhe përse nuk zbatojnë masat? Përgjigjet  nga më të ndryshmet. "Maskën nuk e mbaj dot nga fryma maskën. Do shqiptari me lëvizur një cikë, këta thonë nuk vjen nga ajri" tha një i moshuar.

Një tjetër theksoi se "Kam probleme me mushkërinë dhe prandaj dal. Kam qenë dy muaj në gjendje kome, e mbaj maskën se po më zuri mua ika". Disa nuk e besojnë. "Nuk keni frikë? Jo, jo, jo, e ka Zoti në dorë". Një i moshuar thotë se ka mbetur mes katër rrugëve. "Kam mbetur, vetëm, nuk kam as lekë dhe asgjë, më mirë të vdes, kam mbetur. Unë jam bërë për të vrarë veten. Jam si u shushatur". Por ka edhe nga ata qytetar që janë shembull. "E kam me shumë frikë, por nuk kam se çfarë të bëj, nuk kam dalë që të premten, dola për të bërë pazarin. Nga frika tani jemi të rrezikuar edhe brenda".

Ora 17:15
Orarin për të lëvizur vetëm në kushte të domosdoshme, fierakët e shfrytëzojnë për të ndenjur në lulishte (VIDEO)

Orari i vendosur vetëm për të kryer punët emergjente, në të kundërt nëse nuk ke duhet të qëndrosh në shtëpi nuk po ndërgjegjëson as fierakët. Qytetarët duket në grumbuj pa respektuar distancën mes tyre dhe të ulur në lulishtet e qytetit, sidomos mosha e tretë.

Gjithashtu gjatë orarit 16:00-18:00 ka dhe një shtim të lartë të mjeteve në qarkullim, ku në disa rrugë janë krijuar edhe radhë të gjata makinash në një kohë kur i gjithë vendi është në karantinë.

Në rrugët e qytetit shihen një prezencë e lartë e njerëzve që duket që rrinë dhe jo se po mbarojnë punë për pazare apo çështje të tjera që mund të kenë për nevojat urgjente.

Ora 17:04
Pamje të frikshme nga Tirana/ Te 'Brryli' dalin shëtitje me familjen (VIDEO)

Në Tiranë ndryshon zona por jo situata. Asnjë pikë ndërgjegjësimi nuk ka as te "Brryli". Report Tv bëri një vëzhgim në këtë zona të Tiranës, kur njerëzit kanë dalë të gjithë në rrugë duke e shfrytëzuar për shëtitje, disa me familjen sikur të mos ketë ndodhur asgjë, të tjerë grupe - grupe pa ruajtur distancën mes njëri tjetrit.

Ora 16:57
Tiranë, zero ndërgjegjësim për distancën edhe te Pazari i Ri, qytetarët: Ne bashkë jemi edhe në shtëpi...(VIDEO)

Edhe te zona e Pazarit të Ri situata është e njëjtë dhe e përsëritur me atë që ndodhi paradite, pasi të gjithë janë dyndur duke mos respektuar distancën nga njëri tjetri. Rregullin e kanë vendosur vetëm pronarët e dyqaneve që kanë vendosur perimetrin e sigurisë, distancën që në hyrje. Të pyetur nga Report Tv se përse nuk respektojnë distancën, një çift u shpreh për Report Tv se "Ne në një shtëpi jemi, por kur të shkojmë në shtëpi si do të rrimë?". Duket se shqetësimi kryesor për ta ishte harku kohor, pasi sipas tyre "nuk është i mjaftueshëm, ka shumë radhë dhe nuk ia vlen dhe do nuk do mblidhesh me shumë njerëz. Kemi bërë goxha shpenzime me ushqime në shtëpi".

Ora 16:53
Tiranë, fëmijë e të moshuar, qytetarët në Don Bosko dynden në rrugë pa ruajtur distancën (VIDEO)

Rrugët në Tiranë janë plot me të gjitha grupmoshat pa maska dhe masat e tjera mbrojtëse. Report Tv sjell pamjet nga zona e Don Boskos në kryeqytet, ku jo të gjithë qytetarët po e shfrytëzojnë orarin e pasdites për të lëvizur 16:00-18:00 për të blerë ushqimet apo për kryer nevojat e tjera të domosdoshme, por kanë dalë xhiro, pa ruajtur distancën mes tyre duke mos u ndërgjegjësuar pavarësisht apeleve të shumta dhe të forta. I pyetur se përse ndodh ky mos ndërgjegjësim i frikshëm, një qytetar tha për Report Tv se "Mos respektimi vjen nga kujdesi i pakët dhe nuk e dinë rrezikun tamam".

Ora 16:45
Ora 16:00 thyen karantinën në Elbasan, të gjithë qytetarët në shëtitje (VIDEO)

Ora 16:00 -18:00 e vendosur nga qeveria si orar vetëm për të kryer punë e domosdoshme për jetën, duket se është keqkuptuar nga qytetarët pasi të gjithë e konsiderojnë si orar për të dalë nga karantina dhe të bëjnë shëtitje në grupe e me biçikleta. Njerëzit nuk janë ende duke e kuptuar se koronavirusi nuk pyet për orare dhe se është prezent aty gjatë gjithë kohës.

Qytetarët e Elbasanit sapo ka shënuar ora 16:00 kanë dalë të gjithë për shëtitjen e tyre të pasdites. Ajo që vihet re është se thuajse të gjithë kanë dale pa maska dhe doreza e lëvizin shumë pranë njeri tjetrit duke mos respektuar distancën të paktën prej 1 metër.

Ky është veprimi më i gabuar që qytetarët mund të bëjnë në një kohë lufte të tillë dhe shembulli më i keq që mund të japin për të tjetër të cilët respektojnë karantinën në të mirë të vetës, familjes dhe gjithë shoqërisë.

Ajo që vihet re është se në kullën e sahatit në Elbasan nga ana e bashkisë është vendosur flamuri italian në shenjë solidariteti.

Ora 16:45
Asnjë ndërgjegjësim as te korçarët, dynden në rrugë në grupe (VIDEO)

Edhe qytetarët e Korçës sapo shënon ora 16:00 duket se harrojnë çdo masë, urdhër dhe rregull që duhet të zbatojnë për tu mbrojtur nga koronavirusi dhe dynden në rrugë në grupe dhe në shumicën e rasteve edhe pa maska e doreze për t'u mbrojtur.

Kjo tregon se qytetarët nuk janë ndërgjegjësuar ende dhe se me këto veprime të papërgjegjshme po rrezikojnë jetën e të gjithëve.