Sulmet e ndërsjella me dronë e raketa mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit vijuan për të 7-ën natë radhazi.
Ushtria iraniane tha se kishte goditur bazën amerikane në Bahrein, një shtet i vogël në Gjirin Persik. Objektivat përfshinin një depo karburanti dhe bazën e avionëve amerikanë. Nga ana tjetër Komanda Amerikane njoftoi se sulmoi infrastrukturën kritike të Iranit, duke përfshirë këtu pikat e mbikëqyrjes, infrastrukturën logjistike ushtarake, depot nëntokësore të armëve si dhe kapacitetet detare. Garda Revolucionare po ashtu deklaroi se 4 anije që po tentonin të kalonin Ngushticën e Hormuzit janë ndaluar nga forcat iraniane.
Në 3 javët e fundit, sipas Teheranit zyrtar janë vrarë të paktën 50 persona dhe janë plagosur 500 të tjerë nga sulmet amerikane. Viktimat përfshinin pesë gra dhe dy të mitur nën 18 vjeç, ndërsa të plagosurit përfshinin 32 gra dhe 18 fëmijë e adoleshentë.
Përshkallëzimi i konfliktit ka bërë që Irani të pezullojë të gjitha angazhimet sipas memorandumit të mirëkuptimit të arritur me Shtetet e Bashkuara një muaj më parë. Zëvendësministri i Jashtëm Kazem Gharibabadi njoftoi pezullimin, duke akuzuar Uashingtonin për shkelje, me veprimet e tij të fundit ushtarake.
Memorandumi i mirëkuptimit, i arritur me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit, i dha fund javëve të luftimeve midis Teheranit dhe Uashingtonit dhe hapi rrugën për negociata të hollësishme. Megjithatë, marrëveshja ra pasi të dy vendet rifilluan shkëmbimin e sulmeve. "Ajo me të cilën po përballemi tani është mbrojtja e vendit tonë", shtoi Gharibabadi.
Nga ana tjetër mediat shkruajnë se lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili deri më tani nuk është shfaqur asnjëhrë publikisht, mund ta ketë kontaktin e tij të parë ndërkombëtar me Presidentin rus Vladimir Putin, me një telefonatë ose takim.
Dy ushtarë amerikanë u vranë dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas sulmeve iraniane me raketa balistike dhe dronë në Jordani të premten, thanë zyrtarët ushtarakë.
Sipas mediave të huaja, Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se katër anëtarë të shërbimit amerikan u evakuuan për ndihmë mjekësore në spitalet në Jordani, dhe pasi kanë marrë ndihmën kanë dalë.
Sipas Centcom, të tjerë ushtarë që pësuan lëndime të lehta janë rikthyer në detyrë. Ushtria e Jordanisë tha më parë se kishte kapur 10 raketa iraniane të qëlluara në hapësirën e saj ajrore gjatë natës, pa raportuar ndonjë dëm.
Komente






