Jemi në sezonin e prodhimit të vajit të ullirit, por fermerët nuk janë aspak të kënaqur për shitjen e tij. Sipas tyre e kanë të pamundur të gjejnë treg për të shitur produktin e tyre.

Në një intervistë në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, fermeri nga Patosi, Krioz Bregu u shpreh tepër pesimist.

Unë kam 8 vjet që merrem me këtë punë dhe vit pas viti problematika po shtohet më tepër. Unë kam rreth 100 rrënjë shekullorë, janë të përziera. Cilësia është gjithmonë e njëjta, plus që me modernizmin e fabrikave shtohet prodhimi më tepër  por problematika më e madhe është tregu. Kemi treg vetëm me lidhje me shoqëri, me të njohur por nuk është zgjidhje kjo. Sivjet ka sasi më të madhe se vitet e tjera por nuk i dihet se si do shkojë puna e tregut. Por duke parë që njerëzit po ikin, kërkesa sa vjen e bie, shpenzimet rriten” u shpreh ai.

I pyetur për mungesën e tregut ai u shpreh se vitet e tjera porositë merreshin shumë më përpara.

Sepse nuk kemi marrë porosi, herë të tjera kemi marrë porosi. Bëhen porositë dy tre muaj përpara, edhe një vit përpara. Këtë vit mund të prodhojë rreth 500 litra, të porositura kam rreth 200 litra pjesa tjetër mbetet stokë.

Sipas tij, edhe çmimi i vajit të ullirit pritet të jetë më i ulët se në vitet e shkuara, dhe kjo si pasojë e tregut.  

Më së shumti e blejnë në supermarket. Mesatarisht kemi prodhuar 300, 500 700 varion nga prodhimi. Këtë vit litri mund të shkojë nën 5 mijë lekë të vjetra, vitet e tjera ka shkuar edhe 6 ose dhe më tepër. Sivjet nuk besoj se do shkoj më tepër se 5 mijë lekë" tha ai. 

Duket se mungesa e tregut po i shtyn fermerët të heqin dorë nga prodhimi i vajit të ullirit. Për fermerin Krioz Bregu, ky është viti I fundit që përpiqet të gjejë treg për prodhimet e tij.

Nëqoftëse vazhdon kështu vitin tjetër edhe mund t’i presim fare t’i bëjmë dru.

Situata është e përsëritur, pasi edhe vitin e kaluar  për shkak të mbiprodhimit një sasi e madhe e vajit të  ullirit mbeti stok.