Vajza e Dritëro Agollit: Takimi im i përmallshëm me Kadarenë, mikun e ngushtë të babait

Vajza e Dritëro Agollit: Takimi im i përmallshëm me Kadarenë, mikun e ngushtë të babait

Të jashtëzakonshme kanë qenë emocionet e Elona Agollit, vajzës së shkrimtarit Dritëro Agolli, sot paradite, në një takim me shkrimtarin Ismail Kadare. Pas lamtumirës së dy prindërve të saj të dashur, Dritëro e Sadije Agolli ( që u larguan nga jeta njëri pas tjetrit, në harkun kohor të dy vjetëve të fundit) Elona po iu kthehet kujtimeve, duke u takuar me miqtë më të mirë të dy shkrimtarëve në amshim. 

Por takimi me Ismail Kadarenë ka qenë nga më të veçantë për vajzën e Dritëroit. Për koincidencë në këtë takim të ngrohtë, ajo ka parë një flutur, për shfaqjen e së cilës, i pëlqen të besojë se “përcjell mesazhet e dashurisë dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave”


Elona dhe Kadareja, siç duken qartë në fotot ku janë takuar, janë të dy të pushtuar nga emocionet. Elonës i kujtohet fëmijëria, kur ajo i thoshte shkrimtarit të njohur të asaj kohe me familjaritet xhaxhi “Ismail”. I kujtohet fqinjësia e mirë dhe takimet e mbrëmjeve me të atin, kur dy shkrimtartë më të mëdhenj të kohës ndanin shqetësimet profesionale dhe hallet e jetës tyre. 

Të gjitha gjërat e bukura, që kanë ruajtur kaq gjatë miqësinë mes shkrimtarëve në kohët e vështira të diktaturës  nuk shuhen nga kujtesa e vajzës së Dritëroit. E përmallur dhe plot dashuri, Elona Agolli i dedikon këtij takimi me shkrimtarin e madh Ismail Kadarenë këto fjalë:   

“Pak pas mesditës, në kafenenë mes gjelbërimit, aty ku vite më parë babai im ishte takuar me mikun e tij të vjetër , Ismail Kadare , do të ulesha edhe unë, përballë tij, e mallëngjyer dhe jo me pak emocione . 

“Zoti Kadare po ju priste, si rrallëherë ndodh me dikë .”- përsëriste botuesi dhe miku ynë, Bujar Hudhri . 

U ula pranë , duke vëzhguar sytë e buzëqeshur, qëndrimin plot siguri , siguri që përcjell madhështia, gjeste e mimikë që transmetonin përmallim , pasi pranë tij qëndronte vajza e mikut , ( miqësi që të paktë e kanë kuptuar në ngjyra, thellësi e dimension); 


“ Ky do të ishte lajm -,theu heshtjen me plotësinë e zërit të tij . Pasi unë kam qenë shumë mik i afërt me Dritëroin dhe madje shumë herët, që në Gjirokastër, mik i ngushtë...Atë çfarë unë ndaja me të , nuk e ndaja me askënd. Është punë tjetër çfarë serviret në skenarë të sajuar.”

Vijonte rrjedhshëm biseda dhe vetja herë më kthehej në fëmijë kur xhaxhi Ismailin e dëgjonim dhe e shihnim me kureshtje, pasi ai ishte figura magjike dhe mistike, dhe herë adoleshente kur dhurata e një këmishe të hollë, ngjyrë gjaku, më nxiste në rrugëtimin e vrasjemendjes të përse-ve dhe simbolikës së asaj dhurate . 

U fol për shumëçka rreth asaj tavoline; për Gorkin dhe letërsinë e realizmit socialist, për figurën e diktatorëve në anët e tyre mizore por dhe të vanitetit, vanitet që disa herë i lejonte të bënin edhe të mira; për Fishtën me hamendësimin “ a do të dinte në gjallje të tij kundërshtitë e krijuara falë veprës së tij “, për Lasgushin dhe librat e kujtimeve mbi të, për zhanrin e memorieve dhe sa i përhapur është në letërsinë e vendeve të ish -Lindjes ; hera - herës biseda ngjyrosej edhe nga ironia( sa e ngjashme me atë të babait tim ! ) .

Qëndruam gjatë dhe u fol gjatë , por “ e padukshmja “, ajo çfarë shpirti përcillte , shprehej në dritën dhe përmallimin e hijshëm të syve. 
Një flutur e murrme vringthi bëri një gjysmë rreth mbi tavolinën ku qëndronin gotat tona. Ndoshta vetëm unë e vura re , ndoshta veçse mua më ndjek në dhomat e trurit tim “engjëllushja” flutur. Isha unë aty , ajo , bija , që përcjell mesazhet e shpirtit dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi: Musk dhe Trump vlerësohen afërsisht njësoj nga amerikanët

Sondazhi: Musk dhe Trump vlerësohen afërsisht njësoj nga amerikanët