Një kujtim rrëqethës i telefonatës së fundit, më pas rrëfimi i ditëve dhe ngjarjeve që çuan në zbulimin e së vërtetës dramatike. Episodi i Pashkëve i “Verissimo" iu dedikua Ilaria Sulës, studentes shqiptare në Terni që mbeti e vrarë me thikë nga ish i dashuri i saj, Mark Samson më 26 mars 2025 në Romë, në apartamentin e rrugës Homs, dhe trupi i së cilës u vendos brenda një valixheje që më pas u hodh në një greminë në Capranica Prenestina.
Prindërit e Ilarias, nëna Gëzime dhe babai Flamur, rikujtuan ato momente tragjike.
“Më 25 mars ishte hera e fundit që folëm me Ilarian”, kujton Flamur Sula. “Folëm rreth njëzet minuta për gjëra të zakonshme. Ajo foli me mua dhe me nënën e saj. Kishte thënë se do të kthehej në shtëpi më 29.”
“Çfarë ka ndodhur nuk e dimë, të vërtetën nga Ilaria nuk kemi mundur ta mësojmë kurrë. Për ne, megjithatë, nuk është ashtu siç është treguar nga ata (Samson dhe nëna e tij). Ilaria, shpjegon nëna, nuk kishte qëndruar për të fjetur tek ai. Ishte një vajzë e vendosur, nëse thoshte ‘jo’, ishte ‘jo’.”
“Më 29 mars”, vazhdon Gëzime Sula, “i vëllai shkoi në stacion për ta marrë, por Ilaria nuk mbërriti. Telefonova burrin tim që ishte në punë dhe e pyeta nëse kishte folur me të. I thashë të kthehej menjëherë në shtëpi, sepse vajza jonë nuk po përgjigjej në telefon dhe nuk kishte ardhur me tren. Vazhdonim ta telefononim dhe aty kuptuam se diçka nuk shkonte, sepse nuk ishte një sjellje që Ilaria do ta kishte bërë.”
“Folëm me shoqet e saj dhe ato na thanë se që nga 25 marsi nuk ishte kthyer më në shtëpi, se ishte në Napoli me një djalë dhe një vajzë për t’u argëtuar dhe për të filluar një jetë të re. Sepse në fakt ato ishin mesazhet që Mark u dërgonte shoqeve nga telefoni i Ilarias...”
“Pastaj”, vazhdon babai, “u nisëm dhe shkuam në Romë. Bëmë kallëzim për zhdukjen në komisariatin e San Lorenzos dhe aty pamë për herë të parë Mark Samson. Ai më tha: ‘Më vjen keq që po njihemi në këtë situatë’. Pastaj i bëra disa pyetje, si p.sh. prej sa kohësh nuk e kishte parë. Ai më tha se kishte një muaj që nuk e kishte parë dhe nuk kishte folur me të, dhe se ishin ndarë.”
“Por mua”, kujton i ati, “kjo gjë nuk më dukej e besueshme, sepse Ilaria më 15 mars kishte ardhur në shtëpi dhe nuk na kishte treguar asgjë për këtë. Prandaj e mora mënjanë dhe i thashë: a ke lidhje ti me këtë situatë? Ai më u betua mbi ‘varrin e nënës’ se nuk do t’i prekte asnjë fije floku Ilarias dhe se e donte. Këto ishin fjalët e tij.”
Flamur kujton gjithashtu se më 30 mars e kishte takuar sërish për herë të dytë, duke i bërë të njëjtat pyetje dhe duke marrë të njëjtat përgjigje.
“Më 31 mora një mesazh nga telefoni i Ilarias: ‘Përshëndetje ba, mos u shqetëso se jam mirë. Përshëndeti Gëzimin dhe Çiçon (vëllain). Do të kthehem në shtëpi këtë muaj ose muajin tjetër. Betohem. Ju dua’. U përpoqa ta telefonoja, por telefoni menjëherë pas kësaj ishte i fikur. I shkrova se doja të dëgjoja zërin e saj.”
Më pas vëllai, Leoni arriti të gjurmonte vendndodhjen e telefonit të Ilarias dhe pa se ishte brenda shtëpisë së Mark Samson. Gjatë kësaj kohe, ai dërgonte mesazhe duke u përpjekur që ta bënte të dukej sikur Ilaria ishte larguar me vullnetin e saj të plotë.
“Jeta jonë ka ndryshuar plotësisht tani. Siç thotë djali im, ne nuk jetojmë, ne mbijetojmë. Duhet të përpiqemi të vazhdojmë përpara vetëm për të pasur drejtësi për vajzën tonë. Dhe për djalin tonë. Buzëqeshja jonë nuk do të kthehet më në fytyrat tona. Por për Ilarian do të ketë drejtësi, dhe unë besoj në drejtësi”, thanë ata.
“Gjëja që na bashkonte më shumë ishte fakti që për çdo gjë unë mund të mbështetesha tek ajo dhe ajo tek unë. Nëse kisha nevojë për ndihmë edhe për një gjë të vogël, mjaftonte një telefonatë ose një mesazh. Ajo më mbronte”, thotë vëllai i saj, Leon.
Ëndrra më e madhe e Ilarias, tregoi ai, “ishte të realizonte ëndrrën e prindërve: të vazhdonte studimet, të kishte një të ardhme, të ishte një grua me vlerë, të gjente një punë të mirë, me pak fjalë të mos bënte sakrificat që prindërit tanë kanë bërë për ne. Babai im erdhi në Itali në moshën 18-vjeçare, nuk njihte askënd dhe nisi një jetë nga zero. Një gjë që dua t’u them është se më kanë mua për çdo gjë. Për mua kjo është një përgjegjësi e madhe. Fakti që kam mbetur vetëm unë si fëmija i tyre i vetëm, nuk mendoj se është arsyeja e vetme për të jetuar, sepse ata kanë ende dy arsye të mëdha për të vazhduar të jetojnë: njëra jam unë, dhe tjetra është të vazhdojnë gjithmonë të mbajnë gjallë kujtimin e Ilarias, sepse edhe pse nuk është këtu me ne, ajo është gjithmonë në zemrat tona. Ilaria është gjithmonë këtu.”
Më pas fjala iu dha sërish prindërve që folën edhe për procesin gjyqësor në vazhdim në Gjykatën e Apelit në Romë.
“Nuk e di me çfarë guximi Mark arriti të bëjë atë që bëri dhe me çfarë fytyre nëna e tij vjen të më kërkojë falje pasi ka shkelur me këmbë gjakun e vajzës sime”, tha babai i Ilarias.
Rrëfimi i nënës së saj është rrëqethës.
“Ashtu si e preka për herë të parë kur lindi, e sistemova me duart e mia ditën e fundit. Doja ta laja vetë, ta prekja trupin e saj. I thashë burrit: dua t’i blej një fustan princeshe për vajzën tonë, sepse ajo ishte princesha e shtëpisë. Shkova i bleva fustan dhe këpucë,” rrëfen mes lotësh ajo.
Gëzimja e viziton çdo ditë varrin e së bijës.
“Shkoj çdo ditë, ulem dhe i flas për ëndrrat që nuk arriti t’i realizojë. Ajo mezi priste të diplomohej. Sot është Ilaria ajo që më jep forcë të vazhdoj, jam këtu për të kërkuar drejtësi për të”, përfundoi nëna.
Komente






