‘Vajzën e ka rrëmbyer MEK’, iraniania Somaieh Mohammadi flet për herë të parë në Report TV: Rri në kamp me dëshirë

Tiranë- Historia e 38-vjeçares, Somaieh Mohammadi anëtare e rezistencës iraniane MEK e vendosur në Shqipëri pranë kampit së bashku me muxhahedinët e tjerë ka prekur dhe institucionet shqiptare. Babai i 38-vjeçares i është drejtuar institucioneve shqiptare duke denoncuar rrëmbimin e vajzës së tij nga MEK, ndërsa e bija shprehet se babai i saj gënjen.

Për herë të parë Report Tv ka siguruar një intervistë të 38 vjeçares ku ajo sqaron historinë e saj 15 vjeçare dhe shprehet se pranë MEK ajo qëndron me dëshirë dhe askush se pengon të largohet nëse ajo do të vendos një ditë.

“Aktualisht, unë kam një histori të gjatë 15-vjeçare dhe për këtë kam shkruar një libër në persisht, anglisht dhe arabisht.

Tani po mundohem ta përkthej dhe në shqip.

Mustafa, babai im, ishte mbështetës i muxhahedinëve. Kur vëllai im donte të linte kampin e Ashrafit, ai iku në Kanada. Në këtë moment, unë i thashë atij që s’dua të largohem nga muxhahedinët dhe ai e dinte që ishte zgjedhja ime.

Më pas nuk e di se çfarë ndodhi. Në 2004 dëgjova se ai punonte për regjimin e Iranit, ai vinte në Irak tre ose katër herë në vit dhe ai donte të ndikonte te unë e miqtë e mi duke na thënë shumë gënjeshtra, duke thënë se ne ishim të marrë peng nga muxhahedinët.

Edhe në Shqipëri ai ka ardhur për të thënë të njëjtat gënjeshtra.

Unë kam pasaportën e tij për të treguar, pasi ai është shtetas kanadez, por ai ka ardhur nga Irani në Irak dhe ka një vulë gjithashtu.

Pas 3 vitesh unë erdha në Shqipëri dhe ai (babai) po ashtu erdhi në Shqipëri për t’i thënë popullit shqiptar se muxhahedinët më kanë rrëmbyer mua, por kjo s’është e drejtë. Unë këtu jam në një vend të lirë. Çdo ditë dal dhe takoj doktorin, bëj shopping, takoj miqtë e mi. Nëse dua t’i lë muxhahedinët unë mundem, por kjo nuk është zgjedhja ime dhe ai e di më mirë se mua. Herën e parë që unë erdha te muxhahedinët, Mustafai nënshkroi një marrëveshje. Kjo është marrëveshja ku tregon se Mustafa dhe nëna ime ishte dakord dhe është dhe firma e shënuar me gisht. Unë i shkrova dhe një letër z.Xhafaj dhe kjo letër është publikuar dhe në media. Gjëja e fundit që doja të thoja është se këtu është një vend i lirë dhe nëse dua të shkoj diku mund të shkoj. Kërkoj të jeni zëri im për t’i treguar njerëzve të tjerë se unë dua të qëndroj te muxhahedinët dhe qëndrimi i Mustafait në Shqipëri është i gabuar dhe ato që thotë ai s’janë të vërteta.

Iraniania Somaieh Mohammadi

Shënim: Intervista i është dhënë kreut të shoqatës së Miqësisë shqiptaro-muxhahedine, Namik Kopliku

Më poshtë letra e babait të muxhahedines

LETRA E PLOTË

Namik Kopliku, na mundësoni që të takohemi me vajzën tonë

I nderuar Z. Namik Kopliku,

Unë babai dhe mamaja e Somayeh Mohammadit kemi parë intervistën që vajza jonë ka dhënë nga kampi paramilitar i ish-organizatës terroriste të moxhahedinëve iranianë në Manëz të Durrësit. Ju si bashkëpresident i shoqatës Shqipëri – Moxhahedin në prezencë të gruas suaj, Alma Kopliku keni intervistuar vajzën tonë, të cilën ne si prindër, komanda e lartë moxhahedine nuk na lejon ta takojmë prej 15 vitesh.

Së pari ne duam të të falenderojmë që na tregove në video vajzën tonë. Na kishte marrë malli ta shikonim. Kemi qarë shumë kur e pamë vajzën tonë të plakur nga terrori i moxhahedinëve. Kemi vajtuar kur pamë sesi na e kanë katandisur dritën e syve tanë pengmarrësit xhihadistë.

Sikur kemi deklaruar edhe në media, ne e dinim që prej disa ditësh që MEK-u po përgatiste këtë intervistë. Miqtë e Somayehs brenda në kamp dhe të tjerë që kanë braktisur xhihadin dhe janë të lirë, na kanë treguar për presionin psikologjik që Gestapoja moxhahedine po bënte kundër vajzës sonë. Ne jemi shumë të lumtur që vajza jonë i ka rezistuar presionit moxhahedin deri më tani, dhe tashmë më në fund, pranoi të dali në media dhe të thotë që nuk do të takojë nënën dhe babën e saj, por do të takohet me Namik Koplikun, një ish-komunist e socialist që tanimë është vënë nën shërbim të moxhahedinëve.

Njerëzit që lexojnë këtë letrën tonë dhe kanë parë videon tuaj me vajzën tonë ndoshta kanë thënë: ç’është kjo mostër që nuk do të takoj mëmën dhe babën e saj por do të rrijë me një grup ekstremist të dhunshëm dhe takohet me Namik Koplikun dhe është katandisur aq keq sa as nënë e babë nuk u thotë prindërve të saj, por i drejtohet me emra sikur ti kishte komshinj e jo ata që i bënë kokën. Këtyre personave, ne i themi: mos na e gjykoni vajzën! Ajo është peng dhe deklaratat e saj kanë dalë si pasojë e një terrori psikologjik dhe fizik.

Z.Kopliku,

Ju jeni vetë baba dhe ju e dini sesi do të silleshit nëse vajza juaj, Klarisa dhe djali juaj Alen Kopliku, do të ishin marrë peng nga një grup i dhunshëm xhihadist dhe do dilnin në media dhe do thonin nuk duam ta takojmë mamin dhe babin tone pse nuk besojnë në xhihadin e MEK-ut. Do të thonin që ne duam të bëjmë xhihad në Iran, dhe nuk duam të jetojmë në liri dhe demokracinë e një vendi perëndimor sikur është Kanadaja.

I fortë jeni që keni pranuar të bëni një intervistë të këtillë!

Ne, sikur të na paguanin të gjithë floririn e botës nuk do pranonim që të intervistonim Klarisën dhe Alenin, nëse ata do ishin trushpëlarë nga një organizatë xhihadiste dhe do u mallkonin ju. Ju qofshi si keni guxuar të bëni një akt të këtillë. Ne e dimë që në kohë të komunizmit, Partia juaj e Punës bënte kështu teatrosh përditë. Dilnin bijtë dhe vajzat e Partisë dhe shanin e godisnin prindërit e tyre kulakë, armiq dhe reaksionar. Ja që historia e përsëritka veten, dhe organizata ish-terroriste moxhahedine bëri me ju, atë që te ju bënte Enver Hoxha 4 dekada më parë. Ti qofsh!

Z.Kopliku,

Në intervistën që vajza jonë ka dhënë me ju, ajo thotë që ka dëgjuar që unë babai i saj punoj me regjimin e mullaheve, që jam në Shqipëri të them të njëjtat gënjeshtra, që kam shkuar në Irak nga Irani, që kam shkuar me 320 altoparlantë në kampin xhihadist Ashraf etj. Në rrëfimin e bijës sonë e cila dridhet nga frika dhe u sheh ju në sy dhe tre komandantët moxhahedinë që u rrethojnë pas kamerave, ka të vërteta dhe gënjeshtra.

E vërteta numër një është që vajza jonë ka mësuar përmendësh konfesionin që gestapoja moxhahedine i ka diktuar asaj. E vërteta dy është që në atë sallë, ju dhe tre komandot xhihadistë jeni duke intervistuar një vajzë të trembur, brenda një kampi paraushtarak.

E vërteta tre është që po, ne si familje kemi qenë mbështetës të MEK-ut, por që e braktisëm këtë organizatë pasi kuptuam natyrën e saj terroriste, në një kohë që SHBA-të, BE-ja, OKB-ja etj e kishin shpallur organizatë terroriste. Unë kam shkuar në Irak nga Irani që të takoj vajzën time dhe për këtë nuk kam asnjë turp dhe ky nuk është krim. Kam shkuar dhe shkoj në Iran pas 17 vjetësh që isha larguar, ku takoj familjen dhe miqtë e mi, dhe për këtë nuk kam as turp dhe as nuk do i marr leje terroristëve moxhahedinë, të cilët duan të bëjnë luftë me Iranin. Kam shkuar me altoparlantë në kampin e MEK-ut për të kërkuar bijën time dhe nuk do ndaloj së bëri këtë. Videot e mia ku kërkoj vajzën time i gjen në të gjithë internetin. Unë nuk do ndaloj së bëri këtë deri sa kuçedra plakë Marjam Rajavi dhe Gestapo moxhahedine të lëj vajzën time të lirë.

Po ju z. Kopliku:

Çfarë do bënit nëse MEK-u dhe Marjam Rajavi do u rrëmbente Klarisën dhe Alenin? A nuk do kishit luajtur çdo gur që të nxirrnit në liri vajzën dhe djalin tuaj? A nuk do ishit përballur me çdo bir kurve e terrorist deri sa të lironit vajzën tuaj? Po nëse Massoud Rajavi do ua kthente Klarisën në skllave seksi, çfarë do kishit bërë? Po nëse MEK-u do linte vajzën tuaj që të dilte nga kampi ushtarak i Manzës vetëm njëherë në javë, për të shkuar te doktori, sikur thotë Somayeh, çfarë do kishin bërë? A do pranonte Klarisa apo Alma juaj që të rrinin brenda në kampin e MEK-ut gjithë javën, të flinin si qen në kapanone ushtarake dhe të dilnin jashtë vetëm njëherë në ditë për të shkuar te doktori? Po Alma dhe Klarisa juaj a do pranonin të visheshin me ferexhe dhe me uniformë ushtarake sikur Somayeh?

Sa i përket akuzave të vajzës sonë që thotë “kam dëgjuar që” ne punojmë për qeverinë iraniane, kjo është gënjeshtër që asaj ia ka dhënë komanda e MEK-ut në prezencën tënde. Që të mësoni më shumë ju dhe MEK-u mbi bashkëpunimin tim me hoxhallarët e Iranit, kontaktoni qeverinë kanadeze dhe zyrën e taksave ku unë bëj taksat në Kanada.

Z.Kopliku,

Meqë ju keni akses në kampin moxhahedin, dhe ne babai dhe mamaja e saj nuk lejohemi të shkojmë aty; ne u kërkojmë miqësisht të na bëni një nder:

Ju lutemi, na e nxirrni vajzën tonë jashtë kampit të MEK-ut që ta takojmë. Na mundësoni që ta takojmë vajzën tonë pa prezencën e Gestapos moxhahedine në një kafe në Tiranë apo në Durrës.

Vajza jonë Somayeh, ndryshe nga fëmitë tanë të tjerë, Mira, Mortezai dhe Mohammedi që jetojnë në Kanada, nuk është e lirë. Ajo është peng i organizatës ish-terroriste për të cilën ju punoni, moxhahedinëve iranianë. Vajza jonë prej 21 vitesh nuk ka akses në telefona personal, në internet, në media e në televizor sikur Klarita juaj ka. Ajo nuk ka të dashur apo familje sikur vajza dhe djali juaj z. Kopliku. Ajo nuk ka prona, nuk ka veshje të bukura, nuk ka liri që të dali në kafe e vetme me një shok, por gjithmonë duhet të jetë e shoqëruar nga 2 komandantë moxhahedinë. Vajza jonë është skllave z. Kopliku, ndërsa vajza juaj Klarita është e lirë.

Ajo është nën presion konstant psikologjik dhe fizik nga komanda moxhahedine, njësoj sikur ishin vajzat dhe djemtë shqiptarë që ju bashkuan ISIS-it në Siri dhe në Irak dhe hidheshin në erë e vrisnin njerëz. Vajza jonë, njësoj sikur bijtë dhe bijat shqiptare që shkonin dhe vrisnin njerëz në Siri dhe në Irak për Abu Bakr al Bagdadin, është trushpëlarë dhe radikalizuar e mbahet si mish për top në kampin e MEK-ut, që një ditë, kur ti japi urdhër Marjam Rajavia nga Parisi, do të kapi pushkën dhe shkoj të vritet në luftë në Iran.

Z.Kopliku,

Ju lutemi, vini dorën në zemër! Mendoni njësoj sikur në vendin e Somayes të ishte Klarisa dhe Aleni, dhe ata në vend që të jetonin në Tiranë apo Shkodër të jetonin në kampin xhihadist Ashraf dhe që aty të të sulmonin ty dhe Almën.

Z.Kopliku,

Meqë ju jeni njeriu i besuar dhe i paguar i MEK-ut në Shqipëri, ne u lusim në emër të Allahut (edhe pse ju nuk besoni në Zot) që të na mundësoni që ta takojmë një ditë në kafe bijën tonë Somayeh, larg prezencës së komandës moxhahedine.

Na ka marrë malli për bijën tonë z.Kopliku! Kemi 15 vite pa e parë! E imagjinon dot ti dhe Alma, sesi do të silleshit ju sikur të kishit 15 vite pa parë Klarisën dhe Alenin? Sikur Marjam Rajavia t’ua mbyllte fëmitë në kampin Ashraf dhe t’u thoshte që babai dhe mamaja juaj janë armiq, dhe ju duhet ti sulmoni? Çfarë do bënit ju sikur Klarisa, vajza juaj të shfaqej në kamera, e veshur me ferexhe dhe uniformë ushtarake dhe të thoshte që unë nuk dua ta takoj Namik dhe Almën, por dua të shkoj dhe bëj xhihad në Iran?

Pashi Allahun! Pashi familjen, nderin dhe çfarë te keni ju të shenjtë! Pash Klaritën dhe Alenin!

Na mundësoni që të takojmë vajzën tonë. Na mundësoni që ta deradikalizojmë dhe ta largojmë nga ekstremizmi i dhunshëm dhe nga kampi ushtarak i MEK-ut. Na mundësoni që ta takojmë vajzën tonë jashtë kampit xhihadist dhe ta bindim që ta marrim në Kanada, vendin e lirisë dhe demokracisë. Na mundësoni që ta ekzaminojmë vajzën tonë me një psikolog dhe mjek dhe kuptojmë pse MEK-u na e ka trembur dhe radikalizuar kaq shumë.

Vajza jonë nuk ka lidhje me Iranin z. Kopliku aq as nuk keni lidhje edhe ju me Iranin, demokracinë, Amerikën etj! Ajo nuk sjell dot demokraci në Iran sikur edhe ju nuk sillni dot demokraci apo nuk e luftoni dot korrupsionin në Shqipëri z. Kopliku! Deklaratat e vajzës sonë, apo tuajat në mediat moxhahedine për luftë për demokraci në Iran, janë Donkishotizma të MEK-ut dhe ju e dini këtë. MEK-u është një organizatë fashiste dhe totalitare që drejtohet nga një familje kriminale, që nuk pranon të ketë zgjedhje demokratike brenda saj, që rrëmben fëmijë dhe mban njerëz pengje dhe kërkon vetëm luftë dhe xhihad. Ajo është organizata e fundit në botë që mund të flaës për demokraci.

Z.Kopliku,

Le ta harrojmë MEK-un për një moment. Ne kemi vetëm një kërkesë për ju: Na mundësoni një takim me vajzën tonë! Ndihmoni këtë nënë dhe baba që qajnë për vajzën e tyre natë e ditë.

Mos u bëni pjesë e krimit moxhahedin, pse do t’u zërë mallkimi i Allahut dhe i nënës së cilës i është rrëmbyer shpirti i saj 21 vite më parë! Do t’u zërë mallkimi i të gjallit dhe të vdekurit, nëse bëheni pjesë e krimit moxhahedin. Intervista juaj dhe e Almës brenda kampit moxhahedin, e ka bërë gruan time, mamanë e Somayehs të qajë dhe ulërijë deri në mes të natës. Keni bërë një mëkat të madh z. Kopliku kur keni intervistuar bijën tonë në kampin e pengmarrësve moxhahedinë. Jeni bërë palë me pengmarrësit dhe vrasësit! Jeni bërë sikur ata politikanë shqiptarë që në vitin 1997 bëheshin palë me përdhunuesit dhe vrasësit shqiptarë që terrorizonin popullin.

Z.Kopliku,

Na ndihmoni që të shpëtojmë vajzën tonë nga organizata e dhunshme moxhahedine, ju lutem! Na ndihmoni ta shpëtojmë vajzën tonë nga ekstremizmi i dhunshëm dhe xhihadi moxhahedin. Na ndihmoni që vajza jonë të jetojë e lirë sikur vajza juaj, Klarisa.

Nëse keni një fije humanizmi dhe nëse komanda moxhahedine do dëgjoj fjalën tuaj dhe do bëhet njerëzore, dhe do lejoj bijën tonë që të dali nga kampi i tyre ushtarak, na ndihmoni. Sigurojeni MEK-un që nëse na e jep vajzën tonë pas 21 vitesh pengmarrje, ne do zhdukemi dhe nuk do na dëgjoni më kurrë! MEK-u dhe Marjam Rajavi mund të bëjnë xhihad sa të duan dhe me kë të duan, nëse na lë vajzën tonë të lirë! Ne nuk do të merremi më me organizatën tuaj të frikshme!

Jepjani ofertën tonë MEK-ut!

Bëni një sevap dhe shpëtoni fëminë tonë nëse keni një fije humanizëm në shpirt!

Ju lutemi në ndihmoni!

Ndërhyni për ne te Marjam Rajavia dhe MEK-u që të lënë të lirë bijën tonë!

Mostafa Mohammadi dhe Mahbube Hamza

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri