Portreti i Lamine Yamal shfaqet mes rrënojave të Gazës. Sulmuesi spanjoll valëviti flamurin e Palestinës gjatë paradës së festës që Barcelona zhvilloi për fitimin e titullit të 29-të kampion në La Liga.

Artistët në Gaza vendosën që ta 'përjetësonin' veprimin e Yamal në rrënojat e një godine të shembur në Gaza, si një simbol të mbështetjes që 18-vjeçari i futbollit u dha publikisht palestinezëve. Në sfond shihen ndërtesat e shkatërruara, duke krijuar një kontrast të fortë mes dramës së luftës dhe mesazhit të solidaritetit.

Një nga krijuesit e muralit, artisti Ubay al-Kurshali, shpjegoi për Reuters pse e nisi këtë punë. Ai tha se shfaqja e flamurit palestinez nga Yamal gjatë një festimi të ndjekur nga miliona tifozë nga e gjithë bota, ishte një simbol i mbështetjes së madhe morale për ta.

"Fillova të punoja në këtë pikturë pasi Lamine Yamal ngriti flamurin palestinez gjatë një festimi masiv të parë nga e gjithë bota", tha artisti.

Ubay al-Kurshali theksoi se njerëzit që jetojnë në Gaza duan ta falenderojnë Lamine Yamal për këtë hap. Artisti beson se futbollisti i ri e dinte se veprimet e tij mund të rrezikonin karrierën, pjesëmarrjen në ndeshje dhe të ardhmen e tij, por ai prapë e shprehu hapur qëndrimin e tij.

"Duam ta falenderojmë për atë që bëri. Lamine rrezikoi karrierën e tij, pjesëmarrjen në ndeshje dhe të ardhmen e tij, por nuk i interesonte, ai mbështeste palën palestineze", tha ai.

Veprimi i tij solli shumë diskutime pro dhe kundër, ndërsa ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz e kritikoi gjestin.

“Lamine Yamal zgjodhi të nxiste urrejtje kundër Izraelit, ndërsa ushtarët tanë luftojnë organizatën terroriste Hamas, një organizatë që masakroi, përdhunoi dhe dogji fëmijë, gra dhe të moshuar hebrenj më 7 tetor (2023)”, shkroi Israel Katz në X të enjten.

Lamine Yamal kohët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për lojën e tij në fushë, por edhe për veprimet e tij jashtë saj. Pavarësisht moshës së re, ai është bërë tashmë një nga lojtarët kryesorë të Barcelonës dhe po përmendet si një simbol i një brezi të ri në futbollin botëror.

Gjatë punës për krijimin e muralit të Lamine Yamal në Gaza