Ashtu siç përflitej prej ditësh tashmë Carlo Ancelotti është zyrtarisht trajneri i ri i Everton. Klubi anglez që më herët kishte mohuar një bashkëpunim me trajnerin italian ka njoftuar sot në faqen e saj se ka arritur marrëveshjen me 60-vjeçarin. Ancelotti, i cili pak ditë më parë u shkarkua nga Napoli, ka firmosur një kontratë të vlefshme për katër vite e gjysmë.
Everton ishte pa trajner që prej datës 5 dhjetor kur shkarkoi trajnerin Marco Silva pas disfatës 5-2 në derbin kundër Liverpool.
Ndërkohë ndryshime të tjera ka patur edhe në klube të tjera të Europës. Pas humbjes 1-4 kundër Romës Fiorentina ka ndërprerë bashkpunimin me trajnerin Vincenzo Montella. Klubi vjollc pas 17 ndeshjesh ka grumbulluar 17 pikë, me një mesatare 1 pikë për ndeshje, një numër i papëlqyeshëm për drejtuesit në Firence, të cilët këtë sezon kishin pritshmëri të mëdha.
Vendin e punës e rrezikon shumë edhe Lucien Favre, trajneri i Dortmund, skuadrës që mbrëmë u mposht 2-1 nga Hoffenham në ndeshjen e vlefshmë për javën e 17 të Superligës. Kualifikimi në Champions League e shtyu disi kohëzgjatjen e tij te verdhezinjtë, por tani nga moment në moment pritet edhe shkarkimi i tij.