Vangjeli: Rama dhe Meta, dashuri në kohën e interesit

Vangjeli: Rama dhe Meta, dashuri në kohën e interesit

Edi Rama dhe Ilir Meta

Eshtë si një lojë sporti, një ndeshje futbolli, në të cilin ekipet ndërrojnë portat. Në kërkim të të njëjtës brohorimë suksesi që ngrihet mbi humbjen e kundërshtarit. Ky është derbi i Tiranës tashmë 20 vjeçar Rama – Meta. Një fejesë e zgjatur që përfundonte në divorc sa herë nënshkruhej martesa.

Për Edi Ramën, në harkun e një viti e ca, Ilir Meta është shndërruar nga presidenti më i mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, në taksirat për shqiptarët dhe taleban për gjykimin politik. Dy vjet e pak mbasi vuri në rresht të vetët për ta votuar si president, Rama kërkon të verë në rresht deputetët e tij dhe ata që i dhuroi në parlament Basha që të largojë Metën nga zyra.

Për Ilir Metën, në harkun e dy vjetëve e ca, Edi Rama është shndërruar në kërcënimin e frikshëm, përballë të cilit shqiptarët kanë vetëm tre mundësi reagimi: marjen e armëve, shndërrimin në skllevër apo ikjen nga vendi. Dhe nuk e le me kaq. Duke mos pranuar asnjërën prej këtyre mundësive, Meta le të kuptohet se e keqja më e vogël mes të këqijave, ka të bëjë pikërisht me armët.

Në këtë metamorfozë të rradhës të qëndrimeve të dy njerëzve të fuqishëm të politikës karshi njëri-tjetrit, secili trashëgon përdorimin e fjalës së fundit duke e vizatuar tjetrin si përbindësh; simbioza e hershme mes ëngjëllit dhe djallit e ka bërë prej kohësh djallin më pak të zi dhe ëngjëjt më shumë tokësorë.

Kjo gjuhë lufte mes njerëzve që kanë shijuar paqen mes tyre, për dikë që e sheh për herë të parë këtë lloj fotografie bardh e zi, dëshmon sesa larg shkon gjuha, por jo veprimi në Shqipëri. Por nëse i referohesh kujtesës, diçka e tillë mes tyre nuk është risi. Eshtë spiralja e zakonshme e marëdhënieve të të dyve me njëri-tjetrin. Nuk ka ndodhur për herë të parë dhe asnjëherë nuk ka qenë hera e fundit, edhe pse gjithmonë dukej se mes tyre, prekja e thellësisë së fundit dhe thënia e fjalës së fundit, ka qenë kurdoherë akti i parë që kanë ndarë në mënyrë reciproke.

Të dy bashkë në aleancë kanë dëshmuar se arrijnë sukses gjithmonë në këndvështrimin e tyre personal. Përballë njëri-tjetrit, herët a vonë kanë humbur herë njëri dhe herë tjetri duke parë me dëshpërim si fiton një i tretë. Sipas parimit idiot, se seksi spontan me mullixhiun është gjithmonë hakmarja e duhur ndaj vjehrrës.

Ata e dinë më mirë edhe se kritikët, edhe se brohoritësit e tyre këtë të vërtetë të provuar. Tmerrësisht të ngjashëm dhe tërësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, raporti mes tyre është kushtëzuar pikërisht nga raporti mes luftës dhe paqes që kanë zgjedhur të zhvillojnë. Kësaj here me Ramën që ka nevojë për paqe, por që i është përgjigjur ftesës për luftë. Dhe me Metën që rilind në luftë meqë në paqe, me një opozitë të defaktorizuar për shkak të  mendve të kokës së saj, do të ishte i defaktorizuar edhe vetë.

Kritikët totalë të të dyve, njëlloj si mbështetësit e të dyve pa kushte, ata që nuk kanë lidhje me nuancat në gjykim, i shpallin luftë edhe logjikës minimale, sa kohë rreken të gjejnë të mirin dhe të keqin mes tyre. Nesër ata mund t’i rizhgënjejnë të gjitha palët kur mund të vendosin po vetë të zëvendësojnë stinën e luftës me paqen e stinës së rradhës. Dhe kjo është gjëja më normale sa kohë logjikën e sjelljes në politikë e kushtëzon interesi dhe jo simpatia njerëzore. Dhe sa kohë që në Tiranë do të vepronin vetëm faktorë dhe aktorë lokalë, kjo spirale sjelljeje mes tyre, do të ishte një aksiomë që do të pranohej pa vërtetim. Pavarësisht sherreve për dekretim apo mosdekretim qoftë ministrash, qoftë edhe zgjedhjesh lokale, sherri i tyre i rradhës ndryshon vetëm në arsyen, por jo në tipologjinë e vet. Diferenca me sherret e shkuarës qëndron në faktin se tashmë Tirana kushtëzohet edhe nga lojtarë të tjerë, me një axhendë të ndryshme nga e presidentit dhe kryeministrit.

Nuk votohen nga shqiptarët, por ndikojnë shumë në Shqipëri.

Janë gjithë ata që kanë konceptuar reformën në drejtësi si një mekanizëm që ka edhe axhendë politike. Pa u kuptuar ky detaj, nuk ka asnjë shans të kuptohet marëdhënia e komplikuar mes presidentit dhe kryeministrit, secili prej të dyve, edhe protagonist në konfigurimin e një pushteti të ri në Tiranë – drejtësisë – edhe klient potencial i tij.

Të paktën për momentin, si një efekt anësor dhe i menjëhershëm, drejtësia e re nuk i përgjigjet qytetarit dhe përditshmërisë së tij.

Të paktën për momentin drejtësia e re është kamzhiku i premtuar për të ardhmen mbi mëkatarët, por është pushteti i mohuar i të sotmes për shqiptarët. Që duhet të presin ende që politika të kuptojë se është klient i drejtësisë dhe se drejtësia nuk mund të jetë më produkt i politikës.

Kush kupton një gjë të tillë, kush tenton të shohë përtej të dukshmes dhe kush nuk pranon t’i hapë luftë logjikës, siç ndodh rëndom me ata që duan apo urrejnë pa kushte, ka një çelës për të deshifruar çfarë po ndodh mes kryeministerit dhe presidentit. Vetëm atëherë mund të dëgjohen flautët e paqes, përtej zhurmës së daulleve të luftës. Vetëm atëherë do të shohin flamujt e festës përballë klithmave të ndeshjes. Dhe nëse ndodh që të bëhen sërish bashkë, askush nuk duhet të habitet. Do të kishte ndodhur me kohë një gjë e tillë, nëse Tiranën do ta kushtëzonin si deri më tani vetëm faktorë lokalë. Rikthimi i dashurisë në kohën e interesit është një film i parë shumë herë. Njëlloj si videopërgjimet që nuk janë kurrë ashtu siç duken në shikim të parë. Sepse shpesh janë dhe më keq kur shihen deri në fund!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën