Varfëria morale e Kombit shqiptar dhe Shenjtja Nënë Terezë!

Varfëria morale e Kombit shqiptar dhe Shenjtja Nënë Terezë!

Nënë Tereza

Për pak ditë shqiptarët kanë një ditë pushim zyrtar për nder të Nënë Terezës, por pak e njohin atë realisht dhe aq më pak e duan. Duhet mund për të dashur shenjtët, duhet shpirt, meditim, besim sidomos nga një popull që ka humbur rrugën shpirtërore. Kur e pyetën një herë Nënë Terezën se cfarë këshillash do ju jepte vëllezërve të saj shqiptarë, ajo tha vetëm një : të duan njëri tjetrin.

Nënë Tereza ishte e bija e atdhetarit Nikolë Bojaxhiu (emrin në nder të Shën Kollit), lindur në Prizren me baba autokton dhe me nënë shkodrane. Mamaja e Nënë Terezës që emrin ja has nëpër arkiva një herë Drane, një herë Drandofile dhe jo rrallë dhe Roza ishte nga Novosela e Gjakovës. Bashkë me motrën Age dhe vëllain Lazar ajo do shprehej se kishte kaluar një fëmijëri të mbushur me dashuri dhe vlera njerëzore. Një fëmijëri që i skaliti asaj sidomos shpirtmadhësinë e përulur, babai i saj dhe nëna Rozë ishin mishërim i mëshirës, bamirësisë dhe përulësisë. Nënë Tereza shpesh tregonte se i jati (i cili i la jetim herët) sillte në shtëpi lypsa nga rruga të cilët i ushqente dhe i vishte, dhe kur e pyesnin fëmijët, ai ju përgjigjej, i kemi kushërinj po ju nuk i njihni. Duke shtuar se “asnjëherë mos hani një kafshatë pa e ndarë me të tjerët” Por guri i qoshes së zemrës dhe karakterit të Nënë Terezës do mbetej deri sa mbylli sytë nëna e saj. E cila sic kishte emrin Trëndafile i parapriu fatit të shpirtit të bijës së saj duke e quajtur Gonxhe, dhe Gonxhe jo vetëm për vete por për mbarë njerëzimin. Nënë Tereza tregonte se e jëma shkonte shpesh në kasollet plot mjerim të Shkupit, por sidomos tek një grua që quhej File, e cila ishte e alkolizuar dhe e braktisur, me anë të Files, të cilën do ja përmëndte dhe në letrat e mëvonshme Nëna Rozë i mësoi Nënë Terezës të dojë dhe ndihmojë sidomos të përbuzurit. Lidhja e saj me nënën e saj do e shndrronin Nënë terezën në simbol të mbrojtjes së familjes nga erozioni materialist dhe imoral i kohës. Janë prekëse frazat e saj  se “dashuria fillon nga familja” ose “ku është nëna aty është familja”. Nënë Tereza pavarësisht karakterit të saj të fortë, shpirti i saj do mbantë një tragjedi të madhe, prej 13 tetorit 1928 në moshën 18 vjecare dhe deri sa mbyllën sytë nëna e saj në 11 korrik 1972 në Tiranë (të ardhura në Shqipëri prej 1930) dhe motra e saj e zemrës Age në 20 gusht 1973 po në Tiranë, ajo nuk i pa kurrë. Pavarësisht përpjekeve kolosale, Nëna dhe motra e saj nuk u lejuan kurrë që ta takonin. Ato sot prehen në varrezat publike të Sharrës në parcelën numër 11. Figura e Nene Terezës pavarësisht se syresh duan ta ngarkojnë me shumë dimensione dhe dritë hije ajo ishte një copë e vetme shkëmbi shpirtëror shqiptar. Thirrja dhe vokacioni e cuan drejt Kalkutës në Indi ose ferrit mbi tokë qytet i cili në vitin 1929 kur ajo e shkeli numëronte 9 milionë banorë. Jeta e saj do i dedikohej atyre që Nënë Tereza do i quante më të varfërit e më të varfërve. Atyre të cilëve edhe pse kishin jetuar si bisha ajo ju mundësoi të vdisnin si engjëj. Pasuria e saj personale por dhe e kujtdo që e ndihu në krah përbëhej vetëm nga 4 objekte. Sari (beze e bardhe me bordurë blu, veshja tradicionale indiane), një palë sandale, një libër lutjesh dhe një Rozario. Mëncuria, thjeshtësia, përulsia, heshtja dhe mprehtësia bënë që ajo grua e madhe në një botë me mbi 7 miliard banorë të shkruante historinë e besimit, ndihmës dhe mëshirës.

Dhe ajo ishte shqiptare. Një grua e madhe e një kombi të vogël. E një kombi që tashmë po përpëlitet në një epokë varfërie të thellë shpirtërore, të një kombi që Zot ska shpirtin po materialen, që me idhujt e rremë që ngre në piedestale hipokrite miopinë po e trashëgon tek brezat që presin rradhën duke e shitur për vlerë. Rëndësia e një shqiptari të kësaj epoke është e barazvlefshme me grabitjet, imoralitetin dhe shoun në media dhe rrjetet sociale. Shqiptari i tanishëm, është një egoist i pangopur, një cinik, llafazan dhe delirant  i sipërfaqshëm që mburret gjoja për gjuhën mijëra vjecare e për pellazgë e Aleksandër të madh e Pirron me fitore të vogël por nuk mburret dhe as nuk njeh Nënë Terezën, sepse shqiptarin aktual nuk e thërret shpirti as përjetësia e tij e thërret zhurma, zilia, xhelozia, cmira, grabitja, fama, vëllavrasja, divorci dhe të qënit vdektar dritëshkurtër. Nënë Tereza ishte e qetë dhe e qartë për vlerat reale të jetës, ajo shprehej se kur të vdesim e vetmja valixhe që do të marrim me vete është ajo me vlera shpirtërore, me mirësi, përulje dhe dashuri. Sot vazhdonte ajo, shumë persona kujtojnë se lumturia vjen nga jashtë, nga lekët, nga fama dhe argëtimet, por jo nuk do gjeni kurrë një egoist ose një të pangopur të lumtur. Pasi lumturinë e dlirë do e gjesh vetëm atëherë nëse zemra jote është e lirë nga krenaria egoizmi dhe veset e tjera, vetëm atëherë ti je plot lumturi, dhe vetëm atëherë atë që ke brënda ti do e gjesh jashtë.

Ditarët e Nënë Terezës janë tronditëse, si shumë shenjtorë të tjerë sic ishte dhe Terezja e Lisjës (Thérèse de Lisieux) që e frymëzoi për emrin edhe Nëna jonë Terezë do ish kërkuese deri në palcë për besimin, përuljen dhe do kalonte dhe ajo netët e saj të errëta të përpëlitjeve shpirtërore, nëse ishte e denjë apo jo që ta donte Zoti.

Shpesh aludojnë për lidhjet e saj me pushtetet dhe figurat historike të epokës, por kush nuk njeh mësimet e shenjta por dhe mëncurinë e Nënë Terezës shket kollaj në gjykime të cekëta dhe emocionale sic shumë shpesh bashkombësit tanë bëjnë. Kur e pyetën një herë pse e ke pritur aq shpesh Princeshën Diana të Anglisë, ajo u përgjigj, unë nuk kam pritur Princeshën, por gruan e palumtur që quhej Diana.

Bashkëpuntoret e saj tregonin se kur Nënë Tereza kur kalonte mes barrakave të të mjerëve ajo merrte dritë, sytë e saj mbusheshin me dashuri, ajo i prekte, i përqafonte, nuk kishte ndot, përkundrazi shpirti i saj zbriste tek duart e saj të ashpra dhe tek trupi krrusur dhe askush nuk mbetej pa ndihmën e saj, pa kurim plagësh trupi, shpirti, pa një pjatë gjellë dhe një strehë ku të fuste kokën. E kundërta ndodhte kur kalonte nëpër rezidenca luksoze ose e ftonin në ceremoni ose darka pompoze, parehatia dhe bezdisja i lexoheshin në të gjithë qënien. Qëllimi i jetës së saj ishin gjithmonë më të mjerët e të mjerëve, dhe kur misionaret i kërkonin që ajo të pushonte, ajo do shprehej, do pushoj kur të shkoj në qiell. Ajo nga e vetme fillikat arriti që frymën e saj të shpirtit ta shtoj dhe me 6 mijë misionare të tjera të shpërndara nëpër botë, dhe me 762 shtëpi pritëse të Misionit të saj.         

Përherë brengë e saj do mbetej prapambetja shpirëterore e kombit të saj, nuk paragjykonte besimet, por shpirtin dhe vlerat njerëzore “një musliman duhet të jetë një musliman i mirë, një hindu duhet të jetë një hindu i mirë dhe një i krishterë duhet të jetë një i krishterë i mirë”

5 shtatori është festë zyrtare në nder të Nënë Terezës, paradoksale për një grua që asnjëherë nuk i deshi pushimet, sic është paradoksale që populli I saj pas viteve 90 kurrë se mbajti hapin dhe frymën e ti dedikoj asaj 2 minuta shpirti, lutje dhe meditim. Ndërkohë që rend nën ritmin histerik të asgjësë, në ambjentimin pjellor me të keqen dhe në një rugë që të con drejt asimilit dhe zhbërjes kombëtare. Shpirti rron, materia vdes. Pak luten me shpirt për Nënë Terezën, ndërkohë ajo ska rreshtur kurrë së luturi për ne. Nëse shkon në Genazzanno të Italisë, aty ku rri e mbyllur në kafaz Ikona e Zojes së Shqiptarve prej 1467, do gjesh edhe lutjen që Nënë Tereza i ka pëshpëritur asaj në gjunjë :“Maria, Nënë e Jezusit; kthehu në shtëpi, në Shqipëri. Ne të duam, ne kemi nevojë për ty. Ti je Nëna jonë. Kthehu në shtëpi, në Shqipëri. Ne të lutemi”      

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • brizilda: 04/09/2023 14:13

    te duan njeri tjetrin [shume e gjetur per shqipetaret ]

    Përgjigju
  • zhirajr: 04/09/2023 09:56

    E verteta e te vertetes. Shkruani me shpesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës