Përhapja e shpejtë e variantit Omicron në mbarë globin ka shtuar shqetësimet për COVID-in me pasoja afatgjata, që disa vlerësime sugjerojnë se prek një të tretën e atyre që kalojnë koronavirusin. Simptomat afatgjata mund të përfshijnë dhimbje, lodhje dhe mjegullim të trurit për javë ose muaj të tërë pas infeksionit.
Nancy Rose, një banore e qytetit të Port Xhefersonit në shtetin e Nju Jorkut, ka ndjerë efektet e COVID-it për muaj të tërë pas diagnostikimit me koronavirus.
"E dija që diçka nuk ishte në rregull. E dija që kisha ende simptoma", thotë ajo.
Është shumë herët për të ditur nëse njerëzit e infektuar me variantin shumë ngjitës Omicron do të vuajnë nga një numër simptomash misterioze, që zakonisht shfaqen shumë javë pas diagnostikimit fillestar me koronavirus.
Por disa ekspertë mendojnë se një valë e rasteve me pasoja afatgjata është e mundshme dhe thonë se mjekët duhet të përgatiten për të.
Imunobiologia Akiko Iwasaki po studion ndikimin që vaksinimi kundër COVID-19 mund të ketë në pakësimin e simptomave afatgjata të koronavirusit.
Ekipi i saj në Universitetin Yale po bashkëpunon me një grup pacientësh të quajtur “Survivor Corps” në një studim, në të cilin Nancy Rose ishte pjesëmarrëse, që përfshin vaksinimin e pacientëve të infektuar me COVID-19, të cilët nuk e kanë marrë vaksinën më pare, si një trajtim i mundshëm.
Iwasaki, e cila është gjithashtu një studiuese në Institutin Mjekësor Howard Hughes, i cili mbështet Departamentin e Shëndetit dhe Shkencës në agjencinë e lajmeve Associated Press, tha se ajo po e bën këtë studim sepse grupet e pacientëve kanë raportuar përmirësim të simptomave të COVID-it të gjatë tek disa njerëz pasi ata morën vaksinën.
"Tani duhet të planifikojë t’i bëjë punët në mëngjes. Kjo është koha më e mire për mua. Nga ora dy mbasdite filloj të ndjehem e lodhur, një gjë që nuk më ndodhte më parë. Në të kaluarën mund të bëja aktivitete gjatë gjithë ditës", thotë Rose.
Disa nga këto simptoma mund të shfaqen fillimisht gjatë një infeksioni fillestar, por ato vazhdojnë ose përsëriten pas një muaji ose më vonë. Ka raste kur mund të zhvillohen simptoma të reja, që zgjasin për javë, muaj të tërë ose mbi një vit.
Duke marrë parasysh që shumë nga simptomat shfaqen me sëmundje të tjera, disa shkencëtarë vënë në dyshim teorinë se koronavirusi është gjithmonë shkaktar i tyre.
Studiuesit shpresojnë se puna e tyre do të jap një përgjigje përfundimtare. Covid-i i gjatë prek të rriturit e të gjitha moshave si dhe fëmijët.
Studimet tregojnë se ai është më i përhapur në mesin e atyre që janë shtruar në spital, por godet edhe një pjesë të konsiderueshme të personave të shëruar që nuk janë shtruar në spital.