TIRANE, 6 Mars/ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i konsideroi qesharake kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Kryeparlamentarit Ilir Meta, pas akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi.
Në një konferencë për shtyp nga selia e Kuvendit, Vasili tha se kreu i PD-së, Basha u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në tenderin e rrugës Durrës-Kukës, në kohën kur ishte ministër i Transportit dhe nuk dha dorëheqjen, madje përmes procedurave e makinacioneve i shpëtoi gjykimit dhe nuk pranoi të përballej me ligjin.
Akuza, tha Vasili,  vazhdon të jetë ende aty. Sipas tij, kreu i PD-se vazhdon të jetë i akuzuar për rrugën Durrës-Kukës. Basha, tha kreu i grupit parlamentar të LSI-së, është politikani më negativ në raport me ligjin./a.gjona//a.g/