Vasili kundër kryeministrit
Berisha: Jo çjerrjeve historike

Vasili kundër kryeministrit <br />Berisha: Jo çjerrjeve historike
Nënkryetari i LSI, njëherësh numri dy i bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" shprehet se deklaratat për nacionalizmin ekstrem, për qarkun e Beratit por dhe për vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës janë në kuadrin e racionalitetit të kësaj partie dhe jo si kundërvënie. Në lidhje me deklaratat e Bodes dhe eksponentëve të PD për fitore pa LSI, Vasili shprehet se as që i dëgjon, ndërsa nënvizon se në lidhje me idenë e një qeverie teknike, është KQZ ajo që merret me zgjedhjet, dhe qeveria s'ka punë fare me to.

Zoti Vasili, LSI nuk resht së bëri apel që palët politike të ulen dhe të miratojnë ligjet integruese për të mos penalizuar në BE. Si parti që në themel ka integrimin në BE, tashmë që Shqipëria dështoi për të tretën herë të marrë satusin e vendit kandidat, ka ndonjë mënyrë tjetër apeli që politika të reagojë pozitivisht…?
Mendoj se shembulli i veprimit politik të LSI ka qenë pa asnjë dyshim dëshmi e qartë dhe pa ekuivok e një modeli konstruktiv dhe bashkëpunues për të gjithë politikën shqiptare. Të gjitha qëndrimet dhe veprimet e Ilir Metës kanë qenë shembulli i një politike që integrimin dhe interesat e vendit i vë mbi gjithshka dhe që është e gatshme për çdo sakrificë me qëllimin e vetëm që Shqipëria të mund të europianizohet e të ecë më përpara, në një rrugë që i krijon asaj mundësi të reja ekonomike dhe integruese, përkundrejt izolimit ekonomik aq të rrezikshëm në këtë kontekst të krizës ekonomike europiane dhe botërore. Besoj se shembulli flet më shumë se gjithshka tjetër dhe LSI e ka bërë më mirë se kushdo tjetër e të gjithë kanë sy ta shohin këtë e të reflektojnë sa nuk është vonë për të mirë të shqiptarëve që aq shumë e meritojnë integrimin si asnjë popull tjetër në Ballkan. Ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë këtë politikë racionale të qetësisë dhe bashkëpunimit dhe jo atë të çjerrjeve dhe histerizmave politike dëmsjellëse për vendin.

Në disa deklarata të njëpasnjëshme, qoftë nga kryetari i LSI, Meta, qoftë nga Ju, Naço dhe Braho janë shfaqur qëndrime të kundërta me aleatin tuaj në qeverisje Berisha, si për qëndrimin ndaj figurave historike, si për deklaratat nacionaliste por dhe për probleme të prekshme që kanë të bëjnë me qarkun e Beratit, ndarja e mandateve dhe e fondeve për qeverisjen vendore. Shihet ky distancim qëndrimesh si një lëvizje në kah të kundërt pa kthim përpara se të përfundojë mandati qeverisës në qershor 2013?

Qëndrimi ynë ndaj figurave historike ka qenë i qartë dhe i prerë. Sepse ky qëndrim është ndërtuar mbi bazë të objektivitetit dhe paanshmërisë përkundrejt anshmërisë dhe subjektivizmit që ka karakterizuar këtë trajtim në dhjetra vjet, por që për fat të keq nuk kanë shpëtuar edhe vitet e pluralizmit kur duhej të ndodhte krejtësisht e kundërta. Kemi qenë të mendimit se duhet mbajtur një qendrim objektiv si për Ahmet Zogun ashtu edhe për Fan Nolin por edhe për Enver Hoxhën etj. Sepse subjektivizmi ekstrem dhe shpesh i ngjyrosur politikisht jo vetëm nuk të çon gjëkundi por dhe krijon një raport anormal e hera herës qesharak më të vërtetat historike. Në këto festime të 100 vjetorit të pavarësisë u fol gjatë lidhur me Zogun dhe u bë mirë për të mbushur një boshllëk anormal dhe shpesh subjektiv që ka shoqëruar trajtimin e kësaj figure për gati gjysëm shekulli. Por mendoj se ishte tërësisht anormale që, për figura të tjera që kanë pasur një gjurmë të rëndësishme të historisë tonë si Noli apo akoma më shumë Enver Hoxha, nuk u tha asnjë fjalë dhe kjo heshtje ishte sa pa kuptim aq edhe pa vend në një sistem pluralist politik. ku liria e ideve duhej të shënjonte çdo gjë.

Gati 50 vjet të historisë sonë në periudhën 1945-1990 u zhytën në heshtje të thellë, thuajse Shqipëria nuk kishte ekzistuar vetëm e vetëm se nuk duhej përmendur emri i Enver Hoxhës, ndërkohë që mjaft e mjaft evenimente të këtij 100 vjetori kremtoheshin në ambiente, muzeume e institucione të ngritura në atë kohë dhe nga persona të formuar në atë kohë. Ne nuk jemi pajtuar me një qëndrim të tillë ndaj e kemi folur pa asnjë kompleks dhe për periudhën 45 vjeçare kur drejtonte Partia e Punës, duke vënë në dukje ashpërsinë ekstreme dhe mizore të luftës së klasave, izolimin politik dhe varfëria e skajshme sidomos në dhjetvjeçarin e fundit. Sikurse kemi pohuar dhe disa arritje, efekti pozitiv i të cilave shtrihet deri në ditët e sotme, siç ishin energjetika dhe veprat e mëdha hidroenergjetike, zhdukja e analfabetizmit dhe arsimimi masiv, tharja e kenetave dhe zhdukja e malarjes e sifilizit.

Po debati për nacionalizmat dhe Beratin...?
Lidhur edhe me disa çështje të tjera, sikurse mbështetja e qarkut të Beratit ka qenë e lidhur me trajtimin infrastrukturor të një zone që është krenaria e kulturës dhe historisë së vendit tonë. Pasi bëhet fjalë për një qytet 2400 vjeçar, i cili ka potenciale zhvillimore dhe turistike pa fund e ku infrastruktura e keqe mund t'i minimizojë duke krijuar dëme në vend të përfitimeve për një komunitet tepër të gjërë dhe me vlera të mëdha. Sigurisht, qëndrimet tona të përmabajtura dhe racionale lidhur me shfaqjet e një nacionalizmi ekstrem e artificial që janë dukur në opinionin publik janë pjesë e identitetit tonë, sepse bindja jonë e palëkundur ka qenë dhe mbetet që, interesat tona kombëtare realizohen plotësisht dhe në mënyrë të thellë, vetëm nëse procesi i integrimit europian ecën përpara. Nëse ky proces bllokohet atëherë këto esklamacione nacionalizmi janë thjeshtë dhe vetëm fjalë në erë që nuk prodhojne asgjë, përveç keqkuptimeve të panevojshme apo shpërdorimit pa vend të energjive që duhet të përqëndrohen në drejtime të tjera strategjike. Në fund të fundit të gjitha këto qëndrime janë shprehje e atij identiteti të fortë të LSI që e ka karakterizuar që në krijimin e saj e deri më sot

Më konkretisht, përpos fjalës së dhënë për bashkëqeverisje, por me qëndrime të kundërta për qasjen ndaj integrimit dhe politikës në tërësi, çfarë e mban më LSI në koalicion me PD?
Kemi një marrëveshje me PD të cilën po e respektojmë me korrektësi, duke treguar një shembull serioziteti politik në radhë të parë në raport me shqiptarët. Që në ngjizjen e kësaj marrëveshjeje kishim dhe kemi një objektiv themelor integrimin europian dhe mendoj se për këtë kemi bërë jo pak. Liberalizimi i fituar i vizave flet shumë për këtë. Por ne kemi lidhur një marrëveshje në respekt të plotë të identiteteve tona të ndryshme të njohura politike dhe këtu besoj se nuk ka asgjë të papritur.

Tashmë jemi në vitin elektoral, pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet. LSI mund të hyjë me ndonjërën nga partitë e mëdha në koalicion zgjedhor, apo po shkon drejt daljes më vete ose drejt një poli të qendrës në zgjedhje?


Është një vendim i rëndësishëm që do të merret pas një rruge politike dhe statutore të percaktuar qartë, ku do të prevalojë analiza objektive e mandatit qeverisës e arritjeve e raporteve e bashkëpunimit të realizuar. Më pas do jetë konventa kombëtare ajo që do vendosë ashtu si në vendimin për ndërtimin e koalicionit në vitin 2009. LSI është parti e anëtarësisë, ka lindur prej saj dhe vendos bashkë me të.

Eksponentë të lartë të PD kanë deklaruar se PD fiton dhe pa LSI më 2013, madje dhe numri dy i kësaj partie, Bode e artikuloi publikisht së fundmi këtë opsion. Të njëjtën gjë kanë deklaruar dhe eksponentë të PS. Si e komentoni një qëndrim të tillë?
Nuk kam asnjë koment lidhur me këto deklarata dhe janë tërësisht jashtë vëmendjes dhe vlerësimit tim. Është e drejta e kujtdo të bëjë komentet që mendon.

Duke qënë se, pavarësisht një sondazhi të fundit, LSI shihet si partia e tretë dhe përcaktuese e koalicioneve qeverisëse në vend, a mund të vijohet bashkëqeverisja me PD apo të bëjë koalicion me PS pas zgjedhjeve të ardhshme?
E shpreha shumë qartë dhe më lart në përgjigjen për këtë çështje. Kjo nuk është çëshjtje llogarish, kjo është çshtje parimore ndaj edhe forumet tona janë të vetmet që sigurojnë me vendimet e tyre një vendim parimor, që lind pas analizave objektive e vlerësimit të së mirës së vendit dhe vazhdimësisë aq jetike të procesit të integrimit europian.

SHBA dhe BE kanë vënë theksin me këmbëngulje tek zgjedhjet e lira, korrekte dhe të ndershme për të realizuar integrimin. Duke qënë se ka një krizë të fortë besimi mes palëve për organizimin e zgjedhjeve, mendoni se për t'i dhënë fund njëherë e mirë kontestimit të zgjedhjeve në Shqipëri e për të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve për statusin dhe negociatat për në BE, do ishte më mirë një qeveri e të gjithëve, pra një qeveri teknike që të realizonte vetëm zgjedhjet e ardhshme?
Realizimi korrekt i zgjedhjeve mund të zgjidhet me zbatimin korrekt të ligjit zgjedhor, i cili është miratuar me konsensus të plotë nga PD dhe PS. Po kështu dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është ngritur po në këtë frymë dhe me konsensus të plotë. Ju kujtoni më së miri që kandidatët më të votuar gjerësisht në Parlament, për anëtarë të KQZ, ishin përfaqësueit e PD dhe PS. Ky mekanizëm pra KQZ, është autoriteti më i lartë dhe i vetëm që drejton e realizon zgjedhjet në Shqipëri dhe gezon gjithashtu një konsensus shumë të gjërë nga politika dhe mund ti realizojë fare mirë zgjedhjet me standarde. Dhe në këtë mes nuk shoh ndonjë rol të qeverisë e cila nuk ka asnjë tagër ligjor të marrë detyrat e KQZ dhe kjo është tepër e qartë.


Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com(print), 18 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka qenë Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve proces i besueshëm?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Dëgjesa e dytë për autostradën Muriqan- Lezhë! 44 km e gjatë, kostoja 255 milionë euro

Shkodër/ Dëgjesa e dytë për autostradën Muriqan- Lezhë! 44 km e gjatë, kostoja 255 milionë euro