Vatikani pranon ta bekojë bashkimin e çifteve të gjinisë së njëjtë, me kushte të caktuara

Vatikani pranon ta bekojë bashkimin e çifteve të gjinisë së njëjtë, me kushte të caktuara

Vatikani njoftoi të hënën se Papa Françesku e ka miratuar një vendim, sipas të cilit, priftërinjtë katolikë mund ta bekojnë bashkimin e çifteve të gjinisë së njëjtë, nëse ato nuk janë pjesë e liturgjive dhe ritualeve të rregullta kishtare.

Në një dokument të publikuar nga zyra e Vatikanit thuhet se bekimet e tilla nuk do t’i bëjnë të ligjshme situatat e parregullta, por do të jenë një shenjë se Zoti i mirëpret të gjithë.

Vendimi nuk duhet në asnjë mënyrë të ngatërrohet me bekimin e martesës mes një burri dhe një gruaje, sipas Vatikanit.

Priftërinjve u kërkohet të vendosin për çdo rast veç e veç dhe “nuk duhet ta parandalojë apo pamundësojë afërsinë e kishës me njerëzit në çdo situatë në të cilën ata mund ta kërkojnë ndihmën e Zotit përmes një bekimi të thjeshtë”.

Dokumenti, i publikuar të hënën, thekson kushtet e caktuara për bekimin e çifteve të së njëjtës gjini.

Kisha mëson se tërheqja e gjinisë së njëjtë nuk është mëkat, por veprimet homoseksuale janë. Prej se u zgjodh më 2013, Françesku është përpjekur ta bëjë kishën, e cila ka 1.3 miliard anëtarë, më mikpritëse për njerëzit e komunitetit LGBT, pa e ndryshuar doktrinën e moralit për homoseksualitetin.

Ati James Martin, një prift i njohur jezuit i Amerikës, e quajti dokumentin “hap të madh përpara”.

“Dokumenti e njeh dëshirën e madhe të shumë çifteve katolike të gjinisë së njëjtë për praninë e Zotit në marrëdhëniet e tyre të dashurisë. Bashkë me shumë priftërinj, me kënaqësi do t’i bekoj miqtë e mi të gjinisë së njëjtë”, shkroi ai në X.

Dokumenti thotë se bekimi vlen vetëm për ata të cilët “nuk pretendojnë se me këtë e legjitimojnë statusin e tyre, por për ata të cilët luten që gjithçka që është e vërtetë, e mirë dhe njerëzisht e vlefshme në jetën e tyre dhe në marrëdhëniet e tyre, të pasurohet, shërohet dhe lartësohet nga prania e Shpirtit të Shenjtë”.

Përfundimisht, bekimi u ofron njerëzve një mjet për ta rritur besimin në Zot”, thuhet në dokument.

Dokumenti thotë se bekimi nuk duhet të ndërlidhet apo të bëhet me ceremoninë e martesës civile dhe nuk duhet të bëhet me “rroba, gjeste, apo fjalë të cilat përdoren në dasmë”./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?