TIRANE-Një 69-vjeçar ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm te Infektivi duke e çuar në 33 numrin e viktimave në total nga fillimi i epidemisë në Shqipëri. Viktima është me inicialet S.K. ndërsa po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv. "Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Që nga fillimi epidemisë, 33 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid19" njoftoi ministria e Shëndetësisë. Nuk dihet nëse 69-vjeçari ka pasur sëmundje bashkëshoqëruese.

Lajmi i keq edhe për sa i përket numrit të të infektuarve, ku në 24 orët e fundit janë shënuar 25 të prekur (19 më shumë se dje) nga të cilët 24 në Tiranë dhe një në Durrës. Në kryeqytet është regjistruar një vatër e re në një call center, ku deri tani janë regjistruar 15 raste. "Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive por edhe vatra të reja në Tiranë.

Në 24 orët e fundit janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës. Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë" theksoi ISHP. Call center që është kthyer në vatrën e re me COVID ndodhet në zonën e Laprakës. Godina është dezinfektuar. Call center X-Infinit është mbyllur.
1590495137_callcenter001.jpg

Call center X-Infinit që u mbyll sot pas rasteve me COVID

Ndërkohë që po në 24 orët e fundit ka sërish rritje të numrit të të shtruarve në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, dy më shumë se dje, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Lajmi i vetëm i mirë është fakti që në 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë.

Nga fillimi i epidemisë sipas ISHP-së janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1029, prej tyre, rreth 78% janë të shëruar.  Në vendin tonë aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e Covid19, prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (26 Maj 2020)
Testime totale                         14832
Testime molekulare                 13506
Testime serologjike                  1326
Raste pozitive                          1029
Raste të shëruara                     803
Raste Aktive                             193
Humbje jete                               33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë            80
Durrës           54
Krujë             24
Shkodër         12
Berat              10
Kamëz            9
Fier                 2
Mirditë           1
Korçë             1