Gjatë një takimi me familjet dibrane në Njësinë 4, një ndër komunitetet më të vjetra të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se sa herë Partia Socialiste ka qenë në drejtim të vendit, ka përmirësuar jetën e qytetarëve në çdo “stacion”.
“Më bën krenar fakti se në çdo segment të jetës se njeriut, kemi vënë dorë dhe bërë mirë, duke filluar nga çeku i bebes, që e merr sapo lind në maternitet, tek çerdhet, kopshtet, shkollat, e me radhë. Sot në Njësinë 4 fëmijët dalin me dhjeta në shkollën “Ardian Klosi”, te “Bregu i Lumit”, ku mësojnë edhe gjermanisht; për universitetet, i kemi harruar “Kristalin” dhe “Vitrinën”, por sot jo vetëm nuk ka më shaptilograf diplomash, por u çliruan konviktet e pushtuara dhe po bëhen konviktet e reja të UBT dhe te Fakulteti i Mjekësisë, ndryshimi si dita me natën; japim 1000 kredi të buta çdo vit për çiftet e reja; është rritur vlera e pronës me 11%. Pra, nuk ka stacion të jetës ku nuk kemi qenë prezentë, duke e përmirësuar jetën,” u shpreh Veliaj. Ai shtoi edhe faktin e rritjes së pensioneve, si dhe heqjen e tavanit diskriminues 240 mijë lekë.
Veliaj tha se edhe për më të pamundurit skemat sociale ofrojnë sot mundësi të pafundme dhe jo lëmosha siç jepeshin më pare, nga ata që sot kanë humbur lidhjen me realitetin.
“Për të gjithë ata që nuk kanë punuar asnjë ditë, ka një pension social, i cili nuk ekzistonte më parë. Ndihma ekonomike është dyfishuar. Në Tiranë qindra njerëz flinin rrugëve. Sot ka një mensë sociale, një strehë, ku po ra bore, ke ku strehohesh. PD-LSI nuk kanë lidhje me realitetin, nuk e dinë sa janë çmimet. Iu thonë lokaleve “do ua bëjmë taksën 0.5%”, ndërkohë taksa është 0. “Bujqësinë do ta bëjmë lule, - tha, - 100 milion në vit”. Ne japim 140 milionë në vit. Pyetja është: - A do bëjmë eksperimente, apo duhet të ecim përpara?”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun ftoi dibranët e ardhur në kryeqytet për një koalicion që kapërcen çdo kufi krahine, si përgjigjen e duhur ndaj atyre që dinë vetëm të përçajnë dhe të fyejnë inteligjencën e njerëzve të zakonshëm me programin dhe kandidaturat që ofrojnë.
Lajmi kryesor: