Veliaj ironizioi gjithashtu dhe të djathtët dhe fushatën e tyre duke thënë se ata nuk bënë asgje për 4 vjet.
Veliaj:Njerëzit janë të lodhur nga shpifjet, duan gjëra konkrete
Në vijim të prezantimit të programit të detajuar për çdo njësi, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u ndal pasditen e sotme në Njësinë 10, ku premtoi zgjidhje për 168 problemet e identifikuara në këtë zonë. Në takimin e zhvilluar me banorë të kësaj njësie, Veliaj solli në vëmendje se problemet kryesore të kësaj zone janë rrugët e shkatërruara dhe infrastruktura e dobët, parkimi dhe hapësirat publike të uzurpuara, mungesa e hapësirave argëtuese dhe sportive, si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore të Tiranës së vjetër.
“Sot gjykata vendosi që dy nga zyrtarët më të lartë të SHQUP-it t’i dënojë zyrtarisht me gjobë si shpifësa profesionistë. Mesazhi që dha gjykata sot është e njëjtë me atë që populli dha në 2013, kur tha se jemi lodhur nga shpifjet dhe duam Rilindje. Jemi lodhur me kulturën e “shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Njerëzit janë të lodhur nga këto histori, njerëzit duan zgjidhje konkrete, jo thashetheme. Nuk duan barsaleta, nuk duan gallatë, nuk duan të përgojohen gratë e gjithë këtij qyteti”, deklaroi Veliaj.
Kundrejt kësaj politike, kandidati i majtë tha se fushata që ai po zhvillon ka vendosur të merret me tema konkrete, me ato që diskutohen çdo natë në tavolinat e bukës, për kopshtet, çerdhet, shkollat. Sipas tij, në shtëpinë e shqiptarëve nuk pyet kush a i dalin dy kate Lulit apo duhet të shtojë edhe një kat tjetër në pallatin e tij, dhe njerëzit nuk qajnë hallet Zenit, por shohin hallet e tyre për tregjet jo higjenike ku shitet ushqimi. “E keni vënë re Saliun që sa herë është afër fundit del në skenë? Rezistoi tre javë pa dalë dhe dje doli të merret me gratë dhe nënat e secilit prej nesh. Tipike kur humbet Saliu. Në thelb, sulmet e tij personale janë një lajm i mirë sepse do të thotë se e kanë kuptuar që e kanë të humbur davanë dhe se Tirana do shkojë në drejtimin e duhur”, theksoi Veliaj.
Për sa i përket çështjes së infrastrukturës në njësinë 10, kandidati Veliaj tha se në këtë zonë ka probleme me parkimin, transportit publik, hapësira të zëna, probleme me ujësjellësin dhe kanalizimet, si edhe me shërbimet publike të ofruara nga Bashkia. Sipas tij, janë identifikuar 18 hapësira parkimi abuzive, 12 hapësira publike të uzurpuara dhe 5 probleme me ujësjellësin dhe kanalizimet në zonën e ish-Ambasadës Jugosllave. “Këto janë problemet e vogla për të cilat këta thonë se s’duhet të merremi. Por, meqë ne bëjmë gabim që merremi me problemet e vogla dhe programi ynë është i detajuar për çdo njësi, si ka mundësi që na kopjojnë?”, pyeti Veliaj.
Kandidati i koalicionit të majtë shprehu shqetësimin për mungesën e gjelbërimit në qytet, mungesën e terreneve sportive ose amortizimin e tyre, si dhe mungesën ose amortizimin e këndeve të lojrave. Për sa i përket hapësirave, ai tha se janë 15 të tilla të pashfrytëzuara që mund të kthehen në hapësira rekreative ose sportive. “Do ta bllokojmë ndërtimin në Tiranë, duke respektuar vendimin e qeverisë për moratoriumin. Nga motoja e bashkisë që në këto katër vjet ishte “beton, beton, beton”, ne do ta ndryshojmë në “gjelbërim, pemë, lulishte, parqe”. Kjo është motoja jonë. Ne do të fillojmë punën që në 300 ditët e para për të shtuar gjelbërimin”, deklaroi Veliaj. Ai shtoi se janë 11 hapësira ku, ose ka kënde lojrash të amortizuara, ose mund të ndërtohen kënde të reja lojrash edhe në bashkëpunim me kompanitë private, si dhe janë identifikuar 8 hapësira me mungese gjelberimi.
Më tej, kandidati i majtë deklaroi se në këtë lagje ka 5 zona që kanë probleme me ujësjellës-kanalizimet. “Një nga problemet më të mëdha janë ato që kanë të bëjnë me arsimin dhe me objektet arsimore. Është tema më e nxehtë dhe më e prekshme për njerëzit. Ka një gjeneratë prindërish që është lodhur nga shkollat me dy turne. Fondi për shkollat, të cilat me demek ia bllokon Edi Rama, i ka sot në Bashki, 16 milion euro. Ka shpenzuar vetëm 1.6 për qind të fondit. Do të thotë që me ritmin e breshkës së SHQUP-it, do i duhen 66 vjet të bëjë punën e një viti”, deklaroi Veliaj. Ai premtoi hapjen e një çerdheje të re në njësinë 10 për shkak të çerdheve të mbipopulluara në këtë zonë që kanë 4-fishin e fëmijëve.
Më tej, kandidati i majtë bëri të ditur se bashkë me ekipin e tij kanë vendosur të rehabilitojmë ambientet dhe terrenet sportive në të gjitha shkollat e njësisë 10, duke i vendosur ambientet sportive të këtyre shkollave në shërbim të projektit shkollat si qendra komunitare. Një prej problemeve të gjetura si më shqetësuese për banorët, sipas kandidatit të majtë, është edhe problemi i rrugëve. Ai tha se janë identifikuar 38 rrugë të amortizuara dhe me gropa, 19 trotuare të dëmtuara, 11 puseta që mungojnë dhe 8 rrugë ku mungon tërësisht ndriçimi. “Me votën e 21 qershorit do të çlirojmë 10 hapësirat që kemi probleme me kafshët e rrugëve. Kemi 5 hapësira ku nuk mblidhen rregullisht mbeturinat në lagjen tuaj. Tirana do të ketë 560 vetë që do të merren me pastrimin me kohë të plotë dhe jo punëtorë që shkojnë te sheshi dhe partia”, shpjegoi Veliaj.
Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës u zotua se të zhvillojë projektin “Fondi i komunitetit”, një koncept që lindi nga dëgjesat publike.
Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)