Veliaj: Ndjekje penale bashkive që
vodhën kontributet e punonjësve!

TIRANE - Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, në një intervistë për A1 Report, sqaron se janë konstatuar disa institucione si Bashki e Komuna, që kanë vjedhur kontributet e punonjësve ndër vite, dhe në 2015 do të ketë ndjekje penale për të gjithë këta abuzues. 

Më tej ministri Veliaj sqaron skemën se si do të bëhet hapja e dosjeve duke saktësuar se do të jetë me kategori të caktuara, ku prioritet do të kenë viktimat më pas kategoritë e studiuesve. Modeli që do zbatohet për dosjet do të jetë ai gjerman, ku nuk do të ketë hapje masive të dosjeve. 

Për zgjedhjet lokale të 2015, zoti Veliaj sqaron se sipas tij me këtë frymë koalicioni i majtë PS-LSI do të fitojë 50 bashki. 

Ministri sqaron para zgjedhjeve lokale do të ketë amendim të Kodit Zgjedhor, ku fillimisht do të vendoset barazia e plotë gjinore për këshillat bashkiakë, ku do vendoset përfaqësimi një burrë një grua.

Intervista e plote me ministrin e Mireqenies Sociale dhe Rinise, Erjon Veliaj

Zoti Veliaj ju falënderoj që pranuat këtë intervistë për A1 Report, dua t’ju pyes në lidhje me çështjen e shumë debatueshme të hapjes së dosjeve, si do jetë ky proces, që ka dështuar duhet thënë disa herë?

Keni të drejtë saga e dosjeve vazhdon prej 24 vitesh, së pari për ata që janë të përndjekur që presin që kjo çështje të marrë fund . Së dyti për pjesën tjetër të publikut ku kemi një brez që ka lindur pas periudhës komuniste, që dëgjojnë pafund politikën që shantazhon për hapjen e dosjeve, dhe kjo është bërë e lodhshme dhe njerëzit duan një zgjidhje. Në datën 21 nëntor kryeministri Rama zgjodhi hapjen e BUNKARTIT, që ishte një nga gjetjet kryesore të këtij viti, si reflektim ndaj të kaluarës tonë. Konteksti I BUNKARTIT ishte perfekt për linçimin e kësaj nisme. Ne kemi kohë që po punojmë për këtë nisëm, zonja Petra Blas ka ardhur në këtë dikaster si ish nënkryetare e parlamentit gjerman dhe kryetare e KQZ, dhe shumë e përfshirë në debatet dhe diskutimet politike në Gjermani për hapjen e dosjeve. Por edhe nga shoqëria civile ka patur një projekt të tillë, që duhet vlerësuar pasi synon të njëjtën gjë. Qasja jonë për hapjen e dosjeve është kushtetuese, pasi gjithë ligji nga ne është hartuar duke patur parasysh kushtetutën, dhe vendimet e gjykatës kushtetuese dhe rekomandimeve të komisionit të Venecia. Të cilat janë kundër dënimeve kolektive, pasi të dënojmë kolektivisht në kohët e sotme, do të thotë një tjetër komunizëm. Dhe kushti kryesor është që të jetë një ligj brenda kuadrit kushtetues, pasi nuk mund të bëhet një ligj duke përsëritur gabimet e të kaluarës. Çuarja e këtij ligji me formulim që parashikon dënime kolektive është mënyra më e mirë për mos hapur dosjet. Propozimi ynë është strikt gjerman, në bashkëpunim me komisionin Gauck që është presidenti i Gjermanisë aktualisht. Çdo institucion ka të drejtë të bëjë lustracionin. Kryeministri do ketë të drejtë që ky komision të verifikojë çdo anëtarë , apo cdo ministër të verifikojë stafin politik nga ky komision. Duke i hapur rrugë çdo personi që kandidon për president të marrë dhe një verifikim nga ky komision. Kjo varet nga çdo institucion, pasi fakti që ke qenë pastrues ose daktilograf s’do të thotë se ke qenë kriminel. Kjo është e vetmja mënyrë që dosjet mund të hapen, mënyrat e tjera do të sjellin dështimin e nismave. 

Për ta bërë më të thjeshtë, si do të bëhet hapja e dosjeve. Në terma më praktik e kam fjalën, të gjithë do të kenë mundësinë të shikojnë dosjet apo?
Edhe në këtë pjesë do aplikojmë modelin gjerman, do të hapen për viktimat fillimisht të përndjekurit, për të kuptuar si ndiqeshin kush ka ndikuar. E dyta janë historian akademikë, dhe për të zbuluar gjithë skemën dhe metodat që përdoreshin në atë kohë. Por këtu nuk bëhet fjalë për një hapje deposh të tipit 97, ku hapen kanatet dhe secili shqyen thasët me dosje. Këtu bëhet fjalë për të kaluar ligjin për të krijuar një institucion që kontrollohet nga kuvendi. Dhe pasi të jetë miratuar ligji dhe të jetë ngritur komisioni, ne do të kërkojmë nga publiku 5 anëtarë, që të jenë të besueshëm dhe të pranuara si figura publike transparente dhe me integritet të lartë, por sigurisht këta 5 anëtarë nuk pritet të bëjnë gjithë dixhitalizimin dhe indeksimin e dosjeve. Ligji parashikon ndërtimin e një sekretariati teknik, me shumë gjasë do të përfshijë me dhjetëra arkivistë, për të bërë leximin dhe dixhitalizimin e dosjeve. Ne si institucion e kemi mundësinë dhe eksperiencën pasi po bëjmë dixhitalizimin e sigurimeve shoqërore. Dhe më pas do respektohet renditja e aplikimeve, por kujtojë në Gjermani ka patur 900 mijë aplikime dhe deri janë procesuar deri tani 400 mijë. Pra sipas rendit kush aplikon I pari merr përgjigjet I pari. Do të funksionojë edhe me ligjet e arkivës ku jo çdo kush mund të futet dhe të rrëmojë në arkiva. Ka shumë mite urbane se shumë dosje nuk ekzistojnë, është e vërtetë një pjesë e dosjeve janë zhdukur, nga njëra prej depove që ruheshin në vitin 1997, dihet që mungon qarku i Tiranës, por ekziston dublikata në arkivin e SHISH. Pra krahasuar me Gjermaninë ku mungonin 50 % e dosjeve Shqipërisë i mungojnë shumë pak dosje. E vetmja mënyrë e sigurt është të hapim dosjet dhe ta zbulojmë sa i vërtet është ky mit. Por përveç dublikatave shumica e dosjeve kanë referenca në dosjet e tjera, kështu që s”mund të kemi zhdukje të emrave apo dosjeve. Argumentet që janë zhdukur shumë dosje janë kundër transparencës, le t’i hapim dhe ti shikojmë. 

Në terma praktik po insistoj, si do jetë për personat publikë, politikanë apo gjyqtar siç edhe flitet kanë pjesë e sigurimit. A do të ketë publike dhe transparencë me këtë kategori? 
Kemi ende kohë për modalitetet, se pari në listë janë njerëzit e prekur, sidomos ata që kanë qenë viktima dhe janë prekur personalisht. Me pas do jetë studiues. Të parët janë ish-të persekutuarii familjarët e tyre, ose familjarët e të persekutuarve, më pas të tjerët. Është më e thjeshtë të përgatisësh dosjen me emër dhe mbiemër se sa për një fenomen. Qëllimi do të jetë që qeveria ti sigurojë fondet e caktuara, këtij sekretariati që ti japë përgjigje në kohë rekord kërkesave që do të vijnë nga 3 kategori. Në Gjermani kanë kaluar 20 vjet dhe ende nuk janë plotësuar gjysma e kërkesave, dhe prapë ka ndikuar në përmirësimin e shoqërisë dhe për të nxjerrë mësime nga shoqëria. 

Përsa i përket punës së qeverisë në 1 vit, si do e vlerësoni koalicionin e majtë, vit që ka pasur reformat të rëndësishme dhe me mjaft debate në opinionin publik? Dhe çfarë mund të bëhet më mirë?
Ky vit me atë që lamë pas ishte dita më natën, nuk është se e them unë e thonë të tjerët. Po marr institucionin që drejtoj unë. Ish të përndjekurit kanë marrë 3 këste, ndërsa vitet e kaluara 1 këst ose vidheshin ose zhdukeshin. Këtë vit jo vetëm u shpërndanë para, për gratë në nevojë u shpërndanë ndihma, ndërsa u larguan nga skema ata që ishin shëndoshë e mirë. Këtë vit madje tepruan para dhe u shpërndanë si shpërblime për pensionistët, për personat më aftësi të kufizuara. Po në këtë ministri kemi patur reformën e pensioneve , që kishte 24 vjet që nuk ishte bërë. Dhe e bëmë pikërisht se ishte e vështirë dhe nuk bëhej. Në kemi rritur të ardhurat e skemës dhe kemi future fshatin në skemë. Flas për këtë ministri se ka patur 30 % e buxhetit të shtetit ndër vite. Dhe krijonte probleme për buxhetin. Revolucioni me zyrat e punës dhe arsimin profesional, filloj dhe futi një kulturë të re në Shqipëri. S”mund të punojnë të gjithë në shtet, madje shteti do reduktohet. Shteti tkurret kurse privati zgjerohet. Bizneset po kërkojnë njerëz me profesione. Dhe këtu falë edhe kontributit që televizioni juaj ka dhënë, sebashku me televizione te tjera. Gjithë këto ndryshime vetëm në këtë ministri por imagjino në ministri të tjera, si në vendosjen e rendit në Lazarat përshembull, është vendosur rendi dhe ligji. Sot konsiderohet përrallë nga e kaluara ndërsa 1 vit më parë ishte mision i pamundur. Apo në ekonomi arsim etj. Imazhi i vendit jashtë është shumë më i përmirësuar se sa 2 vite më parë. Dhe kryeministri shqiptar pavarësisht emrit, është vlerësuar shumë nga liderë botërore. Kryeministri është takuar 2 herë me kancelaren Merkel dhe me shumë liderë të tjerë që edhe kanë ardhur në Tiranë. Kemi rregulluar situatën e brendshme, dhe fituar respektin jashtë. Ky është sukses jemi kthyer në vend normal, ku njerëzit paguajnë sigurimet shoqërore, apo faturën e energjisë. Por ka shumë për ty bërë, dhe jam koshient se ka shumë për tu bërë. Unë nuk jam naiv që të them jemi para atij apo këtij shteti, por jemi kthyer në një vend normal dhe duhet vlerësuar. 

veliaj

Në lidhje me 2015, ku do të jetë fokusi kryesor, pra vëmendja më e madhe në cilin sektor?

Janë 100 ml dollarë borxhe nga sipërmarrjet publike dhe private. Por do e fillojmë betejën nga bashkitë, komunat dhe entet publike, që kanë vite që s”kanë paguar sigurimet shoqërore. Dhe betejën e parë me institucionet publike do e fillojmë, që kanë vite s'i kanë paguar. Ju janë mbajtur leket punonjësve dhe s”janë paguar ndër vite sigurimet dhe kjo do të jetë beteja jonë kryesore. Madje ka edhe media që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe ky është problem i madh. Fillimisht kjo fushatë e rikuperimit të kontributeve për pensionet të fillojë në organet publike dhe më pas në ato private. Sepse kjo është vjedhje dhe shkon në burg, sepse i ke mbajtur 11 % të rrogës, dikujt dhe nuk e ke derdhur te sigurimet. Apeloj që të derdhen e sigurimet shoqërore, për gjithë bizneset dhe entet publike, të paguajnë detyrimet, nuk do të tolerohet puna në të zezë. I bëj apel gjithë atyre që punojnë në të zezë, ju lutem telefononi Sigurimet Shoqërore, Inspektoratin e Punës, dhe do sigurohemi do jemi pronto dhe për këdo ka nevojë, dhe të sigurohemi që puna në të zezë nuk vazhdon më. Jemi në krah të qytetarëve dhe do e bëjmë më mirë se një vit. Nëse në 2014 krahasoheshim me te kaluarën, tani kemi ngritur stekën dhe krahasohemi me veten tonë. 

Meqë 2015 është dhe një vit elektoral, si futet koalicioni i majtë në këto zgjedhje, dhe ku do bazohet fushata? 
Besoj se shkojmë me një rekord në këtë vit të parë. Bashkia Tiranë ka falimentuar, dhe shumë banorë na drejtohen ne si ministri, pasi s”kanë besim të Bashkia, ndërkohë që përgjegjësia i takon Bashkisë. Ka falimentuar bashkia Tiranë, sepse s”merret me banesat sociale, apo deri edhe me semaforët. Ne kemi 80 veta staf dhe Bashkia Tiranë ka 4 mijë, dhe s”po bën asgjë, ka falimentuar në funksionet bazë. Në nxjerrim njerëz nga ministria të merren me fëmijët e rrugës në Tiranë, e paimagjinueshme një falimentim i tillë i Bashkisë Tiranë. Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, sepse janë 61 bashki, këshillat bashkiakë do t’i ngjajnë parlamenteve lokale do të kenë më shumë fuqi. Ne kemi disa plane, në 15 janar do të festojmë përvjetorin e FRESHIT, do të kemi riorganizim të gjithë strukturave tona të FRESH në gjithë vendin. Arsyeja pse fokusohemi te rinia është se ishte kyç në fitoren tonë në 2013 , sepse 70 % e atyre që votuan dhanë votën për koalicionin tonë, PS-LSI. Kjo do të thotë se kjo gjeneratë beson te e majta dhe te fryma e solidaritetit që e majta ka propozuar dhe implementuar në vitin e fundit. Ne do kemi disa amendime të Kodit Zgjedhor, ka ardhur koha që këshillat bashkiakë të 50 me 50, përsa i përket gjinisë, pra një burrë një grua jo gratë në fund të listës, të kemi barazinë gjinore që kemi sot në qeveri. Që të kemi më shumë angazhim nga të rinjtë ashtu siç ka ndodhur në qeverisje. Vendosja e kuotave për gratë dhe të rinjtë gjykoj do bëjë diferencën. 

Një parashikim për rezultatin, edhe pse është disi herët?
Unë e kam thënë në situatën që ndodhemi sot, dhe me frymën që ekziston në Shqipëri, dhe me faktin që njerëzit nuk po mbushen me dokrra por me rezultate konkrete, e të prekshme, në një shtete ligjore që nuk cedon tek funksionet e veta, nuk vonohen pagesat apo nuk i rreh krahët kriminelëve, por atyre që paguajnë energjinë. E kam thënë edhe njëherë me këtë frymë të mbështetjes rinore, jemi në avantazh do të fitojmë të paktën 50 bashki në gjithë vendin

Redaksia Online
(Gre/M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen