TIRANË - Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot pasdite programin për zonën e Baldushkut, nga ku u bëri thirrje banorëve që të bëhen bashkë në 21 qershor për të votuar drejtimin e duhur. I shoqëruar nga deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, dhe ministrja e Inovacionit, Milena Harito, Veliaj deklaroi se për fitoren në Tiranë është e nevojshme çdo votë.

“Ky është momenti ynë, kjo është fitorja jonë, të gjithë bashkë në datën 21 qershor ta çojmë Tiranën tonë në drejtimin e duhur”, - u shpreh Veliaj.
 
Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës deklaroi se Partia Demokratike e ka pasur shansin ta qeverisë në 4 vitet e fundit Baldushkun, por ka dështuar me sukses. Sipas tij, kjo është arsyeja pse partitë kryesore në Shqipëri janë bërë bashkë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur.
 
Aleanca jonë është aq e madhe saqë edhe të djathtët në Baldushk do të votojnë drejtimin e duhur sepse duan shërbime, duan transport publik, duan kanale vaditëse. Ne jemi e vetmja aleancë, i vetmi koalicion që kemi një plan konkret për Baldushkun”, - tha Veliaj.
 
Teksa sqaroi programin e tij për zonën, kandidati i majtë premtoi se brenda mandatit të ardhshëm e gjithë zona do të mbulohet me linja të transportit publik, në mënyrë që çdo banor i kësaj lagjeje të re të Tiranës t’i shërbehet me dinjitet dhe njësoj. “Sot, që të lëvizësh nga Baldushku në një lagje tjetër të Tiranës, duhet të paguash 2500 lekë. Prandaj, do të kemi një linjë transporti publik për Baldushkun ku çdo qytetar të mos diferencohet nga periferia në qendër, por të respektohet”, sqaroi Veliaj. Ai tha se brenda katër viteve të ardhshme do të sistemohet ujësjellësi në fshatrat Baldushk Qendër, Ballaxhias, Veski, Mustafakoç dhe Balshaban, në mënyrë që asnjë qytetar i kësaj zone të mos mbetet pa ujë të pijshëm.
 
Me votën e 21 qershorit do të pastrojmë rezervuarin e Veskis, Mustafakoçit, Paretit, Ballaxhiasit, që të gjithë ata që punojnë tokën të shërbehen nga bashkia”, tha Veliaj. Ai vlerësoi se “drejtuesit aktualë të komunës dhe ata që kanë drejtuar Bashkinë e Tiranës, duan vetëm që të hanë gjelat e detit në këtë zonë, por kur vjen puna për t’i shërbyer Baldushkut rrinë si gjela mbi pleh dhe nuk bëjnë asnjë punë. Ne nuk duam turistë, nuk duam njerëz që vijnë në Tiranë sa herë që ka zgjedhje për fushatë, por duam një kryetar bashkie dhe administrator që t’i rrijë punës te koka”, deklaroi kandidati i majtë.
 
Më tej, Veliaj theksoi se për herë të parë do të ketë një bashki që do të ndihmojë bujqësinë me grante, për të gjithë ata që duan të zgjerojnë fermën e tyre dhe që duan ta kthejnë shtëpinë e tyre në agroturizëm.
 
Kandidati i majtë vlerësoi se nga kampi kundërshtuar po ndihet humbja.
 
“Po e ndjen humbjen dhe ndaj ka dalë të përpëlitet. Po e ndjen humbjen në Baldushk, flet përçart se s’ka alternativë. A e keni parë Bashkinë e Tiranës, 4 vjet gjurmë dhe gërrhima, 4 vjet përtaci, 4 vjet që fle në kolltuk dhe nuk çohet të bëjë një punë? Ne duam bashkinë në punë, e duam bashkinë në punë 24 orë, 7 ditë të javës, 365 ditë në vit”, - deklaroi Veliaj.
 
Në përfundim të shpalosjes së programit me shtatë pika, Veliaj tha: “Ky është programi që po lidhni me ekipin e ri të bashkisë sepse këto janë gjëra konkrete, praktike. Për këto ka nevojë Baldushku, e jo për kalin e Zenit, lejet e Lulit, apo të qajë hallet e SHQUP-it”, përfundoi Veliaj.
 
 Programi me 7 pika për Baldushkun:
1. Mbulimi i Baldushkut me linja Transporti Publik
2. Sistemimi i ujësjellësit në fshatrat Baldushk Qender, Balhaxhias, Veski, Mustafakoç dhe Balshaban
3. Pastrimi dhe mirëmbajtja e rezervuarëve të Veskisë, Mustafakoçit, Parretit dhe Balhaxhiasit;
4. Riparojmë urën Kocaj-Veski;
5. Hapim segmentin rrugor Kocaj-Veski-Parret-Shënkollë;
6. Hapim segmentin rrugor Mustafakoç-Tavarenj-Shpat-Rrovë. VV
7. Sistemojmë rrugën Mustafakoç-Vrap.
 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)