Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin Ols Dado.
Veliaj ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kërkesë-padinë për dekretin e vitit 2007-2012 duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror.
Sipas padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit - pa shkollën përkatëse të Magjistraturës.
“Nga provat e depozituara rezulton se z. Olsi Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit dhe nuk ka mbajtur asnjë nga funksionet e posaçme të renditura në nenin 18 të ligjit nr. 8737. Para emërimit të tij, ai ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk bën pjesë dhe nuk mund të përfshihet në asnjë nga kategoritë ligjore të përcaktuara si kritere të posaçme për emërimin si prokuror. Për pasojë, ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë”, thotë padia.
Më tej në padi shtohet se “nxjerrja e një dekreti pa kryer këtë verifikim përbën shkelje flagrante të procedurës së kërkuar nga ligji."
Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.
“Si pasojë logjike e konstatimit të pavlefshmërisë absolute të dekretit, lind detyrimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë menjëherë masat e duhura për përfundimin e statusit të magjistratit të z. Olsi Dado dhe ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga ana e tij”, konstaton padia.
Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.
“Këto veprime, të ndërmarra në bazë të një atributi publik të fituar në mënyrë të paligjshme, kanë prodhuar pasoja të rënda, aktuale dhe të vazhdueshme në integritetin personal të paditësit, në lirinë e tij të lëvizjes, në ushtrimin e pandërprerë të mandatit të tij kushtetues, si dhe në funksionimin normal të Bashkisë së Tiranës dhe garantimin e shërbimeve publike për komunitetin”, thotë padia.
Ols Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe më pas Presidenca ka dekretuar noterin në prokuror.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente








