Veliaj:Rikonstruktojmë 23 kopshtet
ndërtojmë 11 kënde të reja lojërash

Veliaj:Rikonstruktojmë 23 kopshtet<br />ndërtojmë 11 kënde të reja lojërash
Brenda pak javësh, Kopshti nr. 20 në Tiranë do të marrë një pamje krejt të re. Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të godinës, duke synuar që ta shndërrojë atë në një ambient të denjë për më të vegjlit e qytetit. Në nisjen e punimeve ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka theksuar se Kopshti nr. 20 është njëri nga 23 kopshtet që po i nënshtrohen rikonstruksionit gjatë këtij viti.
 
“Ky është viti i parë që Bashkia e Tiranës ka marrë në administrim, jo vetëm asetet, por edhe burimet njerëzore në kopshte. Duam që siç stafi ynë shërben me të njëjtën cilësi dhe pasion, po ashtu edhe ndërtesat të dhurojnë të njëjtat kushte cilësore për fëmijët, sepse qytetarët e Tiranës na kanë besuar gjënë e tyre më të shtrenjtë”, tha Veliaj.
 
Përveç këtij kopshti, kreu i bashkisë bëri të ditur se do të ndërhyhet edhe në godinat e kopshteve të tjera të njësisë administrative nr. 3, ndaj ai ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve për ngarkesën që mund të shkaktohet deri në përfundim të punimeve. “Jemi duke punuar që 6 kopshtet e kësaj njësie të jenë në gjendje perfekte për vitin e ri shkollor, në shtator. Teksa ne nxitojmë për të mbaruar punimet dhe sigurohemi që historitë me lagështirë dhe me kopshte që presin që nga viti '83 të rikontruktohen, të mos kemi më në qytetin e Tiranës. Është pjesë e filozofisë tonë, ne jemi fokusuar tek fëmijët”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
 
Më tej, Veliaj shtoi se për Bashkinë e Tiranës të gjithë qytetarët janë të rëndësishëm, por fëmijët janë ata që kanë prioritet mbi gjithçka. Ndaj, ka theksuar ai, kjo është arsyeja që Bashkia e Tiranës sapo ka miratuar të 11 vendet ku do të ndërtohen këndet e lojërave nëpër lagjet e qytetit. “Ne nuk duhet të zgjedhim mes një këndi të madh lojërash apo këndeve të vogla nëpër lagje. Ne do të bëjmë, edhe këndin e madh, edhe këndet e vogla nëpër lagje, sepse besojmë që nuk duhet të kursejmë asnjë mundësi që kemi që fëmijët e Tiranës të kenë një fëmijëri që ja vlen të mbahet mend”, theksoi kryetari i Bashkisë.
 
Godina e kopshtit nr. 20 është dy katëshe dhe është ndërtuar në vitin 1983. Rikonstruksioni i fundit i kësaj godine është kryer para 18 vitesh dhe sot ajo paraqet një gjendje aspak të mirë për kushtet që duhet të plotësojë një ambient publik që i shërben fëmijëve. Godina e kopshtit ka një sipërfaqe ndërtimi të përgjithshme 600 m2 dhe në tërësinë e saj ajo shfaq probleme me lagështirën në të gjitha ambientet e saj në katin përdhe, ka rrjedhje të tubacioneve të furnizimit me ujë tek tualetet e fëmijëve, rrjeti ekzistues elektrik është i amortizuar, nuk përballon ngarkesën elektrike, përfshi këtu edhe ndriçimin.

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën