TIRANE - “Lindjen e një fëmije, t’ia besoja një njeriu që ka etikë profesionale dhe nuk i kthen në barsoleta gratë e Tiranës”. Kështu u shpreh kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj duke iu adresuar rivalit të tij në garën elektorale të 21 Qershorit, mjekut gjinekolog Halim Kosova.

I pyetur në Top Story nëse do ia besonte lindjen e fëmijës së tij Halim Kosovës, Veliaj tha se do të zgjidhje një mjek më dinjitoz dhe që ruan etikën profesionale.

A është e vërtetë që keni ardhur në jetë nga duart e Halim Kosovës?
Unë e kuptoj që thashthemnaja në Shqipëri bëhet pjesë e diskutimit publik dhe politik. Mesa duket ka kapluar edhe një kandidat. Përgjigja është jo, jo nuk kam lindur me Halim Kosovën, kam lindur me doktoreshë Vjollca Taren, sot është Vjollca Bushati, është një gjinekologe e jashtëzakonshme. Është sot nëna e deputetit të nderuar Ervin Bushati të PS-së. 

Ju jeni i martuar dhe nëse nesër pasnesër do të bëheni baba do t’ja besonit fëmijën tuaj Halim Kosovës?
Nuk jam këtu për të bërë barsoleta dhe për t’i dhënë një barsoletë tjetër dikujt që te gjitha gratë e Tiranës i nxori në rrugë. Më vjen keq për këtë.
Do preferoj një mjek më dinjitoz. Fatmirësisht në këshillin tonë bashkiak, njerëz shumë të nderuar dhe shumë të respektuar në sens etike, si Erion Glozheni apo doktoresha e njohur Vjollca Tare Bushat, me të cilën kam lindur unë, më rezultojnë se janë më dinjitoz dhe nuk nxjerrin nga klinika muhabetet që janë konfidenciale. Do të preferoja që në trajtimin e çështjeve të shtrenjta për mua, siç është intimiteti i kujdesit për lindjen e një fëmije, t’ia besoja një njeriu që ka etikë profesionale dhe nuk i kthen në barsoleta gratë e Tiranës

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)