Pas protestës që Qendra edukative “Don Bosko” ka bërë dje në ambientet ku ndodhet prej 23 vitesh ndaj vendimit të gjykatave shqiptare të cilat ja kanë kthyer këtë pronë pjesërisht ish-pronarëve ka ardhur sot dhe reagimi i kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj gjatë një takimi me banorët e Linzës në komunën e Dajtit vend ku ai theksoi se sa të jetë kryetar nuk do të lejojë as prishjen e saj dhe as ndërtime të reja në të

Nga zona e Dajtit, ku prezantoi programin e tij për atë pjesë të Bashkisë së re të Tiranës, Veliaj deklaroi se pas 21 qershorit nuk do të jepen më leje ndërtimi dhe as do të ndërtohet as te diga e Liqenit dhe as në Don Bosko.

“Dua që edhe sot të flasim troç. Dje kemi pasur një protestë legjitime nga komuniteti katolik i Shqipërisë, që drejton qëndrën Don Bosko, e cila ndodhet në qëndër të Tiranës dhe ku zhvillohen kurse profesionale dhe ushqehen fëmijët e rrugës. Aty kemi hapësirën e vetme të gjelbër që ka mbetur në atë lagje dhe ku pretendohet nga bashkia aktuale që do të ndërtohen pallate. Ta themi qartë dhe ta themi fort: Sa të jem unë kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk do të ketë leje ndërtimi te Qëndra Don Bosko"- tha Veliaj

Veliaj prezantoi gjithahstu programin me 10 pika për Dajtin ku ndër të tjerat ishin ndërtimi i një shkolle të mesme, i një qendre shëndetësore, kthimi i Dajtit në një destinacion të rëndësishëm turistik si dhe ndërhyrje në transportin rrugor.

Më pas ai shtoi duke kërkuar votën e banorëve më 21 qershor se njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë për problemet dhe shqetësimet që diskutojnë në tavolinën e bukës.

“Ata le të merren me votat e partisë, por ne do t’i kërkojmë çdo të majti dhe të djathti, i cili në tavolinën e bukës nuk e vret mendjen për kalin e Zenit apo katin shtesë të Lulit, por e vret mendjen për kopshtin, çerdhet dhe shkollat për fëmijët e tyre”, tha Veliaj.

Pikat e programit për Dajtin:
 
1. Mbulimi i Dajtit me linja Transporti Publik;
2. Kthejmë Dajtin në një nga destinacionet më tërheqëse turistike;
3. Kthejmë në atraksione turistike Kalanë e Dajtit dhe vendbanimin ilir të Qytezës në Tujan;
4. Rikonstruktojmë urën e Brarit;
5. Ndërtojmë një shkollë të re të mesme në Shishtufinë;
6. Rikonstruktojmë shkollën 9-vjeçare në Ferraj;
7. Hapim një Qendër Shëndetësore me shërbim 24 orë në Qesarake;
8. Rikonstruktojmë Rrugën nga Uzina e Traktorëve-Lanabregas;
9. Sistemojmë rrugët e brendshme të Priskës dhe rikonstruktojmë rrugën Priskë-Darshen;
10. Sistemojmë kanalet vaditëse të fshatrave Brar, Ferraj e Linzë.
 
Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)