Kryebashkiaku i Tiranës Erion Velaj vijon të firmosë nga qelia e paraburgimit të Durrësit, largime nga detyra. Këtë të mërkurë, Veliaj firmosi shkarkimin e nënkryetarit Blendi Sulaj, i cili e mbante këtë detyrë që prej vitit të kaluar.

Vetë Sulaj, reagoi pas shkarkimit nga detyra përmes një postimi në rrjete sociale, ku falënderon Edi Ramën dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës, ndërsa njofton se pas shkarkimit do t'i përkushtohet fushatës elektorale në mbështetje të PS-së dhe Ogerta Manastirliut.

"Me padurim dhe plot me energji do të përkushtohem në sfidën elektorale në mbështetje të PS dhe kandidates Ogerta Manastirliu", shkroi ai. 

Shkarkimi i Sulajt, vjen pas tre dorëheqjeve të miratuara një ditë më parë, të nënkryetares së Bashkisë Anuela Ristani, sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe Shefes së Kabinetit Blerina Beshku. Në vend të Hoxhës Veliaj komandoi sërish Alban Dokushin, i cili kishte mbajtur më herët këtë pozicion dhe ishte rikthyer në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Administrative.

Dokushi u shkarkua nga Anuela Ristani një muaj pas arrestimit të Veliajt. Më pas ai e dërgoi çështjen në Gjykatë dhe më 3 qershor Apeli vendosi kthimin e tij në detyrë. Moszbatimi i këtij vendimi ishte edhe një nga argumentet e Veliajt kur i tërhoqi Ristanit delegimin e kompetencave në 28 gusht.

Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025 Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:22
Blendi Sulaj reagon pas shkarkimit nga Veliaj: Do t’i përkushtohem fushatës në mbështetje të PS dhe Ogerta Manastirliut

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, ka reaguar për herë të parë pasi u shkarkua nga detyra me vendim të firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj nga qelia e paraburgimit.

Në një postim në rrjete sociale, Sulaj falënderon Edi Ramën dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës,dhe njofton se pas shkarkimit do t'i përkushtohet fushatës elektorale në mbështetje të PS-së dhe Ogerta Manastirliut.

Deklarata e plotë 

“Të nderuar miq,

Prej një viti kam mbajtur postin e n/kryetarit për kontrollin e territorit në Bashkinë e Tiranës. Dua të ndaj me ju vlerësimin maksimal për n/kryetarët, drejtorët e drejtorive, shefat e sektorit dhe çdo punonjës të thjeshtë të Bashkisë së Tiranës. Janë njerëz që punojnë me shpirt çdo ditë për t’i shërbyer qytetarëve dhe shpesh jo në kushte normale pune. Dua të falënderoj kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më dha gjatë kësaj kohe, ku udhëhoqëm lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.

Me padurim dhe plot me energji do të përkushtohem në sfidën elektorale në mbështetje të PS dhe kandidates Ogerta Manastirliu.

Tirana e bukura e shqiptarëve për të cilën do punojmë të gjithë.”