Mund të konsiderohet i dështuar pa nisur mirë sezoni turistik në plazhin e Velipojës. Punimet për rikonstruksionin e rrugës Shkodër – Velipojë, përveç ritmit të tyre, që lë shumë për të dëshiruar, pritet të jene problemi kryesor i këtij sezoni turistik në Velipojë.
Për banorët e zonës, kjo është një problematike, e cila kërkon zgjidhje urgjente, pasi gjendja në të cilën ndodhet rruga do të kthejë mbrapsht të gjithë turistët drejt Malit të Zi.
Punimet për rrugën Shkodër Velipojë të nisura prej muajsh, ishin parashikuar që të përfundonin para sezonit turistik, por situata e përmbytjeve dhe problematika e devijimit të projektit në zonën e Bërdicës, duket se ka bërë që ky investim, i cili ishte parashikuar si zgjidhje për sezonin turistik të Velipojës, të kthehet në gangrenë.
Banorët janë skeptikë për sezonin veror, i cili është në prag të tij. Pak ditë na ndajnë nga çelja e sezonit turisti, i cili pritet të hapet në datën 4 maj në plazhin e Velipojës. Ndërkohë që në një rrugë të tillë mundësia për të devijuar turistët është shumë e madhe pasi pak kilometra më tutje është plazhi tjetër i cili është në anën tjetër të kufirit, në Ulqin.