Në mbledhjen e ditës së sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan edhe disa vendime të rëndësishme. Kështu, qeveria vendosi sot për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2015-2017, “Për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të mjeteve motorike”.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave vendosi sot për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 400 kV, Vau i Dejës-Morinë. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
Sipas këtij vendimi pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, për sipërfaqen 3 795 (tre mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e pesë) m², ndërtesë, tokë bujqësore, arë, truall dhe kullotë, vlerësuar në shumën prej 10 095 475 (dhjetë milionë e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh.
U vendos edhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, lotet 6-11(objekte dhe toka)”. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, për tokë “truall” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 126 660 438 (njëqind e njëzet e gjashtë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e tetë) lekësh.
Qeveria vendosi edhe shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Nyja rrugore Vorë”. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, për tokë “arë”, “truall” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 9 220 470 (nëntë milionë e dyqind e njëzet mijë e katërqind e shtatëdhjetë) lekësh.
Qeveria vendosi edhe miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit.
Gjithashtu KM mori vendim për disa ndryshime në vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Qeveria miratoi sot edhe rregulloren për dhënien e autorizimit të tregtimit të barnave e të klasifikimit të tyre në Republikën e Shqipërisë. - See more at: http://shqiptarja.com/Aktualitet/2731/qeveria-miraton-kodin-e-ri-rrugor---hyn-n--fuqi-patenta-me-pik--284146.html#sthash.bXZ4dXBQ.dpuf