Gjykata e Lartë me vendimin për rishikimin e praktikës së paraburgimit, ka përmbledhur atë që Strasburgu vlerësoi për klientin tim!
Avokati i ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së lartë për rishikimin e praktikës së ‘arrestit me burg’.
I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, avokati Dorjan Matlija, ka treguar argumentat me të cilat Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë Thoma Gëllçit, i cili ishte arrestuar dhe mbajtur në paraburgim me urdhër të SPAK.
Matlija tha se Strasburgu asokohe tha pak a shumë të njëjtat gjëra që sot Gjykata e Lartë sipas tij i ka përmbledhur në mënyrë parimore. Strasburgu asokohe vlerësoi se me kërkesë të SPAK, Gëllçi u mbajt në paraburgim pa prova të mjaftueshme dhe nuk u shqyrtua mundësia e masave më të lehta të sigurisë.
Sipas avokatit, argumentat e GJKKO-së për mbajtjen në paraburgim të Thoma Gëllçit ishin rreziku për prishjen e provave dhe mundësia e arratisjes, pretendime të cilat sipas tij nuk qëndronin.
“Çështja në Strasburg ishte kundër shtetit shqiptar. Kur shteti shqiptar nuk e ka respektuar konventën, organet e shtetit shqiptar. Strasburgu asokohe për Thoma Gëllçin tha pak a shumë atë që Gjykata e Lartë e përmbledh në mënyrë parimore. Pra Strasburgu tha se nuk ishte fare e justifikuar nevoja pse duhej mbajtur në arrest me burg. Për çfarë arsyeje. Sepse diskutohej se mund të prishte provat. Provat për të cilat ai akuzohej, sepse tani është prishur edhe vendimi dënimit, por kjo është pjesë tjetër, provat për të cilat ai akuzohej, ishin dokumenta shkresore.
Të gjitha të mbledhura nga Prokuroria para se ai të arrestohej. Çdo prishte ai, kur prokuroria i kishte të gjitha në zyrën e vet. Dhe unë e thoja në Gjykatë ‘ku do i prishë ai, do vij në zyrën tuaj t’i djegë’. Në fillim fare unë këtë ngrita domethënë. Argumenti i dytë, Prokuroria thoshte se ka mundësi të arratisej, sepse ka pasaportë të huaj dhe ka hyrje-dalje të shumta nga sistemi Tims. Por nëse ngremë këtë alibi, kjo vlen për 99 % të shqiptarëve.
Sepse të gjithë kanë një pasaportë që mund të shkojnë në një vend të Europës dhe të gjithë kanë mundësi të marrin 200 euro borxh për t’ja mbathur. Po të thuash për kaq, praktikisht ti e ke hapur derën e arrestit për të gjithë. Unë i thoja që nëse ekziston ky rrezik, pse nuk i sekuestroni pasaportën dhe t’i ndaloni daljen jashtë vendit. I thoja ‘është 60 vjeç, me peshë të shtuar, nuk do iki nga malet ky njeri’. Nuk hante njeri pyk”, tha mes të tjerash Matlija.
Më tej Matlija tha se Gëllçi u mbajt për rreth 3 muaj në paraburgim pa u marrë në pyetje. Ai foli më tej edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila prishi vendimin e dënimit të Gëllçit dhe e çoi çështjen për rigjykim në Apelin e GJKKO-së.
Avokati Matlija deklaroi se Gëllçi po shkon drejt marrjes së pafajësisë, teksa shtoi se po përgatiten që të hapin gjyq për dëmshpërblimin e tij.
“Sot Gjykata e Lartë thotë atë që thotë ligji, që e ka thënë që në ditën e parë që është miratuar kodi i procedurës penale në 1994. Gëllçi qëndroi 10 muaj në paraburgim. Domethënë 7 muaj, sepse pastaj e zëvendësoi vendimi i dënimit. Por Strasburgu e konsideroi deri në momentin e dënimit nga Shkalla e Parë.
Pastaj vendimi i dënimit u prish më vonë. E prishi Gjykata e Lartë para pak ditësh. Është kthyer për rigjykim në Apel. Gëllçi tani është drejt pafajësisë. Do hapim gjyq dëmshpërblimi pastaj. Është histori tjetër më vonë. Gëllçin e arrestuan në 3-4 tetor dhe u pyet për herë të parë pas datës 20 janar. Ndenji 3 muaj pa pyetur. Ky ishte proces i SPAK. SPAK është më rëndë nga të gjithë”, vijoi më tej Matlija.
Gjykata e Lartë prishi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, i dënuar për “shpërdorim detyre” dhe çështja u kalua për rigjykim në Apelin e GJKKO-së me një trup tjetër gjyqtarësh.
Po ashtu kujtojmë se ditën e djeshme Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë rishikuan një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të ‘arrestit në burg’ dhe kohëzgjatjen e tij.
Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.
Ish-prokurori Florian Bonjaku e ka cilësuar të drejtë vendimin e Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit.
Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Bonjaku deklaroi se masa e ‘arrestit me burg’ është masa e fundit që duhet dhënë nga Gjykatat, në rast se dështojnë të gjitha masat e tjera.
Më tej Bonjaku tha se nga vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit përfitojnë të gjithë dhe sipas tij, debati që bëhet nëse nga ky vendim do të përfitojnë disa emra të njohur apo jo, është i fokusuar gabim.
“E para ky vendim është ndryshim i një vendimi të 2011. Masa e sigurimit arrest me burg është masa e fundit, kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Debati që bëhet nëse nga ky vendim do të përfitojnë disa emra të njohur apo jo, është i fokusuar gabim. A do përfitojë çdo njeri? A ishim ne të gjithë që thoshim se masa e sigurimit është e tepruar? Lidhur me çështjet penale konkrete çdo person ka të drejtë që t’i drejtohet Gjykatës për të zëvendësuar apo revokuar një masë sigurimi. Në rastin e Veliaj dhe në rastin e të tjerëve, është Gjykata ajo që vendosi. Nuk është ndonjë rrezik kaq i madh që të thuash do kthehet në punë. Ne kemi masa sigurie që mund ta frenojnë edhe këtë rrezik. Kemi pezullim nga ushtrimi i detyrës publike. Kemi arrestin në shtëpi. Pra nuk është masa e arrestit me burg masa e parë që duhet vendosur”, tha mes të tjerash ish-prokurori Bonjaku.
Komente









